Kriza e Katarit, turqit dhe arabët

Autor: Ibrahim Kalin – Zëdhënës dhe nënsekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Në javën e saj të tretë, kriza ndërmjet Katarit dhe disa vendeve të Gjirit vazhdon të mbetet e pandryshuar. Përpjekjet për të zgjidhur krizën ende duhet t’i japin fund ciklit të fushatave të shpifjeve dhe luftës për pushtet politik me pasoja serioze ekonomike dhe gjeopolitike. Kriza zbulon natyrën e brishtë të rendit rajonal në Gjirin Persik dhe të marrëdhënieve të tij të paqëndrueshme me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Katari refuzon akuzën për mbështetje të terrorizmit dhe kërkon dëshmi konkrete, ashtu si çdo vend që përballet me akuza të tilla. Kjo është një akuzë shumë e rëndë. Zyrtarët kataras e marrin seriozisht akuzën, por ende nuk u janë paraqitur prova të forta, të cilat e lidhin atë me ndonjë organizatë terroriste në rajonin e Gjirit, në Siri apo gjetkë. Katari më tej pohon se bllokada aktuale është e padrejtë, në kundërshtim me normat ndërkombëtare dhe shkelje e parimit të miqësisë dhe vëllazërisë mes kombeve myslimane.

Kjo është një kërkesë e drejtë nga ana e Dohas po të kemi parasysh mungesën e provave, të cilat mbështetin akuzën se Katari sponsorizon terrorizmin. Masat e marra kundër tij janë me të vërtetë joproporcionale dhe nuk kontribuojnë në zgjidhjen e krizës. Katari deklaroi se nuk do të mbajë bisedime derisa të hiqet bllokada. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe duhet ta marrin parasysh këtë thirrje dhe ta heqin bllokadën në mënyrë që të fillojë procesi i dialogut dhe i negociatave. Ndërkohë, Emir i Kuvajtit ka luajtur një rol të rëndësishëm në uljen e tensionit e në zgjidhjen e krizës dhe iniciativa e tij duhet të mbështetet. Turqia është e gatshme të ndihmojë.

Që nga fillimi i krizës, Presidenti Recep Tayyip Erdogan realizoi telefonata të shumta me krerët rajonalë për të shpërndarë tensionin dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore e miqësore për problemin në fjalë. Për të ndihmuar qytetarët e Katarit të prekur nga bllokada, Turqia dërgoi ndihma ushqimore si një gjest humanitar. Në të njëjtën kohë, Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë ratifikoi një marrëveshje të arritur më parë me Katarin për ndërtimin e një baze ushtarake në këtë shtet, qëllimi i të cilës është të kontribuojë në paqen dhe sigurinë e jo vetëm Katarit, por e të gjithë rajonit të Gjirit. Presidenti Erdogan deklaroi në disa raste se Kujdestari i Dy Xhamive të Shenjta, Salman bin Abdulaziz, mund të marrë përsipër dhe të luajë një rol special për zgjidhjen e kësaj krize si udhëheqësi i shtetit më të fuqishëm të Gjirit. Duke mbajtur këtë qëndrim, Turqia nuk ka ndërmend të ndërhyjë në çështjet e brendshme të ndonjë vendi. Pavarësisht pretendimeve të disa propagandistëve, që kërkojnë të përfitojnë nga kriza për të dëmtuar marrëdhëniet turko-arabe, gjithçka Turqia dëshiron të shohë është një zgjidhje paqësore e kësaj krize.

Ajo çfarë nevojitet tani është një veprim kolektiv dhe i koordinuar në përputhje me frymën e unitetit dhe vëllazërisë, sidomos në një kohë kur lufta siriane vazhdon me pasoja katastrofike politike dhe humanitare, tensionet sektare janë të larta dhe terrorizmi nuk njeh kufij kombëtarë. Të gjitha palët duhet të punojnë për arritjen e këtij qëllimi dhe të lënë mënjanë dallimet e vogla dhe motivet e mëvonshme.

Por deri tani duhet të ishte e qartë se kjo krizë e fundit është shumë më tepër sesa akuzë për terrorizëm. Ajo po ashtu ka të bëjë me mënyrën sesi t’u bësh ballë lëvizjeve politike islame si Vëllazëria Myslimane dhe Hamasi. Vëllazëria Myslimane e hodhi poshtë terrorizmin shumë kohë më parë dhe distancohet sot nga çdo grup që i drejtohet dhunës – madje dhe prej atyre që në fillim kanë pasur lidhje me Vëllazërinë. Në Egjipt, ku presidenca e Muhammed Morsi u rrëzua brutalisht me një grusht shteti ushtarak të udhëhequr nga Gjenerali Abdel Fattah el-Sissi, Vëllazëria nuk iu drejtua dhunës. Mijëra anëtarë të tyre u vranë dhe shumë të tjerë u burgosën. Udhëheqësi i saj është në burg prej gati 4 vitesh. Pavarësisht gjithë kësaj, Vëllazëria Myslimane nuk e ka përdorur dhunën si një mjet politik. Shtytja e Vëllazërisë nëntokë (në ilegalitet – shën. i përkth.) do t’u shërbejë vetëm ekstremistëve të dhunshëm.

Sa i përket Hamasit, të gjithë në botën arabe e shohin atë si pjesë të luftës palestineze për pavarësi. Akuzimi i Hamasit për terrorizëm tani, nëse ka një qëllim të tillë, nuk ka asnjë kuptim. Hamasi është pjesë përbërëse e shoqërisë palestineze dhe e lëvizjes së saj për t’i dhënë fund okupimit izraelit. As fakti që Doha është selia e Byrosë së Hamasit nuk mund të përmendet si provë e lidhjeve terroriste të Katarit, sepse zhvendosja e zyrës nga Damasku në Doha është koordinuar disa vite më parë me të gjithë aktorët kryesorë të rajonit.

Ndërkohë që këto dinamika vazhdojnë të lëvizin, ka disa që duan të përfitojnë nga kjo krizë me synim që të mbjellin fara të reja trazirash (fitnah) dhe armiqësie ndërmjet turqve dhe arabëve. Kjo është një lojë e vjetër dhe duhet të refuzohet nga të gjithë. Pretendimi shekullor se arabët i kanë ngulur Perandorisë Osmane thikën pas shpine, i ka mbajtur turqit dhe arabët të ndarë dhe larg nga njëri-tjetri për dekada të tëra. Në të njëjtën mënyrë, pretendimi se turqit në Republikën e tyre të re i kthyen shpinën botës arabe dhe asaj myslimane ngjalli dyshime të thella mes masave të arabëve rreth marrëdhënieve të Turqisë me botën arabe.

Por ky mit i tradhtisë së ndërsjellë është shkatërruar në dekadën e fundit nën udhëheqjen e Presidentit Erdogan. Turqit dhe arabët janë vëllezër, motra, miq e aleatë, fqinjë e partnerë dhe duhet të punojnë së bashku për një të ardhme më të sigurt dhe më të ndritur të botës arabe dhe islame. Divergjencat (mospërputhjet në mendime – shën. i përkth.) nuk duhet të jenë kurrë një shkak për rrethe vicioze të akuzave, mosbesimit dhe fushatave të shpifjes. Ata, që përpiqen të krijojnë armiqësi ndërmjet turqve dhe arabëve, nuk u shërbejnë veçse interesave të tyre të ngushta. Luftërat mediatike s’janë në dobi të askujt. Ne të gjithë duhet të jemi vigjilentë ndaj çdo tentative për të humbur burimet tona intelektuale dhe politike në rivalitete vetëmposhtëse dhe luftëra me prokurë. Në vend të kësaj, ne duhet t’i përqendrojmë energjitë tona në gjenerimin e mjediseve të fuqizimit reciprok dhe situatave të favorshme për të gjithë.

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne