Kryeministri i Turk në Gjermani: Duam që t’i shohim miqtë më afër në luftën kundër terrorizmit

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, përsëriti të enjten vonë se PKK-ja është një organizatë terroriste duke shtuar se “PYD/YPG-ja është gjithashtu organizatë terroriste; në fakt, YPG-ja është degë e PYD/PKK-së në Siri”.

Shefi i qeverisë turke, që shkoi në Gjermani për një vizitë pune, realizoi një takim kokë më kokë me homologen Angela Merkel.

Më pas, Yildirim dhe Merkel dolën para kamerave në një konferencë të përbashkët shtypi dhe iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve.

Yildirim rikujtoi fillimisht se homologen gjermane ka gjetur shansin ta presë në Ankara, më datë 2 shkurt 2017, pastaj u shpreh i kënaqur që takohet sërish me kancelaren pas rreth një viti.

Ai tha se me Merkelin vlerësuan në një kohë të kufizuar marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Turqisë dhe Gjermanisë.

Sipas tij, një urë e rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve janë sidomos mbi 3 milionë turq që jetojnë në Gjermani.

“Prania e tyre është edhe garanci e marrëdhënieve Turqi-Gjermani”, deklaroi Yildirim.

Kryeqeveritari turk u ndal më tej në luftën kundër terrorizmit duke tërhequr vëmendjen se këto përpjeke të vendit të tij në rajon nuk bëhen për të mbrojtur vetëm sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve të Republikës së Turqisë.

Në të njëjtën kohë – vijoi ai – Turqia mbron gjithashtu kufijtë e NATO-s dhe parandalon një fluks emigracioni të madh përballë zhvillimeve negative që shkaktohen nga lufta civile në Siri e Irak, nga organizata terroriste DAESH dhe grupet e tjera terroriste.

“Ne jemi duke strehuar 3,5 milionë refugjatë, po u plotësojmë atyre çdolloj nevoje. Duke vepruar kështu, ne parandalojmë edhe që aktet/aktivitetet terroriste të mos përhapen në Gjermani apo në Evropë në përgjithësi. Kemi projekte të përbashkëta me Bashkimin Evropian në lidhje me këtë çështje, në të cilën e nderuara Merkel ka ofruar kontribut të rëndësishëm. Një vendim është marrë brenda Unionit për të ndihmuar arsimin, shëndetësinë dhe strehimin e refugjatëve në shtetet ku ata po qëndrojnë. Kjo vazhdon pavarësisht nga disa çalimeve. Edhe një tjetër herë shpreh kënaqësinë time për vendosmërinë e kancelares së nderuar në këtë çështje dhe për vazhdimin e kësaj mbështetjeje”, theksoi shefi i qeverisë turke.

Duke folur për çështjen e refugjatëve, Yildirim theksoi se kjo çështje nuk i përket vetëm Turqisë dhe as nuk është prodhuar nga vendi i tij, që po strehon 3,5 milionë njerëz në përpjekje për t’i shpëtuar luftës.

“Çështja e refugjatëve nuk është vetëm çështje e jona dhe as e fabrikuar prej nesh. Asnjërën prej këtyre çështjeve nuk e kemi nisur ne. Ne përballemi vetëm me pasojat. Luftën në Siri nuk e filluam ne. As valën e refugjatëve nuk e nisëm ne, por strehuam 3,5 milionë njerëz në përpjekje për t’i shpëtuar luftës. E tërë bota e di se çfarë kemi bërë. Ndaj ne jemi faqebardhë. E dimë se çfarë kemi bërë”, siguroi ai.

Binali Yildirim vuri në pah edhe se ekzistojnë ndjeshmëri të qarta në marrëdhëniet turko-gjermane.

“PKK-ja është organizatë terroriste, PYD/YPG-ja është gjithashtu organizatë terroriste. Në fakt, YPG-ja është degë e PYD/PKK-së në Siri. Këtë e thotë edhe Britania e Madhe, edhe agjencitë amerikane të inteligjencës. Prandaj cilado qofshin emrat e tyre, synimi i tyre është të prishin qetësinë në rajon dhe të krijojnë hapësira problematike të reja. Ne duam që t’i shohim miqtë tanë më afër nesh teksa zhvillojmë këtë luftë”, potencoi ai.

Kryeministri turk kërkoi që vendosmëria në luftën kundër DAESH-it të jetë e njëjtë edhe në përpjekjet ndaj këtyre organizatave terroriste.

Yildirim nënvizoi po ashtu se këtij qëllimi i shërben edhe operacioni “Dega e Ullirit”, filluar nga ushtria turke më 20 janar për të garantuar sigurinë e stabilitetin në kufij dhe Afrin të Sirisë, për të asnjanësuar anëtarët e PKK/KCK/PYD-YPG dhe DAESH-it, si dhe për të shpëtuar popullatën miqësore e vëllazërore të rajonit nga represioni dhe persekutimi i organizatave terroriste.

“Ky është një projekt për të neutralizuar organizatat terroriste, të cilat bëjnë zullume kundër të gjithnjë njerëzve të pafajshëm atje. Ne gjetëm shansin të bisedojmë edhe për këto çështje”, sqaroi Kryeministri Yildirim.

Ndërsa Kancelarja gjermane, Angela Merkel, theksoi se Turqia, sikurse çdo shtet, gëzon të drejtën për të mbrojtur interesat e saj në lidhje me sigurinë.

“Shpresoj që në këtë kontekst të zgjidhet edhe kriza aktuale brenda NATO-s midis Turqisë dhe SHBA-së”, shtoi ajo.

Duke folur para gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp, Merkel u shpreh thellësisht e kënaqur nga deklarata e homologut turk, që tha se Turqia është e gatshme të bëjë çdo përpjekje për zgjidhen e problemeve në marrëdhëniet dypalëshe me Berlinin, duke theksuar se hap pas hapi do të zgjidhen të gjitha problemet që kanë pasur gjatë muajve të fundit.

Ajo bëri me dije gjithashtu se në takimin me Kryeministrin Yildirim kanë biseduar në lidhje me tentativën për grushtit shteti në Turqi, në korrik të vitit 2016, duke shtuar se hetimi ndaj përgjegjësve të kësaj tentative duhet të zhvillohet në përputhje me parimin e shtetit ligjor.

Kancelarja tha mes të tjerash se është diskutuar sërish për çështjen e lirimit të shtetasve gjermanë, që mbahen në paraburgim në Turqi për krime politike.

Merkel tërhoqi vëmendjen se Ankaraja zyrtare është duke kërkuar pagesën e rregullt të ndihmës financiare të premtuar nga Bashkimi Evropian për refugjatët sirianë në Turqi dhe se i ka premtuar homologut turk që të diskutojnë brenda BE-së çështjen e pagimit, krahas 3 miliardë eurove të premtuar, edhe të 3 miliardë eurove shtesë.

Pasi vuri theksin mbi rëndësinë e marrëdhënieve me Turqinë dhe ruajtjen e vlerave të përbashkëta, shefja e Berlinit zyrtar kërkoi forcimin e marrëdhënieve bilaterale.

E pyetur nga një gazetar turk se çfarë mendon për sulmet e anëtarëve të organizatës separatiste terroriste PKK ndaj xhamive në Gjermani, Angela Merkel potencoi se do të marrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e njerëzve të pafajshëm dhe s’do të lejojnë në asnjë mënyrë dhunën, qoftë kjo ndaj xhamive, qoftë edhe kundër sinagogave apo kishave.

Në fund të fjalës së saj para mediave, Kancelarja Merkel u bëri thirrje të gjitha komuniteteve të huaja në Gjermani që të jetojnë së bashku në paqe.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne