Kosovë, marrëveshje për bashkëpunim të komunave në rast të fatkeqësive natyrore

Në organizim të projektit rajonal “Rrjeti i Veprimit për Ndërtimin e Ripërtritjes Urbane në Evropën Juglindore” – SEE URBAN, sot në Prishtinë është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes ndërkomunale për themelimin e rrjetit “Ripërtëritja nga Fatkeqësitë për komunat e Istogut, Klinës, Malishevës dhe Pejës”.

Donator të projektit janë UNDP, Bashkimi Evropian dhe Ndihma humanitare dhe mbrojtja civile /ECHO.

Zv/përfaqësuesja rezidente e UNDP-së për Kosovë, Alessandra Roccasalvo, tha se kjo është ceremonia e parë e nënshkrimit të bashkëpunimit në Ballkan, me qëllim forcimin e nivelit lokal dhe rritjen e kapaciteteve të rezistencës ndaj rreziqeve të fatkeqësisë.

Në Kosovë, siç tha ajo, relativisht janë të shpeshta përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës, që nënkupton se fatkeqësitë janë një realitet dhe se është mirë të përgatitet dhe të zhvillohet një strategji.

“A ju kujtohet se çfarë ndodhi në Athinë me zjarret, pa marrë parasysh nëse kanë qenë aksidentale apo incidente, mund të them se zjarrfikësit nuk ishin të përgatitur. Derisa shpresojmë se diçka e tillë nuk do të ndodhë në Kosovë, përgatitjet janë të rëndësishme. Natyrisht që ata kërkojnë fonde, por edhe me fonde të vogla diçka mund të bëhet”, tha Roccasalvo.

Zv/kryetari i sektorit për Bashkëpunim të Zyrës së BE-së në Kosovë, Libor Chlad, theksoi se BE-ja ka fonde të caktuara për fatkeqësi dhe porositi se në fatkeqësi të bashkuar jemi më të fuqishëm.

“Nëse flasim për fatkeqësitë që kanë ndodhur në Kosovë tashmë disa vite për të cilat kemi qenë dëshmitarë, përderisa ndodhin varësisht nga kushtet klimatike dhe sezoni, këto ngjarje janë të frikshme. Kur shohim rrëshqitje të dheut apo përmbytje të mëdha, këto janë gjëra të vërteta dhe mund të ketë të dëmtuar, pasoja dramatike, gjë që kërkon veprimin tonë aktiv”, tha Chlad.

Krinuslav Katiç, drejtues i projektit rajonal “Rrjeti i Veprimit për Ndërtimin e Ripërtritjes Urbane në Evropën Juglindore”, theksoi se nevojitej një vit për të arritur deri te nënshkrimi i sotëm.

“Ky është një projekt 24 mujor që mbulon zonën e Evropës Juglindore dhe filloi në janar të vitit 2017, ndërsa do të përfundojë deri në fund të këtij viti. Shuma totale e projektit është më shumë se 570 mijë euro”, tha Katiç.

Katiç shtoi se 284 komuna janë përfshirë në rajon përmes platformës, ndërsa në Kosovë fillimisht katër komunat janë përfshirë. Ai gjithashtu njoftoi se në Shkup do të mbahet një takim rajonal muajin e ardhshëm, ku të gjitha vendet do të jenë të pranishme.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne