Kryemadhi: Rruga e opozitës, përballja me regjimin kriminal

Gjatë fjalës së saj nga qyteti i Kuçovës, teksa mori pjesë në takimin me strukturat e LSI-së në këtë qytet, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi hodhi akuza në drejtim të qeverisë Rama. Kryemadhi tha se sot vendi ndodhet në një situatë të vështirë ekonomike dhe politike.

“Njerëzit e kuptojnë që situata është me të vërtetë shumë e rëndë, situatë e rëndë ekonomike, politike dhe situatë e rëndë e sigurisë. Kjo vjen si rezultat i kapjes së shtetit nga krimi ose thënë ndryshe si rezultat i licensimit të grupeve kriminale nga kryeministri”, tha Kryetarja e LSI-së, e cila argumentoi se kjo situatë vjen si rezultat i kapjes së shtetit nga krimi.

Kryetarja e LSI-së akuzoi kryeministrin se është vënë në funksion të bandave, duke shkelur ligjin, ndërkohë që politikën po e përdor si kamxhik mbi qytetarët e pambrojtur.

“Sot ne kemi një problem shumë të madh me ekonominë shqiptare. Kemi një ekonomi të monopolizuar në tre duar dhe kjo vjen si rezultat i lidhjes apo komunikimit të kryeministrit me një grup të caktuar. Ne nuk kemi nevojë për një politikë që punon dhe iu shërben bandave për të shkelur ligjin dhe për ti mbrojtur ata dhe një politikë që përdoret si kamxhik ndaj qytetarëve të cilët nuk kanë asnjë lloj përkrahje”, theksoi kryetarja e LSI-së.

Duke folur për pozicionimin e opozitës, Kryemadhi tha se tashmë opozita nuk mund të jetë alibia dhe fasada e kryeministrit Rama në parlament, por se rruga e saj e vetme është përballja sy më sy, me atë çka ajo e quajti regjim kriminal.

“Tashmë ne si opozitë që të bëhemi alibi e Edi Ramës në parlament nuk ka më asnjë vlerë, që të jemi thjesht një mburojë që të themi ka demokraci, se ja opozita është në parlament,bën sikur flet, ne bëjmë sikur i dëgjojmë dhe ngremë forcën e kartonit dhe votojmë. Rruga e opozitës tashmë është vetëm një. Përballja sy për sy me këtë regjim kriminal”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne