Kosovë, TIKA do të rinovojë konviktin “Sadik Stavileci” në Gjakovë

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) do të rinovojë konviktin studentor publik “Sadik Stavileci” në Gjakovë, qytet në pjesën perëndimore të Kosovës.

Në një noftim nga TIKA thuhet se, Drejtoria e Arsimit të Komunës së Gjakovës e cila administron këtë konvikt, ka kërkuar nga TIKA që ta bëjë rinovimin e konviktit.

Në konviktin “Sadik Stavileci” i cili është konvikti i vetëm publik në Gjakovë nuk mund të shfrytëzohet i tërë objekti për shkak të shkatërrimit dhe rrënimit të një pjese të madhe nga lufta e kaluar në Kosovë.

TIKA do të bëjë rinovimin dhe pritet që edhe të mobilojë këtë konvikt me qëllim që të shfrytëzohet i tërë objekti që përbëhet nga dy objekte për banim të studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme, pjesa administrative brenda konviktit, menza dhe salla e sporteve.

Ndërsa sot përdoret vetëm njëri objekt i cili ka kapacitetin e vetëm 16 dhomave ku përdoret për vajza dhe djem në mënyrë të përbashkët, në kate të ndryshme por në objekt të njëjtë.

Vitin e kaluar në këtë konvikt kanë banuar vetëm 68 nxënës kur dihet se pas rinovimit mund të ketë kapacitet më të madh që të pranojë një numër më të madh të studentëve./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne