Kriteret për “Patriot”: Çmimi, afati i dorëzimit, transferimi i teknologjisë, prodhimi i përbashkët

Turqia njoftoi të premten se kriteret e saj për të blerë sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë çmimi, afati i dorëzimit, transferimi i teknologjisë dhe prodhimi i përbashkët.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hami Aksoy, vlerësoi rendin e ditës gjatë konferencës ditore për shtyp në Ankara.

I pyetur në lidhje me mundësinë e blerjes së sistemeve të mbrojtjes ajrore “Patriot” nga SHBA-ja, Hami Aksoy shpjegoi se Turqia e ka dorëzuar kërkesën e saj (për blerjen e këtyre) më se një vit më parë, ndërsa oferta e palës amerikane sapo ka mbërritur dhe është ende e re.

“Ne kemi një mangësi në lidhje me sistemin e mbrojtjes ajrore. Prandaj ne blemë nga Rusia sistemin ‘S-400’ për të plotësuar këtë nevojë. Ajo punë ka përfunduar dhe është mbyllur. Ndërsa kërkesa jonë për të blerë sistemin ‘Patriot’ vazhdonte ende. Tani bisedimet me SHBA-në po realizohen në këtë kontekst”, theksoi zëdhënësi i MPJ turke.

Aksoy vuri në pah gjithashtu se edhe Turqia ka disa kritere për të blerë raketat “Patriot”.

“Kriteret tona janë çmimi dhe afati i dorëzimit, por edhe më të rëndësishme janë ndoshta transferimi i teknologjisë dhe prodhimi i përbashkët. Këto bisedime do të vazhdojnë”, saktësoi ai./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne