Kryepeshkopi Anastas më në fund shqiptar…

Nga Pirro Prifti

Odisea e mosdhënies se nënshtetësisë shqiptare Kryepeshkopit Anastas dukej sikur nuk do të përfundonte asnjëherë, dhe argumentet e mosdhënies nga ana e të ashtuquajturve nacionalistë ishin të shumta.

Vreri dhe mllefi historik ndaj padrejtësive politike sidomos nga ana e politikës së fqinjëve të jugut ishte derdhur pikërisht mbi Kryepeshkopin e Nderuar dhe erudi Anastas, i cili jo vetëm nuk ka lidhje me të kaluarën, por edhe nga profesioni si klerik i nderuar nuk merret me politikë.

Sidoqoftë po të shikosh portalet, gazetat, mediat, madje armiqtë e Kishës Autoqefale të Shqipërisë brenda, ishin të mbushura me idiotësira dhe budallallëqe të pashoq kur njehsonin figurën e pastër e të panjollë të Kryepeshkopit me dordolecët e politikave antishqiptare si brenda ashtu dhe jashtë vendit.

Në këtë luftë kundër një drejtuesi të një komuniteti i cili për arsye objektive erdhi nga jashtë ashtu si dhe drejtuesit e fesë katolike që janë të huaj, u përfshinë dhe individë të veshur me rrason e priftit të cilët të ndërsyer për shkak të ndonjë pakënaqësie apo faji të bërë, nuk lanë gjë pa thënë gjatë gjithë këtyre 25 viteve të qëndrimit në Shqipëri ndaj Kryepeshkopit. Madje dhe sot lehaqeni nga Elbasani nëpërmjet Mediave të paguara foli dhe tha se.. Presidenti bëri gabim që i dha shtetësinë.

Ashtu si lufta politike e ashpër dhe e paprinciptë për të fituar pushtetin në këto vite demokracie e cila degradoi edhe në shpërbërjen e shtetit shqiptar, ashtu dhe lufta kundër Kryetarit të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, Kryepeshkopit Anastas vazhdoi ashtu e ashpër e paprinciptë dhe shumë ofenduese, e padrejtë, dhe në kundërshti me atë që mendon vetë komuniteti ortodoks, i cili e do, e ka mbrojtur, dhe e mbron këtë përfaqësues të Zotit në Shqipëri.

Madje dhe origjina e vetë Kryepeshkopit Anastas sipas të dhënave është se gjyshërit e tij janë larguar nga Durrësi për në Prevezë dhe flisnin shqip rreth viteve 1850 e këtej.

Kështu që duket fare qartë se shtetësia shqiptare që u dha më në fund pas 25 vitesh qëndrimi stoik dhe të pashembullt në Shqipëri brenda folesë së grerëzave ateiste e radikaliste të politikës amorfe e klienteliste shqiptare, pranon më në fund dështimin e armiqve të Kishës Autoqefale të Shqipërisë.

Interesant është fakti se pesë Presidentë shqiptarë dhe faktikisht: Berisha- Meidani-Moisiu-Topi-Nishani, nuk pranuan të jepnin shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të nderuar duke treguar se ishin kryekëput në mos e paragjykonin problemin, ata ishin të kapur nga politikat pseudo-nacionaliste që gëlonin dhe gëlojnë edhe sot në kokat e politikanëve shqiptarë.

U desh një 25-vjeçar, që Presidenti i sotëm Ilir Meta, pavarësisht problemeve që ekzistojnë për personin e tij, tregoi emancipimin e tij politik duke i dhënë shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të Nderuar 88-vjeçar Anastas. Në fjalën e tij ditën e Krishtlindjeve ai përmendi se sot (bëhet fjalë për dje -25 dhjetor) Kryepshkopi Anastas u bë qytetari më i ri i shtetit shqiptar, duke bërë aluzion me fjalën `I ri` sepse Kryepeshkopi është i moshuar dhe e kundërta e të riut.

Është pjesërisht e vërtetë ideja e Artan Hoxhës që Presidenti i sotëm Meta…. `I dha fund budallallëkut kolektiv` për mosdhënien e shtetësisë shqiptare për 25 vjet Kryepeshkopit, por është e vërtetë gjithashtu edhe se përveç budallallëkut kolektiv të politikës, ekzistojnë dhe paragjykime të forta kundër ortodoksëve shqiptarë të cilët me qëllim quhen si `grekë` (gjë që nuk ka asgjë të keqe nëse bëhej fjalë për popull), i cili nxitet nga qarqe agresive brenda vendit (të nxitur nga injoranca e tyre historike), por dhe ato jashtë vendit (politikat e fqinjëve të jugut dhe Serbia, të cilët kërkojnë një Shqipëri e Kosovë të përçarë dhe të destabilizuar), të cilat duke kujtuar të kaluarën, përpiqen t’i hedhin benzinë zjarrit ditët e sotme, në një kohë kur faktori shqiptar është optimizuar dhe kërkon të integrohet gjerësisht në BE, si Shqipëria ashtu dhe Kosova.

Sigurisht paraqitja e veprës së Ringjalljes së Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë nga ana e Kryepeshkopit Anastas tregon më së miri se, pavarësisht kundërshtive dhe kundërshtarëve, Komuniteti Ortodoks i Shqipërisë është më afër Zotit nëpërmjet kishave të ndërtuara dhe rindërtuara, nëpërmjet klerikëve të diplomuar, nëpërmjet predikimit në shqip, nëpërmjet ngritjes së institucioneve arsimore dhe shëndetësore me bekimin e Kryepeshkopit Anastas, nëpërmjet njohjes së KOASH në gjithë botën, nëpërmjet pranisë së Kryepeshkopit si anëtar honorifik i shumë institucioneve ndërkombëtare religjioze ose joreligjioze, nëpërmjet ndihmave të shumta për të varfrit si mensa, shtëpi për të moshuarit, nuk harrohen ndihma për refugjatët kosovarë në 1999, të cilat disa qarqe të politikës së Kosovës i kanë harruar ose bëjnë sikur `nuk ishte ndonjë gjë ndihma prej 1 milion dollarësh të atëhershëm` etj. etj.

E kam përmendur disa herë se: “nëse Kryepeshkopi i parë i shqiptar Fan S. Noli e bëri Jezu Krishtin të flasë shqip, Krypeshkopi Anastas e ringjalli nga vdekja komuniste Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”.

Mund të thuhen plot gjëra në favor, por në përfundim mund të them se dhënia e Shtetësisë shqiptare, tregon se Shqipëria edhe nëpërmjet Presidentit Meta, ka bërë një hap të rëndësishëm drejt integrimit në BE.

priftipirro2017@gmail.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne