Kosovë, të mërkurën Kuvendi shqyrton përpjekjet për korrigjim të kufirit me Serbinë

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës me kërkesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të mbahet të mërkurën më 31 tetor.

Ky është vendimi të cilin e mori kryesia e Kuvendit, me kërkesë të LDK-së për të debatuar mbi përpjekjet e presidentit Hashim Thaçi për këmbim territoresh apo korrigjimin të kufirit me Serbinë.

Deputeti i LDK-së, Armend Zajmi, u bëri thirrje të gjitha grupeve parlamentare të marrin pjesë në seancën e thirrur.

“I ftojmë të gjitha grupet politike në Kuvendin e Kosvës të bëhen pjesë e debatit dhe të japin mendimin për Rezolutën e parashtruar dhe kjo çështje të merr vendimin e merituar ashtu siç është kërkesa e shumicës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, qoftë si shqetësim apo mbrojtje kushtetuese e integritetit territorial të Kosovës dhe të mos lejohen bisedime për asnjë çështje e cila prek elementet kushtetuese të shtetit tonë”, tha Zajmi.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, shpreon se partitë do të arrijnë një konsensus i cili është në interesin e qytetarëve dhe mbrotjes së sovranitetit të Kosovës, njëkohësisht duke ruajtur partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare.

“Qëllimi ynë është të jemi të bashkuar, sepse nuk është një nismë nga e cila dikush përfiton në këtë moment shumë të ndjeshëm politikisht. Duhet t’i shmangim interesat tona zgjedhore dhe të përballojmë sfidën që nuk është aspak e lehtë, dhe kjo është Serbia”, tha Veseli.

Ai theksoi se qytetarët duhet të jenë të sigurt se bartësit e pushtetit nuk do të lejojnë ndarjen e vendit apo krijimin e autoriteteve paralele që mund të dëmtojnë Kosovën.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne