KQZ: Të shqetësuar për incidentet në fushatë elektorale

Kryetari i KQZ, Klement Zguri shprehu shqetësimin e këtij institucioni për disa incidente të regjistruara gjatë fushatës elektorale.

“Shpreh shqetësimin tim të thellë lidhur me disa incidente të bëra publike në media, gjatë fushatës zgjedhore. Kjo fushatë në tërësinë e saj ka pasur një klimë të qetë dhe besoj se këto raste do të mbeten të izoluara”, tha ai.

Kreu i KQZ u bëri thirrje të gjithë simpatizantëve të partive politike për t’udistancuar nga çdo veprim i dhunshëm që bie ndesh më të drejtat dhe liritë e individit dhe kuadrin ligjor për zgjedhjet në veçanti.

Ai tha se është detyrë thelbësore e çdo subjekti zgjedhor dhe agjencive ligjzbatuese, të cilët jo vetëm duhet të mos përfshihen politikisht në fushatë, por duhet të veprojnë me transparencë për zbardhjen e plotë të çdo incidenti.

“Zbardhja e plotë, e shpejtë dhe me transparencë e çdo incidenti, do të nxirrte në pah të vërtetën e do të shmangte çdo keqpërdorim të tyre”, deklaroi Zguri.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka denoncuar publikisht deri tani të paktën 2 raste të dhunimit të militantëve të saj. Sipas LSI, autorët janë mbështetës të PS dhe grupe kriminale të lidhura me të.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne