Kosovë: Apeli liron nga akuzat një besimtar musliman të dënuar për terrorizëm, thotë ju paragjykuan bindjet e tij fetare

​Gjykata e Apelit e ka liruar nga akuzat për vepra penale që lidhen me terrorizëm, Ardian Gjurajn. Kështu, Apeli e ka aprovuar si të bazuar ankesën e ushtruar nga ana e mbrojtësit të Gjurajt, avokatit Ali Beka, përderisa është refuzuar ankesa e ushtruar nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e cila kishte kërkuar dënim më të lartë për Gjurajn.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në shkurt të këtij viti, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Gjuraj, për veprën penale, “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj”, në formacionet e jashtme paraushtarake ose policore, organizatat grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës, e mbetur në tentativë.

Për këtë vepër penale, shkalla e parë i kishte shqiptuar Gjurajt, dënim prej një vit e pesë muaj burgim. Mirëpo, këtë aktgjykim të Themelores e ka ndryshuar Gjykata e Apelit, pas shqyrtimit të ankesave të ushtruara nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit e cila kishte kërkuar lirimin e Gjurajt nga akuzat si dhe ankesës së PSKR-së.

Në aktgjykimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se pas shqyrtimit të ankesave të ushtruar nga ana e Prokurorisë dhe mbrojtësit të të akuzuarit, Apeli ka vlerësuar se nuk është provuar se në veprimet e të akuzuarit Gjuraj qëndrojnë elementet e veprës penale për të cilën i akuzuari ishte shpallur fajtor nga shkalla e parë.

“Nëse analizohet me kujdes vetë dispozitivi i aktakuzës shihet se ky dispozitiv nuk i përmbush elementet që duhet të përmban një aktakuzë ashtu siç parashihet në nenin 241 të KPP, pasi që mungon koha dhe vendi i kryerjes së veprës penale por edhe rrethanat të tjera të nevojshme për të përcaktuar me saktësi veprën penale, e që do kishin përmbushur një standard minimal përtej dyshimit të bazuar mirë që dikush të mund të shpallet fajtor”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Tutje, në aktgjykimin e Apelit thuhet se dispozitivi i shkallës së parë në pjesën më të madhe flet për kohën e kaluar të akuzuarit në Gjermani dhe kthimin e tij në Kosovë, shkuarjen e tij në Turqi, paraburgosjen e tij atje për shkak të mungesës së dokumentacionit dhe përfundon me fjalinë “nuk dihet se ku ka qenë i akuzuari në periudhën kohore prej dy muaj e gjysmë”.

Sipas vlerësimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë, me rastin e shpalljes fajtor të të akuzuarit, është bazuar në supozime dhe se bindjet fetare të të akuzuarit, udhëtimi i tij për në Turqi, arrestimi i tij në mungesë të dokumentacionit në qytetin Gaziantep, apriori nuk e bëjnë të njëjtin fajtor.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë dhe prokuroria nuk kanë pasur prova të drejtpërdrejta, por vetëm prova rrethanore të cilat nuk vërtetojnë përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari ka kaluar kufirin në Siri ose të jetë bashkangjitur ndonjë grupit terrorist.

Prandaj, gjykata e shkallës së dytë, duke u bazuar në parimin e prezumimit të pafajësisë dhe parimit In Dubio Pro Reo, se mëdyshjet lidhur me ekzistimin e fakteve të rëndësishme për çështjen ose për zbatimin e ndonjë dispozite të ligjit penal interpretohen në favor të pandehurit, ka vendosur siç thuhet në aktgjykim, që Ardian Gjurajn ta liroi nga akuzat në fjalë.

Ndryshe, edhe nëse Apeli do të vërtetonte dënimin ndaj Gjurajt, i njëjti nuk do të kishte nevojë të shkojë në vuajtje të dënimit pasi që, Gjuraj kishte qëndruar në paraburgim nga 5 shtatori 2016 deri më 12 shkurt 2018, kohë kjo, e cila e kalon madje edhe dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë dhe atë për 7 ditë më shumë.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, Ardian Gjuraj akuzohet se gjatë viteve 2014-2015 duke jetuar në Gjermani ishte bërë përkrahës i ideologjisë së organizatës terroriste-ekstremiste ISIS dhe babai i tij e kishte paraqitur në polici, ndërsa Policia e Gjermanisë me 18 prill 2015 e kishte deportuar atë në Kosovë.Gjithnjë sipas aktakuzës, më 11 dhjetor 2015, i akuzuari kishte udhëtuar me grupin e organizatës “Liza-R” drejt Turqisë.

Në këtë shtet ai ishte ndarë nga grupi, ndërsa kishte vazhduar rrugën drejt Sirisë, ku u ishte bashkuar grupit të kosovarëve pjesëtarë të ISIS-it. Ardian Gjuraj, më 25 shkurt 2016 ishte arrestuar nga autoritetet turke, pasi kishte kaluar ilegalisht kufirin Siri-Turqi, duke u futur në territorin e shtetit turk.

Prokuroria pretendon se në momentin kur e kishin arrestuar autoritetet turke, Gjuraj u ishte paraqitur si shtetas i Rusisë me emrin Ashab Arsayev, ndërsa më pas, më 5 shtator 2016 Gjruaj ishte deportuar në Kosovë.

Gjuraj akuzohej për veprën penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, por, pas ri cilësimit, gjykata kishte vendosur që këtë vepër ta konsiderojë të mbetur në tentativë. /betimiperdrejtesi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne