Kryebashkiaku Hollandez Ahmed Aboutaleb pritet nga homologu i tij Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti sot në një takim të veçantë homologun e tij, kryetarin e Bashkisë së Roterdamit, Ahmed Aboutaleb, vizitë të cilën e vlerësoi si një gur themeli në marrëdhëniet mes dy qyteteve, çka do t’i japë një shtysë të re realizimit të projekteve të përbashkëta.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se vizita e z. Aboutaleb është shenjë e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe e një marrëdhënieje të re mes Tiranës dhe Roterdamit. Duke vlerësuar bashkëpunimin me Ambasadën e Hollandës në Tiranë për zbatimin e shumë projekteve të suksesshme, si ai për shtimin e korsive te biçikletave, Veliaj deklaroi se ka ende shumë për të mësuar prej eksperiencës hollandeze në fushën e urbanistikës. “Kemi një grup të madh kompanish arkitekturore që bëjnë punë fantastike në qytetin e Tiranës, por besoj se kemi ende shumë për të mësuar në çështje të urbanistikës. Me ambasadën e Holandës kemi filluar rrjetin tonë të biçikletave, kemi gjithashtu shumë për të mësuar nga Roterdami dhe besoj që sot është fillimi i një marrëdhënie speciale me Bashkinë e Roterdamit”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se Roterdami është kthyer në një shtëpi të dytë për mjaft qytetarë nga Shqipëria, veçanërisht për të rinjtë të cilët studiojnë në universitetet më të mira hollandeze, për të kontribuar më pas në Shqipëri. “E falenderoj kryetarin për vizitën dhe për faktin që shumë studentë shqiptarë jetojnë në Roterdam, janë në Universitetin e Erasmus-it, e kanë bërë Holandën një shtëpi të dytë. Mezi presim që një pjesë e këtij talenti të kthehet në Shqipëri sërish dhe të japë kontribut për zhvillimin e Tiranës, bazuar në ato që ka mësuar dhe frymëzuar në Roterdam”, shtoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Roterdamit, Ahmed Aboutaleb, vlerësoi transformimin që ka pësuar Tirana në një periudhë kaq të shkurtër. Ai theksoi se nëse Roterdamit i janë dashur 75 vite për t’u rindërtuar, ndërkohë Tirana me një buxhet disa herë më të vogël po ecën me ritme të shpejta drejt zhvillimit.

“Është fantastike të jesh këtu. Është vizita ime e parë në Shqipëri dhe kur avioni po ulej në Tiranë, pashë një vendi me gjeografi shumë të bukur, me male, kodra, toka të sheshta, fermerë. Qyteti është transformuar tërësisht vitet e fundit. Të dyja qytetet tona kanë një histori të komplikuar. Ju keni historinë e komunizmit, kurse ne historinë e nazizmit, që shkatërroi Roterdamin. Qendra e qytetit të Roterdamit ishte shkatërruar plotësisht, na u deshën 75 vjet ta rindërtonim qytetin. Ju e rindërtuat demokracinë në 25 vjet. Dua të them se ju po ecni më shpejt se ne që e bëmë në 75 vite”, deklaroi Ahmed Aboutaleb.

Kryebashkiaku i Roterdamit tha se shtimi i marrëdhënieve midis qyteteve po merr një rëndësi edhe më të madhe për krijimin e mundësive dhe të lehtësirave për qytetarët. “Qytetet po luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kombeve, kështu që marrëdhëniet e mira midis qyteteve janë me rëndësi në krijimin e mundësive për qytetarët tanë. Kemi shumë gjëra të përbashkëta, çështje për të diskutuar, si për shembull çështjet e emigrimit, prandaj jam këtu, për të zbuluar Shqipërinë, për të zbuluar Tiranën dhe për të diskutuar”, nënvizoi ai.

 

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne