KQZ shkel ligjin, nuk dërgon në prokurori listat për deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dërguar ende në Prokurorinë e Përgjithshme listën e deputetëve të propozuar nga subjektet politike, me qëllim verifikimin e pastërtisë së figurës së atyre që nesër do të ulen në karriget e nderuara të parlamentit.

Ky lajm konfirmohet për Opinion.al nga burime brenda organit të Prokurorisë, ç’ka është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi dhe mund të rrezikojë një tjetër parlament me përmbajtje elementësh me precedentë kriminalë, siç ishte edhe sesioni parlamentar që u mbyll, ku një pjesë e mirë e deputetëve lanë ose i larguan për shkak të së shkuarës së tyre të errët.

Ndërkohë që përflitet se në këtë listë janë të paktën 31 kandidatë për deputetë që kanë rekorde penale, por që gjithsesi mbetet Prokuroria ajo që do të vendosë për pastërtinë ose jo të figurës së tyre. Ndërkohë që ditën e djeshme Komisioni Qendror Zgjedhor rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për ti hequr mandatin deputetit Tom Doshi, i vënë në hetim si subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Ç’ka i jep mundësi Doshit të rikandidojë si deputet në zgjedhjet e 25 qershorit në siglën e Partisë Social Demokrate të Skënder Gjinushit.

Dy standarde të vendosura nga KQZ që kompromentojnë punën e saj, ku në njërën anë nuk dërgon në Prokurori për verifikim listat e kandidatëve për deputetë dhe në krahun tjetër i ndalon Prokurorisë të hetojë një subjekt të dyshuar si i prekur nga ligji i Dekriminalizimit, duke i dhënë mundësinë kësisoj të jetë sërish në Parlament.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne