Kosovë, ulet numri i aksidenteve të trafikut me pasoja fatale

Në Kosovë këtë vit është zvogëluar numri i aksidenteve të trafikut me pasoja fatale, krahasuar me vitin e kaluar, megjithatë akoma ka shumë punë për t’u bërë në drejtim të uljes së numrit të aksidenteve, u tha sot në takimin e parë të Këshillit të Sigurisë së Trafikut Rrugor.

Kreu i këtij këshilli, ministri për Infrastrukturën, Pal Lekaj , tha se përveç angazhimit në rritjen e sigurisë në trafik, këshilli angazhohet edhe me organizimin e fushatave të përhershme për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për sigurinë në trafik.

“Kreu i këshillit do të informojë për sigurinë në trafik në Kuvend të paktën një herë në vit. Këshilli mund të miratojë akte ligjore me qëllim të zbatimit të masave konkrete për rritjen e sigurisë në trafik”, tha Lekaj, për të shtuar se qeveria do të duhet të sigurojë financa për punën e këshillit dhe angazhimin e ekspertëve të jashtëm.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, vlerësoi se siguria në trafik është një sfidë e madhe dhe se është pjesë e axhendës reformuese në rrugën e integrimeve evropiane.

“Në procesin e integrimit evropian, siguria në komunikacion është njëra ndër masat e buta që ne duhet t’i raportojmë në komunitete të ndryshme. Por po ashtu është e përfshirë në agjendën evropiane të reformave ERA. Konsideroj se me të vërtetë është një nismë të qëlluar”, tha ajo.

“Qëllimi kryesor i punës së këtij këshilli është të përmirësojë sigurinë në rrugë, për çka synimi ynë është të zvogëlojmë aksidentet me 20 për qind krahasuar me vitin e kaluar, ose me vitin referues që është viti 2014. Marrë situatën aktuale në trafik, këtë iniciativë e konsideroj të mirë, por nevojitet një angazhim shumë më i fortë ndërinstitucional, për të parandaluar aksidentet dhe për të ulur nivelin e lartë të aksidenteve”, tha Hoxha.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ali Berisha, nga ana e tij tha se shërbimet shëndetësore po punojnë për të minimalizuar pasojat nga aksidentet, megjithatë vuri në dukje se shpeshherë nuk mund të arrijnë në vendin e aksidentit, për çka është planifikuar të sigurohet një helikopter emergjence.

Zëvendësministri i Brendshëm, Isa Qemajlaj, tha se numri i aksidenteve me pasoja fatale këtë vit është më i ulët në krahasim me vitin paraprak, por shtoi se numri i viktimave nuk pasqyron numrin e njerëzve të vrarë në rrugë.

Të dhënat e policisë së Kosovës flasin se në tetë muajt e parë të këtij viti, kanë humbur jetën 82 persona.

Sipas kësaj, rezulton që mesatarisht çdo tre ditë një person humb jetën e tij si rezultat i aksidenteve të trafikut.

Sipas Këshillit të Sigurisë së Trafikut Rrugor, ndërmjet 1 janarit dhe 31 gushtit 2018, në Kosovë kanë ndodhur 63 aksidente fatale, ku si pasojë kanë vdekur 82 persona, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur 76 aksidente me 85 viktima njerëzore.

Së fundmi Policia e Kosovës ka filluar me zbatimin e projektit “Lëvizje e Sigurt në Trafik”, e cila përfshin patrullime në automjet civil dhe njësitin e policisë që punon me dron.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne