Kotzias: Të qëndrojmë në NATO dhe BE të vetëm në rajon, nuk është në interes tonin

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe homologu i tij grek, Nikos Kotzias, në konferencën e përbashkët për media të mbajtur në Shkup, deklaruan se “këto dy vende fqinje duhet të vazhdojnë me ndërtimin e masave të besimit dhe zgjidhjes së problemeve në interes të qytetarëve të tyre”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrat e dy vendeve theksuan se sot kanë biseduar për dallimet rreth emrit, por në veçanti për procesin për zhvillimin e besimit, përfshirë interesat dhe shqetësimet e të dyja palëve. Dimitrov tha se nga pala greke pret dhe shpreson në ndihmën dhe mbështetjen e integrimeve evropiane të Maqedonisë, dhe se Greqinë duan ta shohin si mik dhe aleat të ardhshëm, pa mos përdorur dinakëri.

Në pyetjen e gazetarëve rreth zgjidhjes së simboleve të Aleksandrit të Madh dhe se a do të ndryshohet emri i aeroportit të Shkupit dhe rrugëve me këtë emër, shefi i diplomacisë maqedonase u përgjigj se “Ne nuk jemi të lumtur kur harta të mëdha të dikujt futen në Maqedoni dhe duhet të kuptojmë se edhe Greqia nuk është e lumtur kur ne ose dikush luan me harta të mëdha”.

“Ne mendojmë se jo vetëm si qeveri, por edhe në përgjithësi si shoqëri, çështja e vetme e madhe që shohim dhe për të cilën po përgatitemi është Evropa e madhe. Mendoj se nuk është mënyrë e mençur të krijojmë politika të brendshme, madje edhe të jashtme për figurat historike të para dy mijë viteve. Ne jemi një komb që mësoi shumë viteve të fundit. Jemi të vetëdijshëm se historinë nuk mund ta ndryshojmë, atë që mund të bëjmë është të ndryshojmë të tashmen dhe të hapim të ardhmen tonë”, deklaroi Dimitrov.

Dimitrov theksoi se popujt e të dyja vendeve fqinje do të jetojnë shumë më të lumtur nëse kanë ura dhe dyer të hapura. Ai shtoi se nuk mund të thotë asgjë në lidhje me ndonjë plan konkret në kontekst të simboleve dhe statujave.

“Mendoj se nuk është e arsyeshme të njoftoj çfarë saktësisht dhe si do të jetë politika jonë. Megjithatë, në çdo rast do të lëvizë në këto korniza, detyrimet ndërkombëtare. Po përgatitemi drejt Evropës së madhe, nuk duam diçka tjetër dhe mendoj se kjo është formulë e vetme për një Ballkan të lumtur dhe të suksesshëm”, u shpreh ai.

Ndërkaq, ministri grek Kotzias tha se “Greqia mbështet dhe do të vazhdojë të mbështesë me të gjitha forcat e saj stabilitetin dhe sovranitetin e këtij vendi verior miqësor, pasi që stabiliteti i këtij vendi e ushqen stabilitetin e Greqisë, ndërsa zhvillimi i Greqisë e ushqen edhe zhvillimin dhe stabilitetin e Maqedonisë”.

“Greqia e mbështet rrugën euro-atlantike të të gjithë Ballkanit. Të gjitha këto vende mbeten kandidate në Samitin në Selanik kur Greqia udhëhiqte me NATO-n. Prandaj, nuk ka nevojë të dëshmojmë guxim, sepse ajo nuk është element i politikës tonë. Nuk e bëjmë për të tjerët, por e bëjmë se e konsiderojmë të saktë dhe korrekte për Evropën dhe për të ardhmen e vendit tonë. Ne qëndrojmë në NATO dhe BE të vetëm në këtë rajon. Kjo nuk është as në interes tonin, sepse nga vendet tjera na vënë në një pozitë më të largët”, deklaroi Kotzias.

Sa i përket anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, Kotzias tha se “Ekzistojnë vendimet nga Bukureshti dhe me realizimin e atyre vendimeve ky vend do të bëhet anëtar i NATO-s”, duke shtuar se nuk varet nga Greqia se si do të realizohen ato vendime, por varet nga ata që duhet të vendosin.

“Ne duam që fqiu ynë verior të jetë edhe në NATO, edhe në BE. Mirëpo, për të arritur deri aty do të duhet të ecet sipas rregullave dhe parakushteve për të ardhur në BE dhe NATO”, u shpreh Kotzias, duke shtuar se në shtetin që viziton sot ka lidership evropian, qeveri evropiane dhe perspektivë evropiane.

Kotzias qëndron për vizitë zyrtare njëditore në Maqedoni. Ai pas takimit me homologun e tij maqedonas, do të pritet nga presidenti Gjorge Ivanov, kryeministri Zoran Zaev, kryeparlamentari Talat Xhaferi, zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmani, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, si dhe me përfaqësues të partive tjera politike të përfaqësuara në Kuvend./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne