Ku kanë zgjedhur të studiojnë shqiptarët jashtë

Numri i studentëve shqiptarë që zgjedhin të studiojnë jashtë përllogaritet të jetë 24,372 studentë, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të UNESCO-s. Rreth 80% e tyre kanë zgjedhur të studiojnë në vendet fqinje, Itali dhe Greqi, për vitin akademik 2016-2017.

Shteti me numrin më të lartë të studentëve shqiptarë edhe për këtë vit mbetet Italia, me rreth 11,460 studentë, megjithëse ka shënuar rënie me rreth 177 studentë krahasuar me një vit akademik më parë.

Destinacioni i dytë me numrin më të lartë të studentëve shqiptarë është Greqia me 7,339 studentë. Edhe Greqia ka pësuar rënie nga viti i kaluar në numrin e studentëve. Një vit më parë në universitetet greke studionin 8,209 studentë shqiptarë, rreth 870 më shumë se në vitin akademik 2016-2017.

Destinacionet që po njohin rritje

Numri i studentëve shqiptarë që shkojnë në Turqi për të studiuar thuajse është dyfishuar krahasuar me vitin akademik të mëparshëm. Nga 471 studentë që ndiqnin studimet në vitin akademik 2015-2016, numri i tyre ka arritur në 775.

Europa Perëndimore është ndër rajonet më të preferuara të studentëve kudo në botë, por edhe i shqiptarëve. Vendet ku shqiptarët janë përqendruar më shumë në Perëndim janë: Gjermania me 559 studentë, Franca me 434 studentë, Austria me 285 studentë, Mbretëria e Bashkuar me 247 studentë dhe Zvicra me 95 studentë.

Rritje të numrit të studentëve shqiptarë kanë njohur dhe vendet e ulëta, si Holanda (110 studentë), Belgjika (60 studentë), Luksemburgu (studentë).

Në vendet nordike, Finlandë, Norvegji dhe Suedi, studiojnë 106 studentë shqiptarë.

Vendet e rajonit preferohen më pak

Në rajonin e Ballkanit, shqiptarët kryesisht preferojnë që të studiojnë në Rumani dhe Bullgari, ku numërohen përkatësisht 272 dhe 224 studentë shqiptarë.

Në Maqedoni, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të UNESCO-s, numri i shqiptarëve që studiojnë atje është 91, ndërsa në Serbi studiojnë 20 studentë nga Shqipëria, në Kroaci 6 studentë dhe në Bosnjë 4.

Jashtë kontinentit

Nuk janë të paktë edhe studentët që studimet e tyre kanë zgjedhur që t’i kryejnë jashtë kontinentit europian. Nga 24 mijë studentët që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë, 682 prej tyre janë vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rreth 75 në Kanada, 31 në Australi, 10 në Brazil dhe vetëm 1 në Zelandën e Re.

Ka dhe nga ata që kanë zgjedhur vendet e Magrebit për të studiuar. Nga të dhënat, 26 studentë kanë vendosur që të studiojnë në Egjipt, 8 studentë studiojnë në Jordani, 4 në Marok, 7 në Emiratet e Bashkuara Arabe, 1 në Katar dhe 208 studentë studiojnë në Arabinë Saudite.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne