nga Dr. Daniele Ganser.

Është një keqkuptim i zakonshëm kur mendon se demokracitë nuk nisin luftëra agresioni apo të kryejnë sulme terroriste. Faktet historike për periudhën 1945 deri më sot tregojnë një realitet krejt tjetër: shpesh herë, shtetet demokratike të Evropës dhe Amerikës së Veriut kanë marrë pjesë në agresione dhe sulme terroriste përgjatë 70 viteve të fundit.

Ka kaq shumë raste sa që unë nuk jam në gjendje ti listoj të gjitha këtu. Si shembuj, kam përzgjedhur vetëm tre ngjarje nga dekada të ndryshme:

-Sulmi i paligjshëm nga demokracitë evropiane, Britania dhe Franca, ndaj Egjiptit në vitin 1956;
-Sulmi terrorist nga Franca demokratike kunder Rainbow Warrior, një anije e organizatës mjedisore Greenpeace në vitin 1985;
-Sulmi i paligjshëm i Presidentit të SHBA-së Donald Trump në Siri në 7 prill 2017.

Për shkaqe mediatike, as demokracitë evropiane dhe as ato amerikane, nuk i adresohen hapur dhe ti kritikojnë këto krime si dhe për shkak se politikanët përgjegjës nuk janë dënuar nga ndonjë gjykatë. Një keqkuptim kokëfortë i cili qarkullon në popullatat e këtyre shteteve agresore pretendon se demokracitë asnjëherë nuk nisin luftëra dhe gjithashtu asnjëherë nuk e përdorin terrorin si një instrument politik.

Por tre shembujt e përmendur tregojnë qartësisht se:

Demokracitë, anëtare të aleancës ushtarake të NATO-s dhe me një fuqi të vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të mbrojtur veten e tyre nga dënimet, kanë sulmuar në mënyrë të përsëritur vendet e tjera.

Kjo është e paligjshme. Karta e OKB-së e vitit 1945, neni 2 (4), qartësisht thotë:

Të gjithë anëtarët duhet të përmbahen në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Karta e lejon përdorimin e forcës vetëm nëse një shtet i sulmuar mbrohet ose nëse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miraton sulme ushtarake. Në të gjitha rastet e tjera, OKB e ndalon luftën. Sulmet terroriste janë gjithmonë të ndaluara.

Sulmi mbi Egjiptin në vitin 1956

Egjipti është një vend strategjikisht i rëndësishëm për shkak të Kanalit të Suezit prej 160 kilometrash, i hapur më 1869. Ai luan një rol bazik në furnizimin e Evropës me naftë bruto. Kanali lidh Mesdheun me Detin e Kuq dhe i shpëton anijet nga Gjiri Persik për në Europë nga rruga përreth Afrikës. Sot, kanali gjendet i mbushur çdo ditë nga anije që sjellin naftë dhe gaz natyror të lëngshëm për tregun evropian.

Për Gamal Abdel Nasserin, i cili drejtoi Egjiptin si president në vitet 50, Kanali i Suezit ishte një simbol i urryer i kolonializmit evropian, sepse kanali i ngushtë që kalonte nëpër shkretëtirën egjiptiane ishte ndërtuar nga francezët dhe më pas ishte privatizuar nga kompania Suez Canal Company, e zotëruar bashkërisht nga Franca dhe fuqia koloniale, Britania e Madhe.

Nasser ndoqi një politikë nacionaliste të neutralitetit në Luftën e Ftohtë dhe kultivoi bashkëpunimin me Indinë dhe Jugosllavinë, të cilët ai i admironte për mos përshirjen e tyre. Për të penguar Egjiptin që të mos binte në sferën e ndikimit të Bashkimit Sovjetik komunist, amerikanët dhe britanikët, së bashku me Bankën Botërore, në vitin 1955 i premtuan Egjiptit një hua për ndërtimin e një dige masive në Nil pranë Aswanit. Diga do ti lejonte Nasserit të rregullonte masat ujore të Nilit gjatë përmbytjeve vjetore, për qëllime bujqësore dhe prodhimin e energjisë së rinovueshme për industrializimin e Egjiptit.

Por në korrik të vitit 1956, Presidenti i SHBA-së Dwight Eisenhower ndryshoi mendje. Pas konsultimit me Londrën dhe Bankën Botërore, ai tha se Egjipti nuk ishte i besueshëm sepse Nasser njohu Republikën Popullore të Kinës dhe publikisht kishte deklaruar se donte ta shkatërronte Izraelin. Nasseri u tërbua dhe vendosi që tarifat e tranzitit të naftës nga Kanali i Suezit tani do nevojiteshin për të financuar ndërtimin e digës së planifikuar të Aswanit. Prandaj, më 26 korrik 1956 ai nacionalizoi kompaninë e kanalit të Suezit, dhe e tmerroi Francën dhe Britaninë.

Kryeministri britanik Anthony Eden u trondit dhe pati frikë se sovjetikët do të shtrinin sferën e tyre të ndikimit. Në prill të vitit 1956, pak përpara nacionalizimit të Kanalit të Suezit, Edeni paralajmëron udhëheqësin sovjetik Nikita Hrushov me fjalë të qarta:

“Për sa kohë që nafta është shqetesim i yni, me duhet ta them troç – ne do të luftojmë për të … nuk mund të jetojmë pa naftë dhe … nuk kemi ndërmend të vdesim”.

Pas shtetëzimit, Sekretari i Shtetit John Foster Dulles këmbënguli gjithashtu para ministrave të jashtëm britanikë dhe francezë se “duhej gjetur një rrugë për ta bërë Nasserin që ta dorëzonte” kanalin.

Britania vendosi të përdorë forcat ushtarake për të luftuar për kanalin dhe për të pasur akses tek nafta e Lindjes së Mesme. “E vërteta është se ne jemi kapur nga një dilemë e tmerrshme”, theksoi Kryeministri britanik Harold Macmillan në ditarin e tij:

“Nëse ndërmarrim një veprim të fortë kundër Egjiptit, si rezultat do kemi mbylljen e kanalit, ndërprejen e tubacioneve të naftës nga Levanti, revoltimin e Gjirit Persik dhe ndaljen e prodhimit të naftës, atëherë Mbreteria e Bashkuar dhe Evropa Perëndimore e gjetën.”

Por “nëse e vuajmë një humbje diplomatike; nëse Nasseri largohet me të”, dhe vendet e Lindjes së Mesme në këtë moment kërkojnë ‘shtetëzimin e naftës’ … ne përsëri kemi për ta gjetur. Çfarë duhet të bëjmë atëherë? Duket qartë që ne duhet të merremi me rastin e vetëm që kemi, të ndërmarrim veprime të forta dhe të shpresojmë se me këtë do të kemi me vete edhe miqtë tanë në Lindjen e Mesme, armiqtë tanë të munden dhe nafta të shpëtohet, por ky është një vendim i jashtëzakonshëm”.

Si pjesë e një komploti, një marrëveshje sekrete midis dy ose më shumë njerëzve për të arritur një qëllim të përbashkët filloi. Përfaqësues të lartë të Britanisë, Francës dhe Izraelit u takuan në një vilë në Sèvres, afër Parisit midis 22-24 tetorit 1956 për të planifikuar operacionin top-sekret Musketeer.

Delegacioni britanik u drejtua nga Ministri i Jashtëm Selwyn Lloyd, ai francez nga Kryeministri Guy Mollet dhe izraelitët nga Kryeministri Ben Gurion. Komplotistët vendosën që Izraeli duhet të sulmonte Egjiptin dhe të përparonte ushtarakisht përmes Gadishullit Sinai, shumë pak i populluar, për në Kanalin e Suezit. Franca dhe Britania do t’i jepnin Nasserit një ultimatum të papranueshëm, duke krijuar kështu një justifikim për të pushtuar ushtarakisht Kanalin e Suezit. Qëllimi i aksionit ishte për të fituar kontrollin e kanalit, ndërsa Izraeli shpresonte që Nasseri të rrëzohej.

Sigurisht që lufta e planifikuar ishte e paligjshme, sepse ajo ishte në kundërshtim me ndalimin e dhunës nga Karta e OKB-së, por komplotuesit nuk deshin t’ia dinin për ligjin ndërkombëtar. Më 29 tetor 1956, ushtria izraelite sulmoi Egjiptin sipas planit dhe pushtoi gadishullin Sinai. Në këtë mënyrë Izraeli u bë vetë fajtor për krimin e agresionit.

SHBA-ja e kuptoi shpejt se kjo ishte një luftë agresioni e paligjshme dhe më 30 tetor thirri Këshillin e Sigurimit në një seancë të veçantë. Ambasadori amerikan Henry Lodge bëri thirrje për “ndërprerjen e menjëhershme të veprimeve ushtarake të Izraelit në Egjipt”. Ambasadori egjiptian, Omar Loutfi, e dënoi sulmin izraelit në vendin e tij me fjalë shumë të forta. “Trupat izraelite pushtuan territorin egjiptian në vende të ndryshme,” ky është një “veprim agresioni jashtëzakonisht i rrezikshëm”.

Ambasadori izraelit Abba Eban nuk e mohoi se ushtria izraelite kishte sulmuar Egjiptin, por theksoi se ishte një akt vetëmbrojtjeje. Ambasadori francez në OKB, ashtu siç edhe ishte rënë dakord, mbajti anën e Izraelit. “Imperializmi egjiptian” po përpiqet të kontrollojë zonën nga Atlantiku në Gjirin Persik dhe po synon “shkatërrimin e Izraelit”. Në kundërshtim me të gjitha obligimet ligjore, Egjipti gjithashtu kishte zaptuar një “rrugë ujore që është thelbësore për jetën e kombeve”.

Pastaj, ashtu siç kishin rënë dakord, Franca dhe Britania paraqitën ultimatumin e tyre të papranueshëm, ku kërkonin që forcat egjiptiane dhe ato izraelite të tërhiqeshin në një distancë prej dhjetë miljesh nga rruga ujore dhe të lejonin trupat britanike dhe franceze të kontrollonin pozicionet strategjike në Kanalin e Suezit. Duke pritur vetëm dymbëdhjetë orë për një përgjigje, ambasadori britanik Sir Pierson Dixon paralajmëroi se “forcat britanike dhe franceze do të ndërhynin me çfarëdo force që ishte e nevojshme për të siguruar pajtueshmërinë”.

Sigurisht që ky ultimatum ishte i papranueshëm për Egjiptin. Ai i shërbeu demokracive evropiane Francës dhe Britanisë si justifikim për të sulmuar Egjiptin. Kjo sigurisht që ishte e paligjshme, sepse ata nuk kishin një mandat nga Këshilli i Sigurimit. Komploti që ekzistonte para sulmit mes tre vendeve mbeti një sekret për atë kohë dhe u ekspozua nga historianët vetëm disa vite më vonë.

“Ne kemi bërë gjithçka që kemi mundur për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme”, protestoi ambasadori britanik Dixon. “Dhe nëse tensionet janë rritur, kjo vjen sepse fatkeqësisht as Izraeli dhe as fqinjët e tij arabë nuk janë treguar të aftë për të dëgjuar këshillat tona dhe të miqve tanë”, tha ai.

Ambasadori Dixon e përfundoi fjalimin e tij të urtë duke thënë:

“Unë besoj se shumica e anëtarëve të Këshillit do të pajtohen se veprimi që qeveria e Francës dhe qeveria e Madhërisë së saj kanë marrë janë në interesin e përgjithshëm dhe në interes të sigurisë dhe paqes”.

Shtetet e Bashkuara paraqitën një rezolutë në Këshillin e Sigurimit ku dënonin sulmin e Izraelit ndaj Egjiptit dhe bënin thirrje për tërheqjen e menjëhershme të forcave izraelite nga Egjipti. Por fuqitë e vetos, Francë dhe Britani e Madhe, votuan kundër rezolutës më 30 tetor 1956, e cila si rezultat dështoi. Këshilli i Sigurimit i OKB-së u bllokua plotësisht.

Të nesërmen, më 31 tetor, britanikët dhe francezët nisën të bombardonin aeroportet egjiptiane. Kjo ishte një luftë agresioni e paligjshme që shkelte Kartën e Kombeve të Bashkuara. Presidenti Nasser, i befasuar dhe i zemëruar nga sulmet, vendosi të ndërpresë rrjedhën e naftës në Evropë.

Në të njëjtën ditë që bombat britanike dhe franceze ranë në Egjipt, komandot egjiptiane mbytën me dhjetëra anije të mbushura me gurë dhe çimento në Kanalin e Suezit. Kjo e bllokoi transportin në kanal. Për shkak se inxhinierët sirianë në të njëjtën kohë sabotuan tubacionet e naftës përmes Sirisë sipas udhëzimeve të Nasserit, rrjedha e naftës nga Lindja e Mesme u ndal plotësisht në nëntor 1956, gjë që e shqetësoi shumë Evropën Perëndimore.

Anijet tankera bosh të naftës që largoheshin nga Evropa për në Kanalin e Suezit lundronin me frikë nëpër Mesdhe, ndërsa tankerat e ngarkuar plot me naftë prisnin pa lëvizur në Detin e Kuq. Askush nuk e dinte se kur Nasseri do ta hiqte bllokadën e kanalit. Brenda NATO-s po zhillohej një luftë e brendshme e nxehtë.

Presidenti amerikan Eisenhower ishte i zemëruar me aventurën e përbashkët koloniale britanike, franceze dhe izraelite. Komploti i tyre i parapërgatitur nuk ishte bërë i njohur për Uashingtonin. Ai refuzoi ta ndihmonte Evropën që ti jepte naftë nëpërmjet Atlantikut. Edhe Bashkimi Sovjetik, nën udhëheqjen e Nikita Hrushovit, i dha një ultimatum francezëve dhe britanikëve për të ndalur agresionin.

Kjo e vulosi humbjen e evropianëve. Më 6 nëntor, Franca dhe Britania e Madhe ndalën luftën dhe para krishtlindjeve të gjithë ushtarët britanikë dhe francezë u kthyen në shtëpi. Evropianët u poshtëruan dhe e humbën pozicionin e tyre dominues në rajon.

Nasser triumfoi sepse kishte arritur ta shndërrojë humbjen e tij ushtarake në një fitore politike mbi dy fuqitë kryesore evropiane. Anijet e fundosura nga Nasseri e mbajtën të bllokuar Kanalin e Suezit deri në pranverën e vitit 1957, pas së cilës u riparuan të gjitha dëmtimet dhe kanali ju rikthye trafikut normal. Forcat izraelite u tërhoqën nga gadishulli Sinai. Gjatë viteve të ardhshme, Nasseri ndërtoi Digën Aswan me ndihmën e mijëra inxhinierëve dhe arkitektëve sovjetikë. Projekti i prestigjit u përurua në vitin 1971.

Sulmi terrorist në anijen Greenpeace në vitin 1985

Kur një vend demokratik si Franca kryen sulme terroriste jashtë, ajo e bën këtë në fshehtësi dhe përpiqet që ti mbulojë gjurmët e veta. Për të kryer operacione të fshehta, demokracitë në Evropë dhe Amerikën e Veriut përdorin shërbimet e tyre të inteligjencës dhe njësitë speciale ushtarake, sepse ato monitorohen dobët nga parlamenti dhe mediat. Shumë veprime të tilla të fshehta asnjëherë nuk zbulohen ose mbeten të fshehta për vite me rradhë.

Shërbimi i zbulimit të huaj amerikan CIA është i njohur për keq në mbarë botën, sepse në vitin 1953, së bashku me shërbimin sekret britanik MI6, përmbysi qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të kryeministrit Mohammad Mossadegh në Iran; dhe në vitin 1973, gjithashtu përmbysi qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike nga Presidenti Salvador Allende në Kili. Sigurisht që të dy operacionet ishin të paligjshme.

Shërbimi francez i zbulimit është shumë më pak i njohur se CIA. Emri i tijj është Drejtoria e Përgjithshme e Sektorit të Jashtëm (DGSE) dhe e ka selinë në Paris. Detyrat e DGSE-së përbëhen nga spiunazhi dhe kundërzbulimi jashtë Francës. Ai përmban rreth 3,000 punonjës civilë dhe 1,500 punonjës ushtarakë që punojnë për këtë shërbim të inteligjencës. DGSE është në varësi të Ministrisë franceze të Mbrojtjes.

Franca është një fuqi bërthamore dhe ka testuar në mënyrë të përsëritur bomba bërthamore në Paqësorin e Jugut. Kjo shkaktoi protesta nga ambientalistët e OJQ-së Greenpeace. Më e famëkeqja e zonave franceze të testimeve bërthamore është Mururoa Atoll. Atje, nga viti 1966 deri në 1996, Franca shpërtheu në total 188 bomba atomike, nga të cilat 41 ishin në atmosferë dhe 147 nëntokësore. Vetëm në vitin 2000 francezët e lanë Mururoën. Atolli është sot një zonë e ndotur dhe e kufizuar, në të cilën ruhen shumë mbetje radioaktive.

Për të protestuar kundër këtyre testeve bërthamore, Greenpeace dërgoi anijen Rainbow Warrior në Paqësorin jugor. Kjo shkaktoi një ndjesi në mbarë botën dhe e mërziti presidentin socialist francez François Mitterand, sepse prania e Greenpeace pengonte vazhdimin e testeve bërthamore në Mururoa. Prandaj, demokracia franceze mori drejtimin për nga terrori dhe e mbyti anijen me një bombë.

Anija e Greenpeace ishte ankoruar në portin e Auckland, Zelandë e Re, kur u fundos pas mesnatës së 10 korrikut 1985 nga dy shpërthime. DGSE i vuri aksionit emrin “Opération Satanique”, dmth. “Operacioni Satanik”. Ky ishte qartazi një sulm terrorist kundër Greenpeace, i kryer nga shteti demokratik i Francës.

“E vërteta është se: Franca e organizoi këtë sulm … Mitterrandi dha urdhrin,” tha gazetari francez Edwy Plenel në gazetën Le Monde. Kërkimet e Plenel ndihmuan në zbulimin e operacionit të fshehtë dhe detyruan ministrin francez të mbrojtjes Charles Hernu të japë dorëheqjen (6).

Në gjithë këtë operacion u përfshinë dhjetëra agjentë të DGSE-së. Në fillim, jahti Ouvea solli eksplozivët në Zelandën e Re. Dy agjentë të DGSE-së, Dominique Prieur dhe Alain Marfart, të cilët mbërritën në Zelandën e Re me pasaporta të rreme si çift zviceran për të kaluar muajin e mjaltit, transportuan eksplozivët në errësirën e natës nga jahti në një kamion përmes portit dhe ja çuan një gomoneje me një ekuipazh prej tre agjentësh.

Agjenti i DGSE-së Gerard Royal e manovroi gomonen për tek anija e Greenpeace. 500 metra larg objektivit, skuadra e zhytësave të DGSE-së, Jean-Luc Kister dhe Jean Cammas notuan drejt anijes, dhe nën ujë lidhën dy mina me sahat së bashku eksplozivët në pjesën e poshtme të anijes. Pas shpërthimit të dy bombave, vrasësit u laruan menjëherë me gomone nga zona.

Bomba e parë shpërtheu në 23:48 dhe bëri që anija të zhytet. Peter Willcox, kapiten i Greenpeace dhe aktivist mjedisor, ishte në bord duke fjetur në shtratin e tij. Shpërthimi e zgjoi atë dhe ai se bashku me ekuipazhin e Greenpeace arriti që të largohej nga anija. “Anija u mbyt në 45 sekonda. Ne patëm probleme me daljen në kohë nga anija,” kujton më vonë Willcox.

Fotografi i Greenpeace Fernando Pereira donte të shpëtonte kamerën dhe imazhet që kishte bërë, por u bllokua në kabinën e tij nga nje bombë e dytë që shpërtheu në 23:51. Ai u mbyt. “Babain tim ma vranë,” thotë vajza e tij Marelle Pereira, e cila në atë kohë ishte tetë vjeç. Për kapitenin Peter Willcox ishte qartësisht një tentativë për vrasje (7).

Sigurisht që policia menjëherë e vuri re shpërthimin në portin e Auckland. Të dy agjentët, të maskuar si çift zviceran, u arrestuan nga policia lokale. Policia e Zelandës së Re i pyeti autoritetet zvicerane nëse pasaportat ishin të sakta. Autoritetet zvicerane deklaruan se ishin të falsifikuara. Dy agjentët e DGSE-së, Dominique Prieur dhe Alain Marfart, u dënuan me 10 vjet burg për vrasje.

Për historianë si unë, shkaterrimi i anijes Greenpeace Warrior është një fushë e diskutueshme kërkimi. A duhet t’i quajmë agjentët pjesëmarrës të DGSE-së terroristë? Nuk ka dyshim se ai ishte një sulm terrorist. Për shumë vite nuk dihej se kush qëndronte pas shpërthimeve dhe asnjë prej të përfshirëve ne sulmet me bomba nuk donte të fliste. Qartësimi i sulmeve terroriste nga historianët gjithmonë zgjat disa vite.

Sot ne e dimë të vërtetën. Agjenti i DGSE-së Jean-Luc Kister e theu heshtjen në vitin 2015, pikërisht 30 vjet pas sulmit. Ai tha për televizionin e Zelandës së Re:

“Ne nuk kishim ndërmend të vrisnim askënd … .Do të doja të përfitoj nga ky rast për të shprehur ngushëllimet dhe keqardhjet e mia më të thella për znj. Marelle Pereira dhe familjen e saj për vdekjen aksidentale të Fernando Pereiras. … Unë dua ti kërkoj falje edhe anëtarëve të Greenpeace që ishin në bordin e Warrior Rainbow. Dua ti kërkoj falje edhe popullit të Zelandës së Re për operacionin e padrejtë dhe klandestin të kryer në atë vend aleat, miqësor dhe paqësor. … ky ishte një urdhër i dhënë nga nivelet më të larta të qeverisë … Ne ishim ushtarë dhe duhej t’i bindeshim urdhrave. Tani jam në pension nga shërbimi aktiv dhe dua t’i bindem ndërgjegjes sime. . Ishte gabim. Ishte një vendim shumë i gabuar”(8).

Admirali Pierre Lacoste, drejtor i DGSE-së që nga viti 1982, ju desh të jepte dorëheqjen pas skandalit më 12 shtator 1985. Por presidenti François Mitterrand i mbijetoi aferës lidhur me anijen Rainbow Warrior. Ai kishte qenë në detyrë që nga viti 1981 dhe ishte një përkrahës i fortë i testimeve bërthamore franceze. Në vitin 1995 ai u pasua nga Presidenti Jacques Chirac. Mitterrand asnjëherë nuk pranoi se ai kishte urdhëruar sulmin terrorist.

Pyetja që mbetet është pse agjentët e DGSE-së ishin të gatshëm të sulmonin aktivistët e paarmatosur të Greenpeace dhe të zhytin anijen e tyre me dy bomba. “Na ishte thënë se Greenpeace ishte infiltruar nga KGB-ja. Ky ishte shpjegimi që na ishte dhënë”, kujton Jean-Luc Kister. Kjo siguri na sugjeronte se Moska po i luftonte testet bërthamore të Francës, gjë që nuk ishte aspak e vërtetë.

Sigursht që Franca mund ta kishte hedhur në erë anijen e Greenpeace në det të hapur. Ky do të ishte opsioni më i sigurt për DGSE-në, sepse do të ishte e vështirë të gjendej ndonjë gjurmë. Por pastaj ekuipazhi i Greenpeace do të kishte vdekur, dhe ata nuk donin këtë. Prandaj, anija u shpërthye në port. Me bombën e parë, DGSE donte të detyronte njerëzit që të largoheshin nga anija, me bombën e dytë donte që të fundoste anijen.

Për mua, si historian, fundosja e anijes Rainbow Warrior së Greenpeace nga inteligjenca franceze është padyshim një sulm terrorist. Megjithatë, agjentët e përfshirë nuk duan të quhen terroristë dhe të shmangin fjalën. “A nuk ishte ky akt terrorist?” Kur u pyet Jean-Luc Kister, ai u përgjigj:

“Për ne ky ishte një operacion sabotimi dhe asgjë më shumë”. Kisterit i vjen vërtet keq që një civil i pafajshëm u vra. “Gruaja ime ishte tronditur nga fakti se dikush vdiq në atë operacion, sepse para operacionit, ajo nuk e dinte se ku isha. Dhe disa vite më vonë, si edhe shumë të tjerë, u divorcuam.”(9).

Sulmi i paligjshëm në Siri 2017

Kur Donald Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë si president i ri në janar 2017, vëzhguesit kritikë pyesnin veten se sa kohë do ti duhej demokracise amerikane për të bombarduar një vend tjetër. Pikërisht në 7 prill 2017, ishte koha. Si komandant kryesor, Donald Trump sulmon Sirinë:

Dy anije luftarake amerikane në Mesdhe flakin 59 raketa kruizer Tomahawk të bëra nga kompania amerikane e armatimeve Raytheon në bazën ajrore ushtarake siriane al-Shayrat.

Armët amerikane të goditjes së parë i goditën objektivat e përcaktuar nga Shtëpia e Bardhë me një shpejtësi prej 800 kilometrash në orë dhe fluturuan mbi territorin sirian në një lartësi të vogël prej 15-100 metrave para goditjeve dhe shpërthimeve.

Ata që ende vazhdojnë të kapen pas idesë së gabuar që demokracitë evropiane ose amerikane nuk i sulmojnë shtetet sovrane, mohojnë historinë bashkëkohore. Paraardhësi i Trumpit, Presidenti Barak Obama, e pati filluar bombardimin e Sirisë në shtator 2014. Por si sulmet e Obamës edhe ato të Trumpit mbi Sirinë janë të paligjshme, sepse SHBA-ja nuk ka pasur asnjë mandat nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Siç u tha dhe u ilustrua në mënyrë të qartë në shumë shembuj të librit tim ‘Luftërat ilegale, karta e Kombeve të Bashkuara e lejon përdorimin e forcës vetëm nëse një shtet i sulmuar mbron veten ose Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miraton sulmet ushtarake. Nuk ishte asnjë rast i tillë. Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad nuk e kishte bombarduar SHBA-në, kështu që nuk kishte asnjë rast vetëmbrojtjeje. Edhe Këshilli i Sigurimit i OKB- së nuk i kishte dhënë as Presidentit Obama dhe as Presidentit Trump ndonjë një mandat për të bombarduar Sirinë (10).

“Është bërë e turpshme të jesh amerikan”, tha me keqardhje qytetari amerikan Paul Craig Roberts në pranverën e vitit 2017. “Trumpi e sulmoi Sirinë me forcat amerikane, duke u bërë në këtë mënyrë një kriminel lufte që në fillim të regjimit të tij”, ishin fjalët e qarta të Roberts-it.

I lindur në vitin 1939, Roberts personalisht ka qenë dëshmitar i shumë marrëveshje të ndryshme dhe ka shërbyer si ish kreu i politikës në Departamentin e Thesarit në kohën e Reaganit.

Roberts e di se Karta e OKB-së i ndalon luftërat e agresionit. Prandaj ai ka kritikuar Presidentin Bill Clinton për bombardimin e Serbisë në vitin 1999 pa një mandat nga OKB; Presidentin Xhorxh Bush Jr që sulmoi Irakun në vitin 2003, përsëri pa mandat nga OKB; Presidentin Barak Obama që bombardoi Sirinë në vitin 2014; dhe tani Trumpin,presidentin i ri që shkeli ligjin ndërkombëtar.

“Vendi ynë ka pasur katër presidentë kriminelë lufte me radhë,” tha Roberts njëherë gjatë një konkluzioni.

Për shkak se Rusia lufton në krah të ushtrisë siriane kundër milicisë terroriste ISIS në Siri, sulmi i Trump mbart rrezikun e një konfrontimi të drejtpërdrejtë midis fuqive bërthamore, SHBA dhe Rusi. Baza Shayrat, e sulmuar ilegalisht nga Trump, gjithashtu strehonte ushtarë rusë dhe pajisje ushtarake ruse.

Pak para sulmit, Uashingtoni e informoi ushtrinë ruse për ta siguruar që raketat amerikane Tomahawk nuk do vrisnin asnjë ushtar rus. Meqenëse sistemet e mbrojtjes ajrore ruse S-300 dhe S-400 janë të vendosura në Siri, konfrontimi i tërthortë midis fuqive bërthamore paraqet ende një rrezik të madh dhe ka ngjashmëri me krizën raketore të Kubës në vitin 1962.

“Është dëshpëruese se dëm i mëtejshëm ka për tu bërë ndaj marrëdhënieve tashmë të prishura midis Rusisë dhe SHBA- së”, paralajmëroi ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov. Ndërsa zëdhënësi i presidentit Putin Dmitri Peskov e dënoi ashpër “agresionin kundër një shteti sovran” dhe shkeljen e Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Dieter Deiseroth, një ish-gjykatës në Gjykatën Federale Administrative në Leipzig, Gjermani, gjithashtu e konsideroi sulmin e Trumpit në Siri shumë të rrezikshëm. Sulmi është i paligjshëm dhe shkel seriozisht integritetin territorial të nje shteti anëtar të OKB-së, Sirise”, theksoi Deiseroth. Sipas parimit të vetëmbrojtjes i të drejtës ndërkombëtare, Siria tani do të ketë të drejtën të mbrohet kundër sulmeve amerikane së bashku me aleatët e saj, Rusinë dhe Iranin.

“Siria ka pasur dhe ende e ka të drejtën e vetë-mbrojtjes individuale dhe kolektive kundër veprimeve të mëtejshme ushtarake amerikane të këtij lloji, dhe mund ti kërkojë gjithashtu aleatëve të vet, për shembull, Rusisë dhe Iranit, mbështetje ushtarake të ligjshme. Atëherë do të ishte një rreth vetë-mbrojtjes kolektiv i këtyre shteteve kundër SHBA-së”, tha Deiseroth.

Kjo ishte “një situatë mjaft e tensionuar”, sepse një konfrontim i drejtpërdrejtë midis fuqive bërthamore SHBA dhe Rusi do të kishte pasoja me ndikim më të gjerë.

Dy ditë para sulmit në Siri, ambasadorja e SHBA-së Nikki Haley njoftoi për aksionin e paligjshëm ushtarak të njëanshëm lidhur me një sulm gazi helmues në Khan Sheikhun në 4 prill 2017:

“Kur Kombet e Bashkuara vazhdimisht dështojnë në detyrën e tyre për të vepruar kolektivisht, ka raste në periudhat e shteteve kur ne jemi të detyruar të ndërmarrim veprimet tona”, paralajmëroi ajo.

Por asnjë nga 193 shtetet anëtare të OKB-së, përfshirë demokracinë amerikane, nuk e ka të drejtën për të filluar një luftë agresioni. Kushdo që qëndron prapa përdorimit burracak të gazit helmues: Ky krim nuk e justifikon një shkelje të së drejtës ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara, dhe ai duhet të zgjidhet. Të ngjashme janë edhe gënjeshtrat e luftës së Presidentit Xhorxh Bush Jr, i cili e arsyetoi luftën e tij të paligjshme të agresionit në Irak në vitin 2003 duke iu referuar armëve të shkatërrimit në masë.

Konkluzion

Është koha që qytetarët e demokracive të Evropës dhe Amerikës së Veriut të diskutojnë haptazi spiralen globale të dhunës në të cilën kemi hyrë aktualisht. Sigurisht që nuk janë vetëm demokracitë ato që po e nxisin këtë spirale të dhunës. Mua më duket e rëndësishme që ne të flasim hapur për pjesën perëndimore në këtë përshkallëzim.

Krimet e vendeve të NATO-s duhet të analizohen me ndershmëri, në mënyrë që pasojat e rrjedhura të mund të nxirren prej tyre. Sulmi i paligjshëm francez dhe britanik ndaj Egjiptit në vitin 1956, sulmi terrorist i paligjshëm i Francës kundër anijes Greenpeace më 1985 dhe sulmi amerikan i paligjshëm në Siri në vitin 2017, tregojnë qartë se demokracitë po e nxisin këtë spirale të dhunës.

Shpesh dikujt i vjen në mendje thënia: «Përse shikon qimen në syrin e vëllait tënd, dhe nuk e shikon traun para syrit tënd?»

Daniele Ganser është një historian zviceran i specializuar në historinë bashkëkohore dhe politikat ndërkombëtare që nga viti 1945. Interesat e tij kërkimore përfshijnë hulumtimet për paqe, gjeostrategjinë, luftërat e fshehta, luftërat për burime natyrore dhe politikat ekonomike. Ai drejton në Basel Institutin Zviceran për Paqe dhe Kërkimin e Energjisë. Ai është i njohur sidomos për hulumtimin e tij për ‘operacionin Gladio, ushtritë sekrete të NATO-s.’

burimi: blobalresearch/Gazeta Impakt

30