Nga Sabrina GASPARRINI

Shumë vëzhgues të huaj u kapën në befasi nga rikthimi i Silvio Berluskonit në ballë të politikës italiane. Në moshën 81-vjeçare, dhe i pazgjedhshëm si kandidat për kryeministër, si rezultat i një vendimi gjyqësor të vitit 2013, ai duket mjaft i zënë duke fushatuar për partinë e tij “Forza Italia” në prag të zgjedhjeve të 4 marsit.

Personalisht, nuk jam e habitur.

Berluskoni vështirë se është politikani i vetëm në vendin tim që përpiqet të rikthehet pavarësisht se e ka humbur gjithë besueshmërinë prej kohësh. Roberto Formigoni, ish-presidenti i rajonit të Lombardisë, dënuar me gjashtë vjet burg për korrupsion në vitin 2016 dhe në pritje të proceseve të tjera gjyqësore, është një shembull tjetër. Duket sikur italianët kanë parë gjithçka – dhe nuk po u bën më përshtypje.

Për të kuptuar përsenë, duhet të kqyret historia jonë. Italia u unifikua vetëm në vitin 1861. Ditën tjetër, politikani dhe intelektuali, Massimo d’Azeglio tha shprehjen e famshme: “Ne e formuam Italinë dhe, tani, duhet të bëjmë italianët”. Ai u referohej sfidave për krijimin e një identiteti kombëtar bazuar në parime të ngjashme me ato të lindura nga revolucioni francez. Apeli i tij nuk u mor parasysh.

Në periudhën më të errët të historisë sonë, regjimi i Musolinit u përpoq të detyronte njerëzit ta donin vendin e tyre ashtu si përcaktohej prej ideologjisë totalitariste dhe vrasëse. Furia ushtarake e Italisë së bashku me atë të nazistëve, në fund, shkatërroi qytetet tona dhe krijoi varfëri masive. Por kjo mund të mos jetë më e keqja. Edhe pse rindërtimi i pasluftës na dha atë që mund të quhet “mrekullia ekonomike italiane”, efektet psikologjike të fashizmit janë dëshmuar katastrofike.

Italianët trashëguan prej luftës një ndjesi kolektive turpi – që, përndryshe, u harrua shpejt. Turpërimi vinte ngase kishin lejuar shfarosjen e bashkëqytetarëve të tyre hebrenj dhe se vranë Musolinin dhe të dashurën e tij në vend që t’i nxirrnin për të dhënë llogari para gjykatës.

Po ashtu, kishte një kompleks inferioriteti ndaj kombeve fitimtare dhe një ndjesi të përjetshme dështimi. E gjitha kjo shpjegon pjesërisht përse kaq shumë italianë ofendohen kur, për shembull, Komisioni Europian vë në dukje gjendjen e financave tona publike, apo kur Franca nuk na kushton aq shumë vëmendje sa Gjermanisë. Ngjashëm, kur media ndërkombëtare na përshkruan me stereotipe, ne rrallë e pyesim veten: a mos kemi kontribuar edhe vetë në krijimin e tyre?

Periudha e pasluftës na ofroi një mundësi demokratike. Republika e re supozohej të lejonte njerëzit dhe të inkurajonte pjesëmarrjen popullore në jetën politike. Liria e fjalës dhe liria e tubimit duhet të kishin hapur rrugën për një debat qytetar të lulëzuar. Por historia nuk funksionon gjithnjë ashtu.

Përgjatë dekadave në vijim – disa prej të cilave të trazuara – partitë politike devijuan nga misioni i tyre i deklaruar dhe kushtetues për të lejuar qytetarët të “kontribuonin, në mënyrë demokratike, në shprehjen e politikës kombëtare”. Në vend të kësaj, ato formuan një bllok kompakt brenda asaj që ne e quajmë “partitokraci”, ku pushteti qëndron me partitë politike sesa me qytetarët. Nga kjo u përhap një sistem kancerogjen, që depërtoi në shumë fusha: ekonomi, financa, media dhe gjyqësor. Ai formoi një aleat thelbësor me proporcionalitetin e sistemit tonë elektoral, që përbën shtratin e paqëndrueshmërisë qeverisëse. Si rezultat, italianë janë mësuar të votojnë pas pasur ndonjë ide se çfarë do të dalë prej votimit.

Interesi i njerëzve në politikë u zbeh. Lodhja, në mos rraskapitja, zunë vend – të përkeqësuara vitet e fundit edhe nga kriza ekonomike. Një e dhënë vjen nga viti 1991, tre vjet përpara se Berluskoni të bëhej më së pari, kryeministër. Në një prej shfaqjeve të fundit moderne të entuziazmit masiv politik, vendi mbajti një referendum në të cilin votuesit duhet të vendosnin nëse dëshironin ta varrosnin sistemin proporcional në zgjedhjet për Senatin. Më shumë se 95 për qind i thanë “Po” këtij ndryshimi, në favor të një sistemi mazhoritar.

Ajo çka pasoi është rrënjosur në kujtesën time si zhgënjimi i parë madhor politik. U miratua një ligj që nuk respektonte zgjedhjen që kishin bërë votuesit. Në vend të mazhoritarit, u paraqit një mekanizëm hibrid elektoral që nuk bëri asgjë për të zgjidhur problemin e paqëndrueshmërisë politike. Poshtërimi ra mbi sovranitetin popullor.

Sot, ajo që është më shumë shqetësuese është rritja e racizmit kundër emigrantëve. Ne kemi arritur në pikën kur edhe njerëz të mirë-arsimuar bien dakord me retorikën e përhapur si nga e djathta ashtu edhe nga lëvizja “Pesë Yjet”. Aftësia e kësaj të fundit për të përhapur fake news, përfshirë edhe përmes lidhjeve me faqe propagandistike të Moskës, është e mirëdokumentuar. Por ajo që ka arritur më së shumti lëvizja është distilimi i një lloji të ri cinizmi në politikën tonë dhe rindezjen e një mendësie fashiste.

Më shumë se 75 vjet më pas, joshja e së djathtës ekstreme mbijeton midis pjesëve të ndryshme të popullsisë. Pas tmerreve të luftës, askush nuk guxon të shprehë ide fashiste, por, me kalimin e kohës, duket sikur njerëzit harrojnë. Politikanët nisin të artikulojnë pikëpamje jo tolerante e plot urrejtje, pa asnjë lloj turpi.

Një vit më parë, Matteo Salvini, lideri i Ligës së Veriut apeloi për një “pastrim masiv të Italisë, rrugë më rrugë, lagje më lagje, shesh më shesh dhe përmes përdorimit të forcës nëse do lindte nevoja”. Këtë muaj. Një aktivist i së djathtës ekstreme i cili dikur kishte kandiduar për Ligën e Veriut, hapi zjarr mbi emigrantët në Macerata.

Si duhet ndalur kjo spirale? Unë besoj se zgjidhja për vendin tim qëndron tek shpresa që një ditë do të krijohen Shtetet e Bashkuara të Europës. Është e vërtetë që në Itali ka rënë mbështetja për Bashkimin Europian. Por rregullat e zakonshme europiane janë ato që e parandalojnë bjerrjen e mëtejshme të vendit në populizëm dhe erozionin e parimeve demokratike. Të qënit pjesë e BE-së funksionon si një pengesë kundër instikteve tona më të këqija.

Italisë i mungojnë institucionet që janë të besueshme në sytë e qytetarëve të vet. Korrupsioni dhe nepotizmi janë masivë. Dekada të keqpërdorimit të fondeve publike dhe qeverisja e keqe kanë bërë që borxhi kombëtar të rritet në 131 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Pa një projekt politik të mirëfilltë në të cilin qytetarët të jenë aktorë e jo spektatorë, nuk do të dalim nga kjo ngatërresë.

*Sabrina Gasparrini është sekretare e Përgjithshme e Federatës Italiane për të drejtat e njeriut./ tesheshi

22