Kosovë: Përleshja mes të miturve rezulton me vrasje në Suharekë

Policia e Kosovës në rajonin e Prizrenit ka njoftuar se sot rreth orës 13:40, një i mitur ka mbetur i vdekur si pasojë e një zënke në të cilën janë përdorur thikat mes të miturve në stacionin e autobusëve në Suharekë.

“Rreth orës 13:38 minuta Policia në Suharekë ka pranuar një informacion për një rrahje të disa të rinjve që kishte ndodhur në Stacionin e Autobusëve në Suharekë. Pas hetimeve të para nga vendi i ngjarjes është bërë e ditur se tre të dyshuar të mitur: 15; 16 dhe 17 vjeç nga Duhla i kishin sulmuar po ashtu dy të mitur nga fshati Gjinoc të cilëve u kishin shkaktuar plagë me thikë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

“Të plagosurit janë përcjellë për në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren. Pak më vonë, mjekët e kanë konfirmuar vdekjen e njërit nga të plagosurit ndërsa i dyti po trajtohet në emergjencë”, thuhet në komunikatë.

Policia tha se hetuesit rajonalë dhe krim teknikët i kanë kryer procedurat hetimore në vendin e ngjarjes ndërsa tre të dyshuarit janë arrestuar.

“Po ashtu edhe mjeti me të cilin dyshohet të jetë kryer vrasja është sekuestruar dhe do t’i kalojë prokurorisë së shtetit në cilësi të provës materiale. Pritet intervista me të dyshuarit për të zbardhur rrethanat e rastit”, thuhet në komunikatën e Policisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne