Kriza Kurde

Kështu plani A dhe B dështoi, tani në radhë është plani (C), pra, Kurdistani irakian, qeveria e të cilit pranoi të jetë vatër destabiliteti në rajon dhe mbase më gjerë. Këtu, në zgjidhjen e kësaj krize do të përfshihen drejtpërdrejtë Turqia, Irani dhe Izraeli. Kjo krizë paralajmëron largimin e Turqisë nga NATO-ja dhe themelimin e një aleance të re të lindjes (Rusi-Turqi-Kinë dhe Iran), kundër Perëndimit.

Muhamed KAJOLLI

Kur ne dëgjojmë fjalën kurdë, kemi parasysh një popull të cilët jetojnë në një territor të madh gjeografik, të shtrirë në disa shtete. Territori i kurdistanit sot administrohet nga turqit, iranianët, irakianët, sirianët dhe një territor pak më i vogël administrohet nga armenët. Sipas kurdëve, rajoni më i madh i Kurdistanit përfshihet në tri shtete moderne, Turqi, Iran dhe Irak. Këto dy të fundit, Irani dhe Iraku e njohin territorin kurd, ndërsa Turqia dhe Siria nuk ia njohin territorin e tyre. Përveç kësaj, pakicat kurde jetojnë në rajone të tjera, si Armenia, Azerbajxhani dhe Siria verilindore.

Besoj se më shumë se sa ne shqiptarët, rrallë popull tjetër mund t’i kuptojë kurdët. Prandaj qasja e jonë ndaj tyre është pozitive që në start të zgjidhjes së problemit të tyre, përkundër interesave të fuqive rajonale dhe globale që qëndrojnë kundër tyre. Shqiptarët në esencë nuk kanë asnjë ndikim në zgjidhjen e problemit të tyre, me përjashtim të votës, nëse dikush dikur do ta kërkonte në OKB.

  

Origjina e fjalës

Gjuha kurde është pjesë e grupit të gjuhëve ariane që përfshin kurdët, persianët, pashtunët, taxhikët, shqiptarët dhe shumë gjuhë të tjera, të cilat përfaqësojnë një degë të familjes indo-evropiane të gjuhëve që rrjedhin nga gjuha sanskrite siriane. Fjala Kurdistan përbëhet nga dy pjesë: “Kurd” që përfaqëson popullin dhe “Stan” që do të thotë shtëpi ose vend. Rajoni ishte i njohur që në lashtësi si vendi i kurdëve. Në epokën e qytetërimit mesopotamian, rajoni ishte i njohur me shumë emra, kështu ishte edhe në kohën e dinastisë asiriane dhe sumere. Po ashtu edhe në periudhën greke, kurdët ishin regjistruar si të tillë nëpër pllakat e tyre. Babilonasit i njihnin me emrin e njejtë, si malsorët kurd, po kështu i njohën edhe arabët me të njëjtin emërtim.

Shtrirja tyre nëpër botë:

Turqi: Kurdët janë të përqendruar në 21 nga 90 krahinat e Turqisë, të vendosura në Turqinë lindore dhe juglindore, përkatësisht: Arzangan Erzurum Kars Malatije Tongli, Ilazig, Bengol, Mog, Agri, Betman, Ady Yaman, Diyarbakir, Sirte, Butlis, Arafa, Mardin, Hikari, Çarnak,  Gaziantep dhe Marash.  

Iran:  Kurdët më shumë janë të përqëndruar në Iranin Perëndimor nëpër krahinat:

Perëndimore të Azerbajxhanit në perëndim të Liqenit Urmia, rajonet e Maku, Kutur, Shahpur dhe në jug të liqenit në zonën e Mahabad. Buçan, Sardasht.

Kurdistan me kryeqendrën e saj Senna ose Sanandaj pastaj Sziz, Banha, Dahlgan, Bijar, Marivan.

Kermanshah dhe Shireen Rvancer Palac, Gunarod, Pa.

Elam. Kherand Gharb, Dahlran dhe Sankar.

Ndërsa kurdët lorë, jetojnë në:

Krahinën Loristan dhe Çahar Mahal Bakhtiari dhe Buir Ahmed.

Gjithashtu kurdët janë shtrirë edhe në zona e Khorasan, Fars, Kerman, Qum dhe Teheran.

Irak: Kurdët janë të përqendruar në zonat veriore dhe veri-lindore të shtetit të Irakut: Sulaymaniyah, Erbil, Kirkuk, Dohuk, Sinjar dhe Aqra provinca. Si edhe në zonat Hanakin dhe Mandali të provincës Dijala, ku ata janë ngjitur me kurdët e Iranit në perëndim të Maleve të Zagros, si dhe në rrethet Badra dhe Jassan të provincës Vasit (Mineristan).

Siri: Kurdët jetojnë në veri dhe veri-lindje, në kufi me kurdët në Turqi në ishullin Furatija (Al-Hasakah gujernorat), që këtu u përhapën nëpër zonat e (Al-Hasakah El-Kamishli, Malikja, Ras Al-Ain, Amouda, Haleb-Aleppo).

Armenia: Rreth kryeqytetit Jerevan dhe Nakhjan.

Azerbajxhan: Në rajonin e Kara Bagut.

Pjesa tjetër e Botës: Kurdët jetojnë jashtë këtyre vendeve, ka bashkësi kurde në ish-Bashkimin Sovjetik, sikur në Rusi, Taxhikistan, Gjeorgji, Pakistan, Afganistan, Beluçistan, Liban dhe shumë vende të tjera.

Gjeografia

Kurdët jetojnë në një rajon malor me kufij natyror, midis 34 ° dhe 39 ° dhe 37 ° dhe 46 °. Kufizohen me malet e Demi dhe Plateun e Sipërm midis Mesopotamisë, ishullit dhe Maleve të Ulta të Mardinës. Kurdistani është një vend malor që përfshin male dhe rrafshinë pjellore dhe ka rrjedhje të lumenjve të shumtë, ndër më kryesorët janë Tigër dhe Eufrat. Sipërfaqja e përgjithshme e Kurdistanit vlerësohet të jetë 409,650 km2. Nga të cilat 194.400 km 2 janë të vendosura në Turqi, 124950 km 2 në Iran dhe 72,000 km2 në Irak.

Kurdistani dhe Traktati i Lozanës

Traktati i Lozanës, i njohur edhe si “Traktati i Lozanës II”  i nënshkruar më 24 korrik 1923, ishte një traktat paqeje i nënshkruar në Lausanne, Zvicër, i cili kishte “vendosur” statusin e Anadollit dhe Trakisë Lindore (tani pjesa evropiane e Turqisë). Ishte nënshkruar nga Perandoria Osmane si rezultat i Luftës Turke të Pavarësisë, dhe forcave aleate të Luftës së Parë Botërore. Pjesmarrës të nënshkrimit ishin edhe Xhemijeti (Lëvizja Kombëtare Turke) i udhëhequr nga Mustafa Kemal Ataturk. Traktati çoi në njohjen ndërkombëtare të Republikës së Turqisë, e cila trashëgoi Perandorinë Osmane. Traktati përcaktoi kufijtë e disa vendeve si Greqia, Bullgaria, Turqia dhe Shami- Levanti.

Turqia pranoi të heq dorë nga ishujt e Dodekanezisë, Qipros, pastaj të Egjiptit, Sudanit, Irakut dhe Sirisë. Turqia gjithashtu i dorëzoi privilegjet e saj që kishte në Libi, të cilat u parashtruan në paragrafin 10 të Traktatit të Uçesë midis Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë së Italisë në vitin 1912 (paragrafi i plotë 22 i Traktatit të Lozanës 1923). Nga ana tjetër, kufiri me Sirinë është demarkuar, duke përfshirë aneksimin e territorit të madh sirian në Turqi që përfshin nga perëndimi në lindje të rajonit të qyteteve Mersinit, Tarsus, Cyliac, Adana, Entab, Kulas, Marash, Wurfa, Haran, Diar Bakr, Mardin, Naseebin dhe ishulli i Ibn Umerit. Këto zona njiheshin si territore të Siriasë veriore.

Vlen të përmendet se Traktati i Lozanës përcaktoi se Ankaraja merr përsipër që popujve që përbëjnë një numër të madh brenda popullsisë së Turqisë, t’i merr në mbrojtje dhe t’iu jep liritë e plota. Këtu përfshihet të gjithë, mirëpo, pa asnjë referencë ndaj kurdëve. Këta nuk u përfshinë as në Traktatit të Sevrit. Populli kurd ishte zhgënjyer nga nacionalistët e tyre të cilët nuk nxorën asnjë rezultat për zbatimin e ambicieve të tyre për të krijuar shtetin e tyre në Anadolin lindor.

Aktualiteti kurd

Mësuam se as Konferenca e Paqes në Paris, e as Traktati i Lozanës, kurdët nuk i përfshiu në tryezën e çështjes së tyre. Meqenëse tema jonë nuk janë problemet që sollën marrëveshjet ndërkombëtare, ne do t’i rikthehemi çështjes kurde të këtyre ditëve. Siç po shihet, vazhdon avazi i lojërave të shteteve të fuqishme globale, gjithmonë nën pretekstin e zgjidhjeve të problemeve me mjete “diplomatike”. Kështu e filluan edhe me Sirinë, mbështetën opozitën siriane, dhe pasi u derdh gjaku musliman rrëke, goditën me raketa këtë “opozitë” dhe tani problemi vazhdon aty ku u fillua (përafërsisht pa asnjë zgjidhje konkrete).

Duhet të jemi pragmatik, dhe duhet kuptuar lojërat e secilit shtet të cilët i mbrojnë interesat e popujve të tyre. Secili shtet, mundohet që sa ma larg territorit të vet t’i mbrojë  interesat e popullit të vet, sepse kështu është më pak i shqetësuar.  Mirëpo, në këtë rast kur udhëheqësit kurd, turq dhe arabë nuk ishin në gjendje t’i mbronin ose t’i zgjidhnin problemet e tyre në kohën e Luftës së Ftohtë, atëherë, tani do të duhet t’i mirëkuptojnë lojërat diplomatike të shteteve kundërshtare të tyre.

Heshtja e problemit të tyre për disa decenie, ose më saktë për një shekull, nuk duhet të fajësojë asnjë shtet të botës, bile as shtetet perëndimore, sepse fjalëtor janë vetë udhëheqësit e tyre. Mosmarrëveshjet dhe kaosi kishte mbretëruar në territorin ku të gjithë popujt i përkisnin një besimi (shumica dërmuese islame), ndërsa interesat e tyre do të duhej t’i kishin zgjidhur që moti, mirëpo, mos vullneti për t’i zgjidhur problemet e tyre dhe heshtja ndërkombëtare ka sjellë këtë situatë që perëndimorëve t’ua japin mundësinë edhe të palnin (C).

Territori kurd gjenden brenda kufijve të dy shteteve që janë përfshirë në luftë “civile” (Irak dhe Siri), dhe brenda dy shteteve të tjera që janë pretendente për fuqi rajonale në Lindjen e Mesme (Turqi dhe Iran). Për të siguruar projektin e tyre, perëndimorët arritën që të bindin kurdët të lëvizin drejt të drejtës së tyre legjitime. Dëshira për vetëvendosje është e drejtë e secilit popull në botë, dhe këtë po e bën edhe populli kurd, mirëpo, a është koha dhe fryma diplomatike në anën e tyre mbetet të shihet në ditët ose në vitet në vijim.

“Diplomacia në udhëkryq”

Referendumi i djeshëm i popullit kurd në Krahinën Autonome të Kudristanit në Irak, do të jetë ashtu siç pritej në favor të popullit kurd. Sot kemi prononcimin rreth tij të kryeministrit të Kurdistanit në Irak, N. Barzani i cili tha se referendumi mbi shkëputjen e territorit nga Iraku nuk ka dhe nuk do të jetë një kërcënim për Turqinë. Ndërsa, presidenti i Qeverisë Rajonale të Kurdistanit, Masud Barzani, tha se referendumi është një hap i negocimit për pavarësi me qeverinë qendrore në Bagdad.

Pas këtyre dy deklaratave, zëdhënësit e shteteve perëndimore, pastaj qeveria e Irakut, Iranit dhe Turqisë u vunë në lëvizje. Kryeministri i Irakut Haidar al-Abadi tha se qeveria qendrore në Bagdad nuk do të bisedojë me qeverinë rajonale të Kurdistanit, mbi rezultatin e referendumit mbi shkëputjen. Shtetet e Bashkuara, Britania, Turqia, Kina, Rusia dhe Kombet e Bashkuara shprehën mbështetjen e tyre për unitetin e Irakut, duke shprehur refuzimin dhe paralajmërimin për pasojat e referendumit mbi shkëputjen e rajonit të Kurdistanit të Irakut (mirëpo, me këto deklarata nuk pajtohen senatorë e parti të tjera politike brenda këtyre shteteve).

Pak më herët qeveria iraniane kërkoi nga Barzani që të tërhiqet nga referendumi, po kështu ngjashëm e paralajmëroi edhe qeveria turke. Të gjitha shtetet e implikuara me rajonin të paktën janë shprehur kundër këtij referendumi, me përjashtim të Izraelit i cili deri tani mbetet shteti i vetëm i cili e mbështetë fuqishëm këtë referendum.

Aktualiteti në Lindjen e Mesme

Gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA-të ishin fuqia numër një e ujërave të planetit, ndërsa Bashkimi Sovjetik konsiderohej fuqia tokësore numër një në botë. Pas mbarimit të kësaj Lufte më 1992, SHBA-të do të detyrohen të vendosnin trupat e tyre ushtarake shumë shpejt nëpër territoret e “zbrazëta”, të cilat më nuk kontrolloheshin nga Bashkimi Sovjetik. Me këtë hap, ajo do të tregojë se ishte fuqia e vetme në Planet. Mirëpo, jo çdo vend e priti me lule këtë forcë, shpejt doli kriza e Ballkanit (Jugosllavia 1991), pastaj, Lindja e Mesme, (Iraku 1991) dhe tani së fundmi edhe Korea veriore.

Derisa të bëhej vendosja në ish shtetet e Bllokut të Varshavës, Rusia u përqendrua në Serbinë e cila me të, tregoi se vazhdon të rezistojë me forcë për këtë territor, edhe pse shpejt u dorëzua. Ndërsa me hapjen e krizës së Irakut (1991), SHBA-të nuk e përmbyllën këtë plagë për shkak se u angazhuan në Ballkan. Me të “mbaruar” kjo krizë,  ajo do të rikthehet në Irak për “shërimin e plagëve”, mirëpo, tani gjendja gjeopolitike globale kishte ndryshuar. Rikthimi i SHBA-ve në Lindjen e Mesme (2003), ndodhi pasi ajo kishte vendosur trupat e saj në Afganistan në vitin 2001, mirëpo, ky rikthim mund të konsiderohet si i vonuar, sepse Rusia, nuk ishte më ajo e viteve nëntëdhjeta.  

SHBA-të për të mbaruar shpejt punë me regjimin e Sadam Hysenit, do të vendosë trupat e saj në Irakun verior (tek pozicionet e peshmergës kurde), dhe që aty, kuptohet edhe prej shteteve tjera fqinje do ta paralizojë shumë shpejt ushtrinë irakiane. Mirëpo, ushtria e cila kishte paralajmëruar se do të qëndronte me shekuj në këto territore, ajo shumë shpejt do të kërkojë mënyrën se si të tërhiqet nga ky shtet, sepse atje mbretëroi një kaos i vërtetë dhe  si rezultat i këtij destabiliteti të krijuar në rajon, ajo do të largojë ushtrinë më (30.08.2010).

Izraeli, shteti i cili ishte themeluar si rezultat i ambicieve dhe politikave afatgjata të perëndimore, do të rrezikojë sigurinë dhe qenien e saj, sikur kjo ushtri (perëndimore) të largohej përfundimisht nga rajoni. Dëshmitar i këtij rreziku ishte Pranvera Arabe Janar 2011, e cila bëri që në pushtet të vinin partitë me sfond Islam. Pasi u neutralizuan Vëllezërit Muslimanë në Egjipt, dhe u vendos administrata pro izraelite në këtë vend, perëndimi mëtoi të ndryshojë edhe regjimin e Sirisë.

Bashar Asadi ishte vërtetë një diktator, por ky konsiderohej më pak i dëmshëm për rajonin se sa vendosja e një regjimi që do t’i shërbente politikave të izraelit në rajon. Për më shumë se pesë vjet orvatje për ta rrëzuar regjimin e tij, ushtria e themeluar nga “xhihadistë muslimanë”, militantët vullnetarë ose mercenarë nga e gjithë bota, dështuan. Kështu plani A dhe B dështoi, tani në radhë është plani (C), pra, Kurdistani irakian, qeveria e të cilit pranoi të jetë vatër destabiliteti në rajon dhe mbase më gjerë. Këtu, në zgjidhjen e kësaj krize do të përfshihen drejtpërdrejtë Turqia, Irani dhe Izraeli. Kjo krizë paralajmëron largimin e Turqisë nga NATO-ja dhe themelimin e një aleance të re të lindjes (Rusi-Turqi-Kinë dhe Iran), kundër Perëndimit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne