Në më pak se tre vjet, që nga ardhja në pushtet e Erion Veliajt, Bashkia Tiranë ka tenderuar rreth 242 milionë euro para publike ose rreth 80 milionë euro në vit, ose pothuajse 220 mijë euro çdo ditë.

Paratë e tenderuara vinë nga fondet e qeverisë dhe të ardhurat e vetë Bashkisë Tiranë, të cilat janë rritur ndjeshëm si pasojë e rritjes së pazakontë të pothuajse të të gjitha taksave lokale  ndaj qytetarëve të Tiranës.

Sipas të dhënave të analizuara nga revista Monitor, në buxhetin e vitit 2018 Bashkia Tiranë planifikoi të përfitojë 96 milionë euro nga taksat dhe tarifat e paguara nga qytetarët dhe bizneset. Ndërsa nga qeveria bashkia ka marrë rreth 120 milionë euro.

Peshën kryesore në rritjen e të ardhurave të Bashkisë e zënë  taksat nga ndërtimet me rreth 24 milionë euro, taksa e përkohshme e arsimit 7,1 milionë euro, më pas taksa mbi banesat me 4 milionë euro,  tarifa e biznesit për zënien e hapësirës 3,9 milionë euro; tarifa për parkimin 3.3 milionë euro.

Ajo çfarë bie më shumë në sy në tenderimet e bashkisë Tiranë është se shumica e fondeve kanë shkuar për një grusht kompanish të afërta me pushtetin.

Exit.al ka bërë, më poshtë, një përmbledhje të kompanive që kanë fituar tenderat me vlerat më të larta, që prej shtatorit 2015, pas ardhjes në krye të Bashkisë të Erion Veliajt. Kompanitë që kanë përfituar më shumë para publike gjatë kësaj periudhe janë Fusha shpkSalillari shpkAgi-Kons shpkAlko-Impex shpk dhe A&T shpk. (Të gjitha vlerat e tenderave janë pa TVSH)

Kompania Fusha shpk — 32 milionë euro

Nga dhjetori 2015 deri tani Fusha shpk ka fituar 39 tendera, me një vlerë totale prej 32 milionë eurosh.

Për Sheshin Skënderbej. Në gusht 2016 Bashkia Tiranë shpalli kompaninë Fusha shpk fituese të fazës së parë të Rikualifikimit Urban të Sheshit Skënderbej, me vlerë rreth 4,2 milionë euro, ose sa 99 për qind e fondit maksimal të vënë në dispozicion. Në janar 2017, Fusha fitoi tenderin për fazën e dytë të rikualifikimit urban të Sheshit Skënderbej, me vlerë rreth 7,1 milionë euro.  Ajo ishte e vetmja ofertuese në këtë tender dhe oferta e saj ishte sa 99,9 për qind e fondit maksimal të vënë në dispozicion. Në shtator 2018 Fusha mori shtesë kontrate me vlerë 1,56 milionë euro për fazën e dytë të rikualifikimit urban të Sheshit Skënderbej.

Parkimi nëntokësor tek Sheshi Skënderbej.Në shtator 2016 Fusha shpk  fitoi tenderin për ndërtimin e parkimit nëntokësor në Sheshin Skënderbej me vlerë 1,64 milionë euro. Në maj 2018 Bashkia Tiranë i bëri kompanisë Fusha shpk një shtesë kontrate në vlerën 330 mijë euro, pa dhënë argumentim për këtë shtesë, duke e çuar vlerën totale të parkimit në rreth 2 milionë euro.

Për pastrimin dhe gjelbërimin e Tiranës. Në dhjetor 2017 Fusha shpk fitoi tenderin për “Furnizim dhe vendosje drurë dekorativ në zonën industriale Kamëz–Kashar” me vlerë rreth 2,2 milionë euro, ose sa 99,6 për qind e fondit maksimal të vënë në dispozicion. Kompania Fusha ishte e vetmja ofertuese në këtë tender.

Në korrik 2017 Fusha fitoi tenderin për pastrimin e zonës Tirana IV, për vitet 2017, 2018, 2019. Oferta fituese e kompanisë ishte 1,4 milionë euro, ose sa 99,5 për qind e fondit maksimal të vënë në dispozicion. Në shkurt 2016 Fusha fitoi tenderin për pastrimin e pjesës Perëndimore-2 të Tiranës. Oferta e saj fituese ishte 353 mijë euro, ose sa 99,9 për qind e fondit maksimal të vënë në dispozicion. Në mars 2016, ajo fitoi tenderin për pastrimin e pjesës Perëndimore-2 të Tiranës. Oferta fituese e Fushës ishte 1,4 milionë euro, ose sa 99,5 për qind e fondit maksimal të vënë në dispozicion. Në mars 2016 Fusha shpk fitoi tenderin për pastrimin e pjesës perëndimore 2 të Tiranës. Oferta e saj fituese ishte 5,9 milionë euro, ose sa 94 për qind e fondit maksimal të vënë në dispozicion. Në dhjetor 2015 Fusha shpk fitoi tenderin për pastrimin e pjesës Perëndimore-2 të Tiranës. Oferta e saj fituese ishte 276 mijë euro, ose sa 99,9 për qind e fondit maksimal të vënë në dispozicion.

Ndërtimin e impiantit të ujit në Bovillë. Në konsorcium me kompanitë 2T shpkFusha fitoi tenderin për ndërtimin e impiantit të përpunimit të ujit të pijshëm në liqenin e Bovillës, me vlerë 3,2 milionë euro. Oferta e tyre ishte sa 95 për qind e fondit maksimal të vënë në dispozicion.

Të tjera. Rreth 2,4 milionë euro të tjera Fusha i ka përfituar përmes tenderave me vlera të vogla.

Kompania Salillari — rreth 23,6 milionë euro

Salilari ka përfituar 4,8 milionë euro në tendera, dhe një koncesion me vlerë 18,8 milionë euro.

Rindërtimi i Pazarit të Ri. Në maj 2016 Salillari shpk u shpall fituese e tenderit për Rikualifikimin Urban të Sheshit Avni Rustemi dhe Pazarit të Ri, me vlerë 727 mijë euro, ose sa 91 për qind e fondit maksimal të vënë në dispozicion. Në nëntor 2016, kompania u shpall fituese e tenderit për restaurimin e 4 objekteve në Pazarin e Ri, me vlerë 1,33 milionë euro, ose sa 99,5 për qind e fondit maksimal të vënë në dispozicion. Në 12 qershor 2017, kompania përfitoi një shtesë në kontratë për punimet në Pazarin e ri, me vlerë 265 mijë euro. Në 13 qershor 2017 Salillari shpk përfitori një shtesë të dytë në kontratë për punimet në Pazarin e ri, me vlerë 145 mijë euro.

Rindërtimi i ujësjellësit. Në tetor 2016 Salillari u shpall fituese e tenderit për rindërtimin e rrjetit të ujësjellësit, me vlerë 91 mijë euro, ose 98 për qind e fondit maksimal të vënë në dispozicion.

Parku i lojrave tek ETC. Në dhjetor 2017, Salillari u shpall fituese e tenderit për “Rikonceptimin e parkut të lojrave të fëmijëve dhe parkim publik 2 kate nën tokë në rrugën e Elbasanit”. Oferta fituese e Salillarit ishte 2,2 milionë euro, ose sa 99,8 për qind e fondit maksimal të vënë në dispozicion.

Koncesioni i terminalit të autobuzëve. Në shtator 2018, Bashkia Tiranë i dha Salillarit një koncesion 33-vjeçar për ndërtimin dhe menaxhimin e terminalit të transportit publik ndërqytetas në Tiranë. Vlera totale e investimi do të jetë rreth 18,8 milionë euro.

Kompania ALKO-IMPEX — 5,7 milionë euro 

Alko-Impex ka fituar gjashtë tendera me vlerë rreth 5,7 milionë euro, nga muaji gusht 2017 deri në maj 2018. Të gjithë tenderat janë për pastrimin e zonës Tirana III.

Kompania Agi-Kons — rreth 17 milionë euro

Agi-Kons ka fituar pesë tendera nga Bashkia Tiranë me vlerë rreth 4,46 milionë euro, nga gushti 2016 deri në shtator 2017 dhe një koncesion me vlerë 12,8 milionë euro.

Rikualifikimi Urban të Bllokut Nr. 1. Në gusht 2016, Agi-Kons fitoi nga Bashkia Tiranë tenderin për punime rikualifikuese në Bllokun 1, me vlerë 2.2 milionë euro.

Rikonstruksioni i Rrugës së Zallit. Në tetor 2016 Agi-Kons fitoi nga Bashkia Tiranë tenderin për këto punime me vlerë 780 mijë euro.

Rindërtimi i shkollës Dora D’Istria. Në korrik 2017, Agi-Kons fitoi nga Bashkia Tiranë tenderin për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare me vlerë 540 mijë euro.

Rikualifikimin urban i një blloku urban. Në gusht 2017, Agi-Kons fitoi nga Bashkia Tiranë tenderin për rikualifikimin e zonës së kufizuar nga Rruga Llambi Bonata, Rruga Haki Stermilli e Rruga Musine Kokalari, dhe rikonstruksion i Rrugës Zyber Zeneli me vlerë 676 mijë euro.

Përmirësimi i furnizimit me ujë të Kodrës së Diellit. Në shtator 2017, Agi-Kons fitoi nga Bashkia Tiranë,tenderin për përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë te kompleksit të ndërtuar nga vetë kompania, ku banon edhe vetë Kryebashkiaku Veliaj, me vlerë 268 mijë euro.

Kompania A&T — 2,8 milionë euro

A&T ka fituar rreth 2,8 milionë euro vetëm për furnizim me karburant të Bashkisë Tiranë, nga të cilat 2,7 milionë euro i ka fituar e vetme në 33 tendera, ndërsa rreth 102 mijë euro i ka fituar në bashkëpunim me kompani të tjera.

 

Të gjitha të dhënat e mësipërme janë marrë nga Open Data Albania./Exit.al

7