Sot në orën 07:00 u hapën qendrat për zgjedhjet e gjashta parlamentare në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në listën zgjedhore të regjistruar me të drejtë vote janë 1.872.941 shtetas të Republikës së Kosovës. Numri i qendrave të votimit në këto zgjedhje është 889 me gjithsej 2.490 vendvotime në mbarë Kosovën.

Fushata zgjedhore, e cila zgjati 10 ditë, filloi më 31 maj dhe përfundoi më 9 qershor.

Në zgjedhje marrin pjesë 26 subjekte politike: 19 parti politike, pesë koalicione dhe dy nisma me gjithsej 971 kandidatë. Secili qytetar me të drejtë vote mund të votojë një subjekt politik dhe 5 kandidatë të tij.

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës zgjidhen 120 deputetë në zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe të lira me votim të fshehtë në mandat prej 4 vitesh.

Ndryshe, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara më 11 qershor është si rezultat i votimit për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë ku me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenime ra qeveria e formuar nga koalicioni PDK-LDK dhe Lista Serbe.

Mosratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, shihet si një nga arsyet kryesore për shpërbërjen e koalicionit qeverisës.

KQZ: Të gjitha vendvotimet janë hapur në ora 07:00

Në konferencën e parë për shtyp të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) të mbajtur në ora 08:00, kryetarja e komisionit Valdete Daka deklaroi se të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës janë hapur pikërisht në ora 07:00, në mënyrë të rregulltë.

“Në emër të KQZ-së ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që kanë të drejtë vote, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të votojnë sot”, u shpreh Daka.

Daka apeloi tek të gjithë komisionerët t’i respektojnë ligjet e KQZ-së, ligjin mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe të sillen sipas standardeve ndërkombëtare.

Konferenca e rradhës e KQZ-së do të jetë në ora 11:30 dhe do të njoftohet mbi ecuritë e procesit të votimit dhe pjesëmarrja në votim deri në ora 11:00.

20