Kronologjia e çështjes Dako në përgjime

Përfshirja e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, në pazare me banda kriminale është një nga çështjet më të diskutuara në publik ditët e fundi. Bisedat e Vangjush Dakos dhe Astrit Avdylajt për blerjen e votave në Durrës u bënë publike nga Klodiana Lala dhe media BIRN, më 30 janar 2019. Por, përfshirja e Dakos me grupin kriminal ka rreth tre muaj që diskutohet në publik.

Më poshtë, po rendisim në mënyrë kronologjike çfarë dihet deri më tani për këtë çështje:

Më 20 tetor 2018, kryetari i opozitës zbuloi se disa biseda të Zotit Dako me individë të krimit ishin përgjuar nga shërbimet e zbatimit të ligjit dhe të inteligjencës të “vendeve partnere”, EULEX.

Më 23 tetor 2018, burime për Exit.al, bënë të ditur se ishin të paktën dhe tre përgjime të tjera, nga burime të tjera, pra jo nga Prokuroria e Kosovës apo EULEX, që përfshijnë Kryebashkiakun Dako në aktivitete korruptive dhe bashkëpunim me banda kriminale.

Sipas burimeve për Exit.al, Prokuroria e Kosovës, prej vitesh kishte nisur një hetim për një organizatë kriminale kosovare, të përfshirë në trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.Një prej pistave të dyshimit të prokurorisë kosovare ishte se, organizatat kosovare bashkëpunonin me ato shqiptare, për transportin e drogës nga Kosova në Durrës dhe prej andej në vendet e BE-së.

Me futjen në hartën e përgjimeve dhe të disa bandave shqiptare, të dyshuar si bashkëpunëtorë të organizatës kriminale kosovare, gjatë bisedave telefonike janë kapur dhe biseda të anëtarëve të bandave shqiptare me Kryetarin e Bashkisë Durrës, Vangjush Dakon. Në këto biseda, flitej kryesisht për blerje votash për Vangjush Dakon në këmbim të tenderëve.Dyshimet për përfshirjen e një zyrtari të lartë në pazare me organizata kriminale, e ndërlikuan çështjen për prokurorinë e Kosovës, duke e detyruar atë të bashkëpunonte me Prokurorinë Speciale dhe EULEX-in.

Në mbrëmjen e 25 tetorit, gjatë emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, u publikuan pjesë nga përgjimet Dako — Avdylaj. Por, Kryebashkiaku e mohoi miqësinë me Astrit Avdylajn. Ai tha:

“Niçja” është një qytetar i Durrësit që është kapur, me të cilin kam folur. Në çdo fushatë, kur mbaron takimi elektoral, unë falenderoj njerëzit. Unë kontaktoj me ta, u çoj letra falenderimi. Kurse Astriti është i vëllai i Niçes. Kjo është politika. Minimumi është një telefonatë.

“Me këto muhabete do merremi tani? Këto janë karagjozllëqe, janë turpe se flasin njerëzit tani për ty e për ne. Nuk i fitojmë zgjedhjet ne me Lekë. Ne kemi sondazhet tona gjithmonë nëpër zgjedhje dhe nuk më kanë lëvizur ndonjëherë sondazhet. Në 2007, më ka marrë Edi Rama në telefon dhe më ka thënë bëj një spot për punësimin sepse jemi 1 pikë prapa, rezultati 300 vota para”.

exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne