Kosovë – Rritet niveli i ndërgjegjësimit të konsumatorëve

Ndërgjegjësimi i konsumatorit kosovar rreth cilësisë së produkteve që konsumojnë dhe shërbimeve që ofrohen është në rritje dhe inkurajon reagimin e autoriteteve përkatëse, lidhur me ankesat e qytetarëve, u tha të mërkurën në tryezën e rrumbullakët me temën “Mbrojtja e konsumatorit dhe konkurrenca: Ku po çalon zbatimi”.

Tryeza e rrumbullakët, si pjesë e projektit “Vetëdija e qytetarëve për rëndësinë dhe përmbajtjen e MSA-së”, u organizua nga OJQ “Internews Kosova”, e cila merret me gazetari hulumtuese. Kreshnik Gashi nga Kallxo.com, platforma për denoncimin e korrupsionit, e themeluar nga organizata Internews Kosova së bashku me BIRN-in, tha se projekti i nisur një vit më parë ka dhënë rezultatet e veta dhe se qytetarët gjithnjë e më shumë raportojnë kur janë viktima të mashtrimit të konsumatorit.

Gashi rikujtoi se projekti filloi në kohën e skandalit më të madh me mish të prishur të importuar nga Belgjika.

“Në lidhje me skandalin e mishit ndodhi një mrekulli e madhe, për të cilën u diskutua edhe në Kuvend dhe kudo tjetër, mbeti në gjysmë të rrugës. Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndërsa gjykata ende nuk e ka konfirmuar aktakuzën, e cila na çon në përfundimin se serioziteti i trajtimit të rasteve të tilla nuk është ende në nivelin e duhur”, ka thënë Gashi.

Plator Gerdovci nga Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë tha se viti 2018 ka qenë i suksesshëm në kompletimin e legjislacionit. Është miratuar ligji për mbrojtjen e konsumatorit dhe janë miratuar 6 rregullore administrative që plotësojnë atë ligj. Ai theksoi se gjatë vitit 2018 Departamenti ka pranuar më shumë se 6.000 thirrje nga konsumatorët dhe se këto thirrje nuk shërbyen vetëm për të marrë ankesa, por edhe për të ofruar këshilla për qytetarët dhe interpretimet ligjore.

“Ne gjithashtu kishim ankesa që u kompletuan. Gjithsej 367 ankesa janë drejtuar te Inspektoratet kompetente dhe shumica kishin të bënin me cilësinë e produkteve dhe shërbimeve. Vlen të përmendet se gjatë vitit 2018 e deri më tani janë trajtuar 180 ankesa më shumë ose 45 për qind më shumë se një vit më parë, duke treguar se ndërgjegjësimi i konsumatorëve kosovarë është në rritje”, tha Gerdovci./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne