Kriza e civilizimit perëndimor

Nga David BROOKS

Midis viteve 1935 dhe 1975, Will dhe Ariel Durant publikuan një seri volumesh që së bashku u njohën si “Historia e Civilizimit”. Në thelb, ata treguan historinë njerëzore (në pjesën më të madhe historinë e Perëndimit) si një grumbullim idesh dhe inovacionesh të mëdha, nga egjiptianët, përmes Athinës, Manja Karta, epoka e Besimit, Rilindja dhe deklarata e të Drejtave të Njeriut. Seria u shndërrua në fenomen suksesi, duke shitur mbi 2 milionë kopje.

Ajo seri solli narrativën e civilizimit perëndimor që njerëzit, të paktën në Europë dhe në Amerikën e Veriut kanë përdorur për të paktën shekujt e fundit, për të shpjeguar vendin e tyre në botë dhe në kohë. Kjo narrativë ishte besimplotë e progresive. Në të kishte disa figura të mëdha, si Sokrati, Erasmus, Monteskje apo Ruso, që ndihmuan me aftësinë e tyre drejtimin e kombeve drejt qasjeve ndaj idealit njerëzor.

Kjo narrativë e civilizimit perëndimor vinte me disa vlera të caktuara – rreth rëndësisë së diskutimeve të arsyeshme, rëndësinë e të drejtave të pronës, nevojën për një shesh publik që të ishte i mbushur me fenë, por që të mos dominohej nga autokratët. Vendosi një standard për atë sesi duhej të dukej lidershipi madhështor i një vendi. U dha njerëzve të ndryshëm ndjesinë e një misioni të përbashkët dhe një fjalor të përbashkët, vendosi kornizën brenda të cilit duhej të mbahej debati politik dhe më e rëndësishmja vendosi një set qëllimesh të përbashkëta.

Duke nisur nga disa dekada më parë, shumë njerëz sidomos në universitete, humbën besimin në narrativën e civilizimit perëndimor. Ata ndaluan së transmetuari tek studentët këto vlera dhe rripi i madh kulturor i transmetimit u thye. Tani shumë studentë, nëse ndeshen me të, mësojnë se civilizimi perëndimor është një histori shtypjeje.

Është e habitshme sesa efekte të zgjeruara mund të ketë e gjitha kjo. Ndodh sikundër një erë e fuqishme, që u jep shpejtësi të gjitha anijeve në det, të ndalë papritur së fryri. Tani, armiq të ndryshëm e të shpërndarë ndaj atyre vlerave perëndimore, kanë dalë në skenë dhe dukshëm, nuk ekziston askush që t’i mbrojë ato.

Pasoja e parë ka qenë rritja e jo-liberalëve, autoritaristëve që jo vetëm nuk besojnë tej vlerat demokratike të narrativës së civilizimit perëndimor, por madje, as pretendojnë se besojnë në to, ashtu si shtireshin diktatorët e së kaluarës.

Përgjatë pak viteve të fundit, sidomos, kemi hyrë në epokën e burrave të fuqishëm. Po e lëmë pas epokën e Obamës, Cameronit dhe Merkelit, dhe po hyjmë në atë të Putinit, el-Sisi, Xi Jinping, Kim Jong-un dhe Donald Trump.

Gjithnjë e më shumë qeveri, përfshirë administratën Trump, kanë nisur t’u përngjasin shteteve pre-moderne të mafias, të drejtuara nga klanet tregtare me bazë familjare. Ndërkohë, regjimet e institucionalizuara, të bazuara mbi partinë, si në Kinë apo Rusi po shndërrohen në kulte pre-moderne të personalitetit, apo regjime të liderëve supremë, që janë shumë më të paqëndrueshëm dhe të rrezikshëm.

Më pas vjen rënia e qendrës. Për dekada me radhë, partitë e qendrës së djathtë dhe ato të qendrës së majtë u grumbulluan rreth versioneve të ngjashme të kapitalizmit demokratik, ku dukej se synonte civilizimi perëndimor. Por shumë nga partitë centriste, si partitë laburiste britanike dhe holandeze, janë në prag të kolapsit. Partitë e ekstremeve janë në rritje.

Në Francë, kandidatja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen dhe kandidati i ekstremit të majtë, Jean-Luc Mélenchon mund të jenë dy garuesit që do të dalin në finale e balotazhit. Le Pen ka pikëpamje jo-liberale për pastërtinë e kombit. Mélenchon është një politikan që supozohet demokratik, por që e ka modeluar veten mbi figurën e Hugo Chávez.

Nëse ata përfundojnë në finale të presidencialeve, atëherë Bashkimi Europian dhe NATO, dy institucionet e mëdha liberale të Europës moderne, do të shkojnë në krizë të menjëhershme.

Së fundi, ka pasur rënie të vlerave liberale edhe brenda territorit amerikan. Në kampuset amerikane, keqbërës të vegjël që e quajnë veten studentë, bërtasin dhe shajnë folësit për çdo javë. Kampuset janë shndërruar në një botë të mungesës tronditëse të tolerancës.

Në Amerikë, përbërja themeltare e vetë-qeverisjes civile duket se po kalon erozionin e humbjes së besimit në idealet demokratike. Sipas një studimi të publikuar në “Gazetën e Demokracisë”, pjesa e të rinjve amerikanë që thonë se është absolutisht e rëndësishme të jetosh në një vend demokratik ka rënë nga 91 për qind në vitete 1930 në 57 për qind në ditët e sotme.

Ndërkohë që kandidonte për detyrën që mban sot, Donald Trump dhunoi çdo normë të një burri shteti, të ndërtuara përgjatë shumë shekujve, dhe doli se shumë njerëz nuk e vunë re ose nuk u interesuan fare për këtë gjë.

Besimi tek Perëndimi ka rënë nga përbrenda. Është e tmerrshme të shohësh sesa ngadalë njerëzit po ngrihen për ta mbrojtur.

Ka pasur në mbrojtje vetëm zëra të vetmuar. Andrew Michta ankohet për humbjen e besimit perëndimor në një ese “Interesi Amerikan”. Vetë liberalizmi ka qenë i butë në mbrojtjen e vetes.

Këto ditë, e gjithë ideja e civilizimit perëndimor po pranohet të jetë reaksionare dhe opresive. Gjithçka mund të them, është se nëse ju mendoni se ka qenë reaksionar dhe shtypës, prisni derisa të ndjeni tamam barrën e botës që vjen pas tij.

* David Brooks është kolumnist për “The New York Times”, që prej vitit 2003. Ai është autor i disa librave dhe jep mësim në universitetin e Jelit. Gjithashtu, është anëtar i Akademisë amerikane të Arteve dhe Shkencave./ tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne