“Kroacia e gatshme të ndihmojë Kosovën në rrugën euroatlantike”

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Damir Krstiçeviç ka pritur në një vizitë zyrtare ministrin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, me të cilin diskutuan për forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtje.

Gjatë takimit të mbajtur në Ministrinë e Mbrojtjes së Kroacisë, ministri i FSK-së Rrustem Berisha njoftoi homologun kroat Krstiçeviç rreth procesit të transformimit të FSK-së.

Berisha homologut kroat i prezantoi tre ligjet, të cilat kanë kaluar leximin e parë në Parlamentin e Kosovës, për të cilat theksoi se janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Në mandatin e ri FSK do të jenë multietnike, forca profesionale e cila do t’u shërbejnë interesave të të gjithë qytetarëve, vendit tonë dhe mbarë rajonit”, ka thënë Berisha.

Ai nga ministri kroat Krstiçeviç kërkoi mbështetje për Kosovën gjatë procesit zhvillimor drejt integrimeve ndërkombëtare dhe iniciativave rajonale në të cilat Kroacia është anëtare.

“Jemi përcaktuar për anëtarësim në NATO, ky është qëllimi ynë strategjik dhe ne jemi të gatshëm me kapacitetet tona operative të kontribuojmë për paqe dhe stabilitet”, tha Berisha duke shtuar se është biseduar edhe për pjesëmarrjen e FSK-së në misionet paqësore ndërkombëtare.

“Të gjithë e shohin Ushtrinë Kroate si një shembull profesionalizmi, me trajnim superior dhe të gatishmërisë. Të gjitha këto njohuri ne jemi të gatshëm t’i ndajmë me partnerët dhe miqtë tanë dhe për të ndihmuar Kosovën në rrugën euroatlantike, siç e kemi ndihmuar Malin e Zi, siç e ndihmojmë Maqedoninë ndërsa kryesore është të ndihmojmë Bosnjë e Hercegovinën”, tha Krstiçeviç.

Berisha vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin midis Kosovës dhe Kroacisë dhe shtoi se bashkëpunimi ekzistues duhet të zhvillohet në interes të të gjithë rajonit.

“Ne konstatuam se bashkëpunimi ynë është i mirë, veçanërisht në fushën e arsimit. Dyzet anëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës janë shkolluar në Akademinë Ushtarake Kroate në pesë vitet e fundit. Ne hapëm temat e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes”, tha Krstiçeviç.

Ai theksoi se ushtari kroat plotësisht është i armatosur dhe i pajisur me prodhime të industrisë kroate të mbrojtjes, duke theksuar se ministri kosovar Berisha vizitoi mëngjesin e sotëm kompaninë HS-produkt në Karlovac. Ai e vlerësoi këtë mundësi për modernizimin e FSK-së si dhe për zhvillimin e industrisë ushtarake kroate.

Ministrat diskutuan mbi sfidat e sigurisë në Evropën Juglindore dhe potencuan nevojën e bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe ndarjen e përgjegjësive në mesin e shteteve me qëllim të krijimit të sigurisë, stabilitetit dhe paqes në rajonin e Evropës Juglindore.

Gjatë tre javëve të fundit, ministri kroat i Mbrojtjes Krstiçeviç u takua me homologët e tij hungarezë, austriakë dhe sllovenë.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne