nga Christopher Black.

Nënshkrimi i Tomos-it ose i shkresës së autoqefalisë për Kishën Ortodokse të sapokrijuar të Ukrainës nuk është vepër e kishës, por është vetëm se një akt politik që mund të ketë pasoja katastrofike për Ukrainën.

Kështu tha kreu i komitetit të çështjeve ndërkombëtare të Këshillit të Federatës Ruse Konstantin Kosachev të shtunën më 6 janar, ditën kur u lëshua dokumenti.

“Ky është një hap i ri drejt shkatërrimit të unitetit të ortodoksisë, pasojat e të cilit do të jenë katastrofike, para së gjithash për vetë Ukrainën dhe popullin e saj”.

Një nga krizat më të rënda në historinë e krishterimit që ndodhi në vitin 1054 ishte ndarja midis Kishës së përqendruar në Romë dhe Kishës së përqëndruar në Konstandinopojë, midis rajoneve perëndimore dhe lindore të Perandorisë së vjetër Romake. Sot, aleanca ushtarake e NATO-s dhe vasalët e saj në regjimin e Kievit kanë detyruar një ndarje të mëtejshme brenda Kishës Lindore ose Kishës Ortodokse Lindore duke ngritur një kishë të veçantë ortodokse në Ukrainë e cila hedh poshtë autoritetin e vjetër të Patriarkanës së Moskës, autoritative mbi kishat në Ukrainë.

Kjo nuk është vetëm një çështje anësore në botën e krishterë ose në politikat botërore. Është një element kyç i planit të NATO-s për të përdorur të gjitha format e luftës në të gjitha sferat e jetës për të zgjeruar ambicien e saj për shkatërrimin e fuqisë së Rusisë. Ai është projektuar për të nxitur armiqësi mes popujve sllavë, për të reduktuar prestigjin e Rusisë dhe reputacionin e Moskës si Roma e tretë, për të ndarë më tej popullin ukrainas kundër vetes dhe për të vështiresuar ndarjen artificiale midis popujve ukrainas dhe rusë. Por për të kuptuar ndarjen e re duhet të shqyrtojmë pak historinë.

Ndarja ose përçarja brenda kishës së krishterë ka shumë shkaqe të ndërlikuara të cilat as unë, as lexuesi nuk e kanë durimin që ti hyjnë. Disa nga shkaqet ishin teologjike, disa kulturore dhe të tjera politike. Për të shmangur mërzitjen, unë do të siguroj vetëm atë që është më thelbësore nga e kaluara për të kuptuar të tashmen.

Për shekuj me radhë perandorët në kontrollin e Perandorisë Romake Lindore të bazuar në Konstandinopojë, favorizuan epërsinë e Romës në çështjet e Kishës, sepse donin të ruanin universalitetin e Perandorisë dhe pretendimet e tyre ndaj Italisë. Ndarja e kishave në të dy pjesët e Perandorisë evoloi gradualisht gjatë shekujve dhe pasqyroi rivalitetin e gjatë mes Latinëve dhe Grekëve, midis Romës dhe Konstandinopojës. Por papët romakë vazhdimisht e zgjeronin kontrollin e tyre në të gjithë Evropën së bashku me fuqinë e tyre shpirtërore dhe autoritetin e Perandorisë. Romakët lindorë, të cilët e konsideronin perandorin e tyre si të barabartë me apostujt dhe besonin se çështjet e doktrinës së kishës mund të zgjidheshin vetëm nëpërmjet Frymës së Shenjtë duke folur nëpërmjet Këshillit Ekumenik, u tronditën nga zgjerimet e pushtetit të Papës në Romë, i cili për ta ishte i pari në mesin e të barabartëve të patriarkëve të kishës. Megjithatë ai akoma formulonte dogmën dhe kishte epërsinë shpirtërore dhe tokësore mbi të gjitha kishat dhe patriarkët e tjerë; sepse në Kishën e hershme dhe për një kohë të gjatë, autoriteti shpirtëror konsiderohej të mbahej në mënyrë të barabartë midis patriarkëve të Romës, Konstandinopojës, Aleksandrisë dhe Aleppos.

Ndarja më e madhe u zhvillua në vitin 1054, kur normanët sulmuan disa qytete në Italinë jugore, mundën një ushtri të dërguar për t’i ndaluar dhe kapën Papën romak, i cili ishte zemëruar që perandori në Konstandinopojë nuk i kishte ardhur për ta shpëtuar. Patriarku dhe Perandori në Konstandinopojë u përpoqën ti zbutenin gjërat, por situata u ndez për keq. Përfaqësuesit papnorë që vizituan Konstandinopojën me qëllim të zgjidhjes së mosmarrëveshjes, vetëm se i ndezën gjërat dhe e përfunduan misionin e tyre duke e çkishëruar patriarkun lindor, i cili në kundërpërgjigje i mallkoi.

Kjo vazhdimësi ngjarjesh rezultoi në ndarjen e kishave lindore dhe perëndimore. Nevoja për ndarje nuk ndodhi kurrë. Me shumë dashamirësi, më pak fanatizëm, keqkuptimet mund të ishin zgjidhur për të gjitha çështjet, por edhe si në rastin e sotëm, në atë kohë mbizotëroi e keqja. Megjithëse ndarja në vitin 1054 nuk ishte e plotë, sepse pati përpjekje në shekujt e 13-të dhe 15-të për ti bashkuar dy kishat dhe një përpjekje tjetër në vitin 1965 nga Këshilli Ekumenik, lëndimi nuk mundi të shërohej. Gjaku tani ka filluar të rrjedhë përsëri, por këtë herë brenda vetë kishës lindore dhe brenda kontekstit të një lufte të përgjithshme kërcënuese.

Kur turqit morën Konstandinopojën në vitin 1453, ata i lejuan të krishterët ortodoksë të mbeteshin të tillë. Ishte Mehmet Pushtuesi që duke u sjellë si perandor romak, përcaktoi patriarkun e ri për qytetin. Sot patriarku i Stambollit pretendon autoritet mbi kishat greke ortodokse të shpërndara në gjithë Evropën Perëndimore, Amerikat, Australi si dhe në kishat ortodokse lindore në Rusi, Ballkan, Greqi, Azi dhe Afrikë, megjithëse sot ka shumë pak pasues në Stambollin modern.

Ndërsa krishterimi përhapej më tej drejt lindjes, në fillim Kievi pastaj Moska, u bënë qendra të rëndësishme të Kishës Ortodokse dhe krijuan patriarkët e vet. Por, pjesërisht si pasojë e pushtimeve mongole dhe ngjarjeve të tjera të ndërlikuara, Moska mori një rol më autoritar dhe primar. Ajo mori miratimin e Patriarkanës së Konstandinopojës për vendosjen e patriarkanës së Moskës me autoritet mbi kishat lindore, përfshirë edhe Ukrainën në vitin 1686. Kjo ka qenë situata pak a shumë deri në ditët e sotme.

Por në 15 tetor 2018, Kisha Ortodokse Ruse njoftoi se do ti ndërpresë të gjitha marrëdhëniet me Patriarkun Ekumenik të Konstandinopojës, Bartholomeun, udhëheqësin e pretenduar të Ortodoksisë Lindore, pasi ai u pajtua më 11 tetor 2018, me kërkesën e kreut të Kievit, Poroshenkon dhe miqtë e tij të kishës së Kievit, për të dhënë dakortësinë për autoqefalinë, ose vetëqeverisje, për atë që ata e quajnë Kisha Ortodokse e Ukrainës. Qëllimi i vetëm ishte përpjekja për të ndarë ukrainasit nga ndikimi historik i Kishës Ortodokse Ruse dhe Rusisë.

Poroshenko, i cili së bashku me NATO-n e mbështeti këtë veprim, deklaroi se ky hap “më në fund i shpërndau iluzionet perandorake dhe fantazirat shoviniste të Moskës”.

Ukraina aktualisht ka tre dominime ortodokse, më i madhi i së cilave është Kisha Ortodokse e Ukrainës e Patriarkanës së Moskës. Kjo degë mbeti e varur nga Rusia pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe përmban më shumë se 12.000 famulli. Kjo është një e treta e të gjitha famullive qe gjenden nën kishën ortodokse ruse. Ukraina përmban disa nga ato më simboliket, si manastiri Pechersk Lavra në Kiev dhe varrezat e tij. Dy dominimet e tjera janë Kisha Ortodokse e Ukrainës e Patriarkanës së Kievit, me 4,800 famulli dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Ukrainës, me 1,000 famulli, gjë që e shton me shumë konfuzionin kur përpiqemi të kuptojmë atë që po ndodh.

Megjithatë, Rusia ka qenë prej kohësh e pakënaqur me statusin e Konstandinopojës si e para në mesin e të barabartëve dhe ka kërkuar të sfidojë dhe të prishë rolin e saj qëkur patriarkana e Moskës e sheh veten si bastionin dominues të Ortodoksisë Lindore. Vetëm Kisha Ortodokse Ruse ka më shumë se 150 milionë pasues, gjysma e ithtarëve të botës. Dy patriarkanat gjithashtu ndryshojnë në disa pika të doktrinës. Konstandinopoja kërkon afrimitet më shumë me Papën në Romë, ndërsa në anë tjetër numri i të krishterëve në Stamboll nuk mund të justifikojë pretendimin se kreu i të krishterëve të qytetit të jetë edhe kreu i Kishës Lindore.

Pas vendimit të Patriarkut Bartholomew, për të cilën ai ndoshta nuk e kishte autoritetin për ta bërë, Patriarku Filaret në Kiev deklaroi se do të thërriste një këshill të udhëheqësve të Kishës Ortodokse të Ukrainës për të zgjedhur një udhëheqës për këtë kishë të krijuar rishtazi në Ukrainë.

Ky veprim shënoi fillimin e themelimit të një kishe të pavarur në Ukrainë, jashtë kontrollit të Moskës dhe patriarkut të saj Kirill. Ky është gjithashtu një vendim për interesa vetjake, sepse shërben për të dobësuar Kishën Ortodokse Ruse dhe për të forcuar Kishën pothuajse të parëndësishme në Konstandinopojë që ka qenë prej kohësh nën ndikimin e fuqive të NATO-s dhe që i shërben interesave të tyre. Ai gjithashtu është projektuar për të shkatërruar Kishën Ortodokse të Ukrainës dhe për t’i detyruar njerëzit që të bashkohen me këtë kishë të re.

Kjo ka dimensione edhe më të gjera. Aleatët e Rusisë, Serbia dhe Bjellorusia, tashmë e kanë mbështetur Patriarkanën e Moskës dhe e kanë dënuar dhënien e autoqefalisë për Kishës Ortodokse të Ukrainës.

Ndarja e kishës mund të ketë pasoja të tjera dhe më të dhunshme që rrjedhin nga mosmarrëveshjet mbi vendet e shenjta, pasi që disa prej vendeve dhe kishave më të shenjta të Ukrainës do të pretendohen si nga kisha ruse ashtu edhe nga kisha e re e themeluar e Ukrainës. Patriarkana e Kievit ndërkohë ka bërë pretendimet e veta për manastirin e famshëm të shpellave të shekullit të 11-të në Kiev dhe manastirin e shenjtë në Poçayiv. Të dy vendet tani kontrollohen nga Kisha Ortodokse e Ukrainës e Patriarkanës së Moskës dhe mund të përballen me protesta dhe vandalizëm.

Poroshenko tha, “nëse shihni njerëz që bëjnë thirrje për zaptimin me forcë të Lavras ose të një manastiri ose të një kishe, ta dini se ata janë agjentët e Moskës. Qëllimi i Kremlinit është të ndezë një luftë fetare në Ukrainë.”

Vadym Novinskyi, një deputet i bllokut opozitar, ka parashikuar “luftë civile dhe përleshje për pronën” në çdo fshat dhe çdo qytet. ”

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov theksoi: “Nëse zhvillimet shpërthejnë në praktika abuzive, sigurisht që Rusia do të mbrojë interesat e të krishterëve ortodoksë, ashtu sikurse Rusia mbron interesat e rusëve etnikë dhe popullatës rusfolëse kudo”.

Tashmë janë raportuar probleme edhe gjatë periudhës së Krishtlindjeve.

Nga Tass është raportuar se, “me indinjatë dhe mosbesim të thellë ne duhet të informojmë publikun se më 9 dhjetor 2018, autoritetet ukrainase penguan kreun ekzistues të Donetskut dhe dioqezës së Marioupolit të Kishës Ortodokse të Ukrainës, Metropolitanin Hilarion, që të kalonte përmes pikës së kontrollit në Novotroitskoye, për të marrë pjesë në një takim të planifikuar lutjesh”.

Më 26 dhjetor Patriarku Kirill i Moskës dhe i gjithë Rusisë deklaroi: “Krijimi i një kishe autoqefale të re në Ukrainë dhe persekutimi i Kishës Ortodokse të Ukrainës (UOC) mund të ketë pasoja të rrezikshme për të gjithë botën”.

“Unë besoj se zhvillimet në Ukrainë padyshim do të kenë efekte shumë të rrezikshme për shumë vende. Ajo që po ndodh në Ukrainë mund të përdoret si precedent. Kjo do të thotë se gjithçka, që siguron paqen ndërfetare, lirinë fetare dhe të drejtat e njeriut, me gjasë do të ndalojë së qënuri e paprekshme, veçanërisht nëse këto vlera qëndrojnë në rrugën e zgjidhjes së disa problemeve politike”.

Tashmë priftërinjtë në Ukrainë po përballen me përndjekje që burojnë nga ky zhvillim. Gjatë disa javëve të fundit, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës, SBU, ka kryer kërkime në dioqezën Ovruch në Rajonin Zhitomir të Ukrainës. Kjo rezultoi në thirrjen për të dëshmuar të 20 klerikëve të dioqezave të UOC-së, Rovno dhe Sarny. Kërkime u zhvilluan gjithashtu edhe në apartamentin e Metropolitanit Paul, Abat i Kiev Pechersk Lavras. Sipas SBU-së, këto veprime policore ishin pjesë e një çështjeje penale të hapur ndaj tij, por pa dyshim që kishin për qëllim ta provokonin dhe frikësonin.

Tensionet që po ngrihen brenda kishës dhe më gjerë në shoqëri nga Poroshenko dhe shërbimet e inteligjencës së NATO-s, pa dyshim që do të përdoren si lëndë djegëse për zjarrin, pasi që Kievi po nxit edhe veprime ushtarake kundër popullit në Ukrainën lindore në republikat Donbass. Këto veprime jo vetëm që do të cojnë në arrestime dhe ndalime të udhëheqësve fetarë dhe mbështetësve të tyre, por edhe në vrasje të atyre që kundërshtojnë manovrat e tyre. Të gjitha këto probleme me të cilat po përballen ukrainasit janë dhurata e Krishtlindjes nga NATO.

Christopher Black është një avokat ndërkombëtar i bazuar në Toronto. Ai është i njohur për një numër të rasteve të profilit të lartë të krimeve të luftës. Kohët e fundit ka botuar romanin e tij “Poshtë reve”. Ai shkruan ese mbi ligjin ndërkombëtar, politikën dhe ngjarjet botërore, veçanërisht për revistën online “New Eastern Outlook”, ku ky artikull u botua fillimisht.

burimi: Global Research/Gazeta Impakt

45