Kroacia ‘tani mban në grusht të gjitha shtetet e Ballkanit’

Mediat në rajon, duke analizuar rekomandimet e Komisionit të Evropës për shtetet e Ballkanit Perëndimor, vlerësuan se Kroacia tani mban në grusht të gjithë fqinjët, të cilët dëshirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe atë për shkak të kufijve.

Atë që mediat kroate e nënvizuan si tejet të rëndësishme në strategjinë e unionit për Ballkanin Perëndimor është se çështja e anëtarësimit të Serbisë dhe të Malit të Zi, si dhe e shteteve tjera pretenduese për anëtarësim, do të kushtëzohet me zgjidhjen e çështjes së kufijve.

Në këtë kontekst citohet deklarata e Presidentit të Komisionit të Evropës, Jean Claude Juncker, i cili qartësoi se çështja e pazgjidhur për përcaktimin e kufirit mes Kroacisë dhe Sllovenisë duhet të zgjidhet urgjentisht.

Më tutje vihet në pah edhe vërejtja e Junckerit se në të ardhmen nuk do të lejohet anëtarësimi në union i atyre shteteve, që kanë probleme kufitare mes vete. Një koment të ashpër për strategjinë e re të Brukselit e bëri edhe gazeta sllovene, Veçer, e cila këmbënguli se strategjia e re e unionit është e gabuar, ngase kushtëzimi i anëtarësimit me zgjidhjen e grindjeve kufitare do të bëjë që i tërë rajoni të bëhet peng i Kroacisë. “Në këtë mënyrë, i gjithë Ballkani mund të bëhet peng i Zagrebit zyrtar.

Kroacia nuk ka të zgjidhur çështjen e kufijve me asnjë shtet fqinjë, pos me Hungarinë. Kjo nënkupton se Kroacia mund të hyjë në konflikt eventual me Serbinë për shkak të kufijve në Danub, me Malin e Zi për shkak të kufirit detar dhe për Prevllakën, si dhe me Bosnjë dhe Hercegovinën. Mund të thuhet se Kroacia tani po mban në grusht të gjithë Ballkanin”, konstatoi Veçer.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne