Kthimi i Turqisë në Ballkan

“Na kanë lënë të presim në dyert e Bashkimit Evropian 54 vite a po jo”.
Rexhep Tajjip Erdogan

Shkruan: Nexhmedin ADEMI,  Preshevë

Kjo ishte një nga deklaratat e para të presidentit Erdogan pas fitores së ngushtë në referendumin e organizuar për ndryshime kushtetuese, në prillin e vitit 2017. Presidenti turk aludon në qasjen joparimore që ka mbajtur me vite komuniteti evropian në raport me popullin dhe shtetin turk. Liderët evropianë, projektin politik të Turqisë nën drejtimin e Partisë për Zhvillim dhe Drejtësi (AKP) në krye me presidentin Erdogan, vazhdojnë ta shikojnë me mosbesim ndaj orientimit pro-perëndimor e, sipas tyre, me tendenca për të rrëshqitur drejt një diktature të kontrolluar e karakterizuar me fuqizimin e figurës së liderit. Thënë ndryshe, ata shohin në të njëlloj “putinizimi” të Turqisë. Një mendësi e cila e rrezikon rëndë modelin qeverisës të demokracisë, ku në ekzekutimin e pushtetit politik në proces përfshihet edhe vullneti i popullit. Qëndrimet e vijës së fortë nga Perëndimi ndaj proceseve të brendshme politike në Turqi, nga brenda janë shikuar si orvatje për ta frenuar dinamikën e progresit të gjithanshëm me tendencë për ta mbajtur nën kontroll sovranitetin e shtetit turk, i cili është anëtar i aleancës më të fuqishme ushtarake në botë NATO, por jo edhe anëtar i Bashkimit Evropian. Kjo marrëdhënie e rezervuar, e njëanshme, përbrenda opinionit publik turk po interpretohet si diçka që i ka shërbyer më tepër kontestit politik dhe gjeostrategjik të aleatëve perëndimor në rajon sesa interesave të vet shtetit turk. Kjo strategji e marrjes shumë dhe dhënies pak, për politikën e re turke nën presidentin Erdogan është qartësuar se është e papranueshme.

Forcimi i sovranitetit shtetëror

Në periudhën e globalizmit, në diplomacinë moderne, nuk mund të flitet për sovranitet të plotë të shteteve. Mbështetja për dinamikën e re politike nën qeverisjen e AKP-së, nga elektorati përbrenda opinionit turk është parë si një mundësi nga kalimi i sovranitetit të kushtëzuar drejt një vendimmarrje me më shumë vetëvendosje, që e fuqizon sovranitetin shtetëror të shtetit turk. Kjo ka rezultuar me politika që e kanë prekur jetën e qytetarit në përmirësimin e jetës sociale e kulturore dhe ngritjen e cilësisë së jetës dhe mirëqenies në përgjithësi. Pozita gjeostrategjike, potenciali ekonomik, gjenerimi i të ardhurave nga turizmi, zona lidhëse e Evropës me Azinë, diaspora e fuqishme, resurset e pasurive mbi dhe nëntokësore, janë të dhëna premtuese që i lexojmë në librin e Ahmet Davutogllusë “Thellësia strategjike”, që është njëri nga arkitektët dhe ideologët e doktrinës diplomatike të Turqisë post moderne. Pozita gjeostrategjike e Turqisë në zonën e mesme aziatike e rikthen Turqinë e ditëve të sotme në kërkim të thellësisë historike nga e kaluara me gjithë potencialin e mundshëm të dominimit ekonomik dhe shtrirjes së pushtetit politik. Ka mendime se politika e jashtme turke iu ka shmangur këtij pretendimi të Davutogllusë, duke e promovuar vizionin e ri politik “Turqia e vitit 2023”.

Turqia dhe regjioni ballkanik – shqiptarët

Deklarativisht, ka një konsensus shoqërorë nga të gjitha komunitetet në shtetet ballkanike (për shqiptarët thuhet se janë populli më pro-evropian), për integrimin në familjen e madhe evropiane. Ideja e integrimit në Bashkimin Evropian është shndërruar në mendim pothuajse programatik. Komisioni për zgjerim pranë Bashkimit Evropian i ka paralajmëruar vendet e Ballkanit Perëndimorë se deri në vitin 2025 duhet t`i evitojnë të gjitha pengesat për të përfituar nga rasti historik për integrim në valën e re të zgjerimit të BE-së. Në fund të dokumentit përmendet edhe fakti për rrezikun e aktiviteteve të Moskës: “…ku Rusia vërshon në planin mediatik me fushatën anti-EU, duke nxitur nacionalizmin serb me marrëveshjen e realizuar për furnizim me armatim”, theksohet, mes tjerash, në raportin e Presidentit te Komisionit Evropian Jean Claude Juncker.

Procesi i kushtëzuar me reforma në drejtësi, forcimi i institucioneve shtetërore, pushtetet e ndara, përafrimi i legjislacionit vendor me atë të shteteve të Evropës, lufta e pakompromistë kundër korrupsionit, standardet e kërkuara për anëtarësim, janë zotime që liderët e shteteve ballkanike e kanë të vështirë t´i përmbushin. Liderët politikë në Ballkan më shumë kujdesen për vokabularin për t´u dukur evropianë sesa për ta sjellë mendësinë e modelit qeverisës të shtetit funksional.

Në një situatë të këtillë të pritjes fuqizimi i Turqisë në rajon është i dukshëm. Turqia, në raport me shqiptarët, pavarësisht se cila qeveri ka qenë në pushtet, historikisht ka ndërtuar marrëdhënie të mira. Shqipëria dhe Kosova, për nga interesimi i diplomacisë turke, janë prioritet i interesit nacional turk. Kjo është dëshmuar me rastin e pranimit të pavarësisë dhe lobimit për rritjen e numrit të shteteve që do ta njohin shtetin e Kosovës. Kurdo që është tensionuar situata politike herë pas here me grekët, Turqia gjithmonë është radhitur në anën e interesave shtetërore të Shqipërisë. Bashkëpunimin shtetëror me shqiptarët, së paku deri tani, pala turke asnjëherë nuk e ka kushtëzuar me zhvillimet politike në vend. Shqiptarët janë shikuar si aleat historik, me miqësi të ndërtuar edhe për shkak të trashëgimisë kulturore dhe historike. Ndihma e ofruar nuk është se është kushtëzuar me procese në llogari të ndryshimeve të orientimeve politike e kulturore, fjala vjen me ndryshimin e diskursit integrues nga Bashkimi Evropian, gjë që nuk mund të pohohet edhe për involvimin e Rusisë në politikën e Ballkanit. Disa e mbrojnë mendimin se Turqia nuk ka pse kthehet në Ballkan, sepse gjeografikisht, historikisht dhe kulturalisht është pjesë e Ballkanit. Madje, hulumtuesja e njohur bullgare Marija N. Todorave, në librin e saj “Ballkani imagjinar”, thotë se vetëm pas ardhjes së osmanëve në Ballkan, regjioni filloi të thirret me emrin Ballkan.

Papërgjegjësia e elitave shqiptare

 Kujtesa historike te shqiptarët e interpreton periudhën e sundimit osman si pushtuese e dhunuese. Ky kualifikim për periudhën e sundimit osman është formulim i historiografisë studimore zyrtare gjatë periudhës komuniste në Shqipëri. Edhe pse i ideologjizuar, në qarqet akademike e shkencore shqiptare vazhdon të mbetet e vërteta e vetme shkencore. Ky refleksion historik bëhet problematik, pasi tenton ta përcaktojë edhe bashkëpunimin politik e gjeostrategjik me Turqinë edhe në kontestin aktualitetit bashkëkohor. Shoqëritë dhe kombet e zhvilluara ka kohë që papajtueshmëritë historike ia kanë adresuar shkencës së historisë. Me qëllim që pengesat historike mos të ndikojnë në formimin aleancave të reja të bashkëpunimit ekonomik, kulturorë e ushtarak, fjala vjen ngrehina e Unionit Evropian është bërë në një truall ku janë zhvilluar luftëra të përgjakshme ose edhe lindja e aleancës së fuqishme anglo-amerikane ka lindur pas një periudhe të gjatë të konfliktit dhe luftërave të ndërsjella. Në qarqet shkencore akademike serbe roli i Turqisë shikohet si orvatje për rikthimin e një neoosmanizmi të ri në Ballkan. Mbrojtës i kësaj hipoteze është studiuesi i njohur serb, filologu, orientalisti, diplomati, ish-ambasadori në Vatikan e Ankara, dr. Darko Tanaskoviq, i vlerësuar lart në Serbi për kontributin e madh që Kosova mos të pranohet në UNESCO. Paralel kësaj fryme antiosmane e antiturke, me nacionalizmin serb, është edhe një frymë e mendimit edhe nacionalizmi shqiptarë. Pika përbashkuese e këtyre nacionalizmave, edhe pse historikisht armiqësore, është qëndrimi i përbashkët antiosman, antiturk etj. Për dallim nga nacionalizmi dhe elitat politike shqiptare, elitat politike serbe, për shkak të interesit ekonomik, po tregohen shumë më pragramtike në raport me Turqinë. Kujtojmë rastin kur ministri i jashtëm serb performon aftësitë e tij prej këngëtari duke ia kënduar presidentit turk këngën e Osmon Agës. Neoosmanizmi, si nocion shkencërisht ende i palëvruar, politikisht është i ekzagjeruar. Neoosmanizmi, si term gjeopolitik, për shkencat sociale mund të ketë kuptim vetëm për nga perspektiva komparative. Do të ishte në rregull vetëm nëse do të flisnim ngjashëm edhe për neogjermanizëm, neoanglizëm, neorusizëm e të ngjashme. Përderisa për vendet e tjera, që tentojnë ta zgjerojnë fuqishëm ndikimin politik në regjion, nuk hasim në neologjizma të tillë, sigurisht se përdorimi i nocionit noosmanizëm është i tepruar. Ata që i bëjnë vërejtje kësaj teorie, mendojnë se nuk bëhet fjalë as për neoosmanizëm, as për rikthim spektakular të Turqisë në Ballkan, por bëhet fjalë për eksplorimin e zonave të reja të interesit ekonomik në strategjinë e re të politikës turke, ku nuk bënë përjashtim as Ballkani.

Shkenca shqiptare, siç duket, ende nuk e ka filozofuar çështjen shqiptare. Nuk kemi një studim serioz dhe shkencërisht bindës për pamundësinë që shqiptarët ta shkruajnë historinë. Në mungesë të kësaj është historia me dinamikën e saj ajo që e ka shkruar shqiptarinë. Është bërë i rëndomtë konkluzioni se fajtori kujdestar për gjithë këtë dështim është qëndrimi armiqësor i të huajve ndaj neve, e në veçanti pushtimi pesëshekullor turk në hapësirat shqiptare. “Prandaj duket se grupi social që ka përfituar më së shumti nga pushtimi osman janë historianët shqiptarë. Për çdo pyetje e kanë përgjigjen e gatshme, pa nevojën për të menduar: na ka lënë prapa Perandoria Osmane dhe fajin e ka pushtimi i gjatë osman!” (fq. 10, 2011. Feraj)

Nëse një shtet forcohet ose jo, kjo nuk varet vetëm nga faktorët e jashtëm. Janë politikat progresive të brendshme, që e faktorizojnë rolin dhe zgjerimin e ndikimit politik të një shteti, kombi ose shoqërie. Në dukje është e qartë se Turqia është duke u forcuar dhe dëshiron ndikimin e vet ta zgjerojë edhe në rajon, andaj shqiptarët duhet të mendojnë edhe për aleanca më të fuqishme kombëtare, regjionale, përveç atyre ndërkombëtare EU-SHBA. Turqia është dëshmuar si aleat besnik edhe në historinë moderne të shqiptarëve pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, andaj shqiptarët nuk duhet t`i shmangen rregullit të artë në diplomaci për t´u treguar të padenjë në ndërtimin e aleancave ndërshtetërore. Ngritja e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërshtetëror nuk njeh miqësi të përhershme, por njeh interesa te përhershme, që operojnë në marrëdhëniet ndërmjet shteteve.

Në këtë drejtim, përderisa respektohet sovraniteti i ndërsjellë mes dy popujve miq, shqiptarë dhe turk, miqësia dhe aleanca në planin politik, strategjik e ekonomik me shtetin turk duhet të forcohet edhe më shumë./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne