Kosovë, TIKA mbështet 100 familje boshnjake në fushën e blegtorisë

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim TIKA e cila vepron që nga viti 2004 në Kosovë, po i vazhdon projektet e saj për të përkrahur popullin e Kosovës. Së fundmi TIKA, në fshatin Reqanë të komunës së Prizrenit në kuadër të projektit “Zhvillimi i Blegtorisë”, realizoi ndihmë për 100 familje në nevojë duke i dhuruar secilës nga një mëshqerrë dhe ushqim për këto kafshë që do t’u mjaftojë për një muaj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga TIKA në Kosovë bëhet e ditur se rreth 12 mijë qytetarë të komunitetit boshnjak në këtë rajon si burim kryesor për jetesë e kanë bujqësinë dhe blegtorinë. Sipas TIKA-s me këtë projekt po synohet eliminimi i uljes së numrit të qytetarëve të cilët merren me blegtori, si dhe kontribuimi në ekonominë e këtyre familjarëve.

Në ceremoninë e ndarjes së kafshëve morën pjesë ministri pa portofol Rasim Demiri, ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılçım Kılıç, këshilltari ligjor i TIKA-s, Mehmet Parlak si dhe koordinatori i TIKA-s në Kosovë, Necip Özay Özütok dhe drejtori i Bujqësisë së Komunës së Prizrenit, Pal Geci.

Gjatë fjalimit të tij, ministri pa portofol i Qeverisë së Kosovës, Rasim Demiri tha se Reqana është një vend i vështirë për bujqësi dhe blegtori dhe theksoi se ky projekt do të sjellë mbështetje të madhe për zhvillimin e këtyre fushave në vend. Duke folur edhe për projektet në fushën e arsimit nga TIKA, Demiri tha se “Në rajonin tonë nuk ka mbetur ndonjë shkollë që TIKA nuk ka zgjatur dorën e saj, jemi mirënjohës ndaj TIKA-s”.

Kurse ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kılıç gjatë fjalimit të saj tha se Turqia do të vazhdojë t’i mbështesë projektet e tilla të cilët sipas saj, përveç që forcojnë ekonominë e familjarëve. do të kontribuojnë edhe në zhvillimin e Kosovës.

“Qëllimi ynë është të japim mbështetje për vëllezërit tanë boshnjakë që jetojnë në këtë vend”, tha Kılıç.

Duke uruar që ky projekt të jetë i dobishëm, u realizua ndarja e mëshqerrave./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne