Kosovë, Haradinaj reagon ndaj Vuçiç: E papranueshme që s’njeh kufijtë në Jarinjë e Bërnjak

Qeveria e Republikës së Kosovës i ka vlerësuar deklaratat e presidentit serb, Vuçiç, të bëra një ditë më parë nga qyteti i Vranjës në Serbi, si të papranueshme dhe cënuese ndaj integritetit territorial të Kosovës.

“Deklaratat e fundit kërcënuese, agresive dhe luftënxitëse të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të dhëna dje, më 7 shkurt 2019 në qytetin e Vranjës, Serbi, se nuk i njeh kufijtë e Kosovës, kufijtë ndërkombëtarisht të njohur dhe të pranuar, në Jarinjë dhe Bërnjak, janë të papranueshme dhe paraqesin cënim serioz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, thuhet në reagimin e qeverisë së drejtuar nga Haradinaj.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se, këto deklarime “janë një sulm i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, rajon dhe më gjerë”.

Më tej, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore, me qëllim ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne