Ku lind dielli i shqiptarëve?

Mënyra se si trajtohet sot procesi i integrimit në BE është shqetësuese, pasi ai është shenjtëruar në atë pikë sa është pothuaj blasfemi ta kritikosh. Sa më shumë rritet dëshpërimi me situatën politike dhe ekonomike në vend, aq më shumë integrimi shikohet si e vetmja rrugë shpëtimi, duke e dog¬ma¬tizuar kështu procesin deri në atë pikë saqë ai bëhet krejtësisht i pakontestueshëm, mbi dhe jas¬h¬të debatit publik” (B. Kajsiu – cituar nga vepra “Jam Europë” e EnisSulstarovës).

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup

“Jam Europë” është një libër prej atyre që, ndonëse të kanë kaluar para syve, kur e merr ta rishfletosh, e vëren se ka pasur gjëra që mund dhe duhet t’i shohësh dhe t’i rishikosh paksa më ndryshe seç kërkon një lexim konvencional i një libri. Autori i këtij libri, Enis Sulstarova, me një ndjeshmëri të hollë shkencore, ia ka dalë që pa tifozeri e ndikim nga diskursi publik e politik, por si një studiues, ta përshkruajë në mënyrën më të mirë marrëdhënien e shqiptarëve me Europën, duke sjellë njëherazi edhe pasqyrimin e shqiptarëve për Orientin dhe Oksidentin.
Sot shqiptarët, siç pohon në citatin mësipërm Blendi Kajsiu, por edhe shumë politikanë shqiptarë gjithandej, e veçmas disa politikanë – gati injorantë të Maqedonisë – pa pasur ndonjë formim të mirë intelektual dhe pa e ditur saktë se çfarë pohojnë, e përsërisin një refren patetik “Për shqiptarët dielli lind në Perëndim”. Ndonëse për dëgjuesit e kësaj fjalie është e qartë se bëhet fjalë për një slogan retorik, pa përmbajtje e vetëm për përfitime momentale politike, ne nuk do të merremi me përfitimet ose manipulimin që e bëjnë, por do të mjaftohemi duke thënë se pikërisht ata që flasin për Europën, sillen krejt në kundërshtim me sjelljet e një politikani të rëndomtë europian.
Meqë shqiptarët në shtetin osman ishin bërë më osmanlinj se vetë turqit, meqë Shqipëria e Ismail Qemalit dëshmoi mungesën e kapacitetit shqiptar për të bërë shtet të mirëfilltë e të plotë, meqë Zogu – me admirimin e tij për Perëndimin – ia fali Shqipërinë Italisë, meqë Enver Hoxha neve na fali në Jugosllavi, ndërsa Shqipërinë e shëtiti herë në Beograd, herë në Moskë e herë ne Pekin dhe meqë nga viti 1990-të shqiptarët vazhdojnë ta përsërisin refrenin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ose, këta tanët, “Për shqiptarët dielli lind në Perëndim”, ia vlen që ta bëjmë një shqyrtim më të thellë sa kanë qenë/janë seriozë shqiptarët në këto deklarime, sa janë ato deklarime të qëndrueshme dhe a paraqesin ato agjendë e vizion apo thjesht janë flluska, me të cilat disa shqiptarë arrijnë ta mbajnë pushtetin.

Ta duash tjetrin më shumë se vetveten

Sa për ta pasur parasysh më saktë idenë e këtij shkrimi, do t’i përcjell disa shembuj të kësaj dalldie shqiptare ndaj të fortit, duke shprehur kështu një inferioritet dhe pafuqi të plotë. Kështu, nëpër dokumente arkivore thuhet se kur kryengritësit shqiptarë erdhën në Shkup në gushtin e vitit 1912-të, Isa Boletini ishte shumë i brengosur për Sulltanin e internuar në Selanik dhe gati sa nuk shkoi ta shpëtojë. Ndërkaq, vetëm një vit më vonë Serbia e mori Kosovën e trojet shqiptare të Maqedonisë, ndërsa Greqia tashmë e kishte vënë kufirin në jug, duke e mbajtur Çamërinë, që më vonë do ta spastronte krejt nga elementi shqiptar mysliman. Një sjellje pak a shumë të ngjashme në vitin 1914-të e dëshmonte edhe Haxhi Qamili, i cili nuk e kishte hallin që shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze po zhbëheshin, por e kishte hallin e kthimit të “Babës”, andaj me kryengritjen e tij desh e dogji Shqipërinë.
Në të vërtetë, marrëdhënia e shqiptarëve me “të fortët” ka këso shembuj plot: që nga periudha e Betejës së Kosovës, kur shqiptarët (atëbotë arbrit) e krishterë ishin në anën e Car Llazarit, ndërsa ata myslimanë në anën e Sulltan Muratit, e deri në vajtjen e Asim Vokshit e Xhemal Kadës në betejën e Spanjës kundër fashizmit në kohën kur Serbia po bënte shpërnguljen e zhbërjen më të madhe të shqiptarëve nga trojet e tyre. Ky admirim për tjetrin ose ky projektim i suksesit tonë në projektet e tjera të mëdha është shprehur edhe më pas dhe shqiptarët, për fat të keq, nuk kanë arritur ta projektojnë suksesin në fuqitë e tyre ose nuk e kanë lexuar drejt e saktë veprën monumentale të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘është dhe ç’do të bëhetë”, se fuqia e një kombi nuk vjen nga jashtë, por buron nga brenda.

Një admirim të tillë inferior e shprehte Zogu për Perëndimin, sepse në kohën e tij epiqendra e fuqisë politike ishte kthyer në Perëndim. Dhe, në këtë drejtim ai aq shumë e thelloi bashkëpunimin me Italinë, saqë një ditë erdhën italianët, e morën Shqipërinë dhe e bënë pjesë të Mbretërisë së Italisë, ndërsa “mbreti” shqiptar ia mbathi, për të mos e parë më kurrë vendin e tij. Në vend që të bënte një ushtri të fuqishme, në vend që kërkonte zgjidhje për arsimin, kulturën dhe mirëqenien ekonomike të shqiptarëve, ai – pak a shumë si sot – thoshte se “shpëtimi i shqiptarëve ishte në Perëndim” dhe mjaftohej me aq. Një muaj pas ku¬ro¬rë¬zi¬mi¬t si mbret ai deklaronte: “Ne jemi shekuj të tërë mbrapa pjesës tje¬të¬r të Evropës së qytetëruar… Unë jam i ven¬dosur ta qy¬te¬tëroj popullin tim dhe ta fus atë sa më shumë në rru¬gën e mësimit të zakoneve dhe më¬nyrës së jetesës pe¬rëndimore”. (Tamam si disa politikanë shqiptarë sot gjithandej.) Dhe, e dimë se çka ndodhi pastaj: në vend që ai ta fusë Shqipërinë në Europë, Italia fashiste u fut në Shqipëri.

Arratisjet shqiptare

Edhe termi “arratisje”, në kuptim të ikjes nga njëri pol i fuqisë në tjetrin, është një term që e përdor Enis Sulstarova, madje ai e ka një libër tjetër me titull “Arratisje nga Lindja”. Kuptimi i tij është se sa herë që shqiptarët e kanë ndryshuar kursin e tyre orientues, janë arratisur nga poli paraprak, madje e kanë shpallë atë fajtorin kryesor për gjendjen në të cilën gjenden. Fjala bie, për Haxhi Qamilin Princ Vidi ishte një “qafir” i pasynetuar dhe, si i tillë, nuk meritonte t’i udhëheqë shqiptarët, për jugosllavët dhe enveristët Perëndimi ishte “imperialist” dhe “robërues i popujve të vegjël”, ndërsa sot Lindja (osmane/turke dhe Moska e Kina) janë fajtori kryesor që shqiptarët janë në këtë gjendje. Gjithnjë fajin e ka dikush tjetër, por jo edhe ne vetë. Për këtë Sulstarova shkruan: “Tani me “Lindje” etiketohet si Peran¬do¬ria Osmane (herë-herë së bashku me Perandorinë Biz¬a¬n¬tine), po ashtu edhe komunizmi. Shenjuesi “Lin¬dje” është filli që i lidh së bashku regjimet os¬mane dhe komuniste në Shqipëri, duke i vendosur ata në një ma¬rrëdhënie shkakësore: komunizmi shqiptar është rrje¬dhojë dhe vazhdues i trashëgimisë osmane dhe azi¬a¬tike në Shqipëri! Osmanët, sovjetikët, kinezët dhe komunistët shqiptarë shfaqen si përfaqësues të Azisë, e cila kërkon ta veçojë Shqipërinë nga vendi i saj në Evropë”.
Këtu më poshtë po i japim dy shembujtë arratisjes së shqiptarëve, një herë nga Perëndimi e, së fundmi, nga Lindja.

Arratisja nga Perëndimi

Duke qenë shqiptar i lindur në ish Jugosllavi, edhe vetë jam dëshmitar për admirimin që shfaqnin shumë shqiptarë për Jugosllavinë. Mjafton të shihet letërsia shqipe në Jugosllavi, që ka prekur edhe shkrimtarë si Ali Podrimja, e të mos flasim për bajraktarët e realizmit socialist, si Sinan Hasani, kur Jugosllavia e Titos madhërohej deri në hyjnizim. Kjo, madje, kishte arritur të prekë edhe në këngët popullore shqiptare, duke krijuar një cikël këngësh historike për Titon dhe Jugosllavinë, siç është edhe kënga mjaft e njohur në atë kohë “Marshall Tita zog bylbyli”.
Janë pa fund artikuj e libra që janë shkruar nga “studiues” shqiptarë, veçmas të Kosovës, por edhe të Maqedonisë, si edhe mijëra vepra në poezi e prozë, që kanë bërë shpëlarjen e trurit shqiptar, duke na bindur se “Agimi shqiptar e Milloshi serb ishin vëllezër” (siç na mësonin nëpër tekste shkollore) e se Boro e Ramizi ranë për “idealin e njëjtë”. Madje, edhe kur filluan problemet shqiptare me Jugosllavinë, jugosllavët shqiptarë ishin të bindur se Jugosllavia ishte një shtet i mirë për shqiptarët dhe se “Shoku Tito na donte të gjithëve njësoj” (kjo ma kujton një tregim në libër të leximit në shkollë fillore me titull “Tito na shikon të gjithëve”), porse ishin serbët ata që e prishnin Jugosllavinë. Dalldia shqiptare për Jugosllavinë nuk ka pushuar as sot, pas një çerekshekulli qëkur ka përfunduar ajo. Edhe sot gjen shqiptarë (ose familje të përziera shqiptaro-serbe) në Beograd, që e vuajnë pse u prish Jugosllavia, sepse “në të të gjithë ishim të lumtur”.

Kjo frymë, tashmë në trajta të tjera, kohëve të fundit po ngre krye edhe në Maqedoni.
Ndonëse sindromi jugosllav nuk gjen ndonjë justifikim, sepse është admirim për një shtet që e vazhdoi pushtimin serb mbi shqiptarët dhe nuk ua njohu shqiptarëve të drejtën e vetëvendosjes, jam i sigurt se inferioriteti më i madh ndaj të huajve dhe projektimi i vetes në fuqinë e tjetrit, që edhe na ka kushtuar më së shumti, është enverizmi. Këtu po e kujtojmë plenumin e jashtëzakonshëm të KQ të PKSH, të mbajtur me 18-20 dhjetor 1946, ku Enver Hoxha deklaronte: “A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresiste. Pra, në këtë situatë, përkundrazi, duhet të bëjmë ç’është e mundur që kosovarët të vëllazërohen me jugosllavët… Ata që nuk e kuptojnë këtë, ne e kemi për detyrë t’i luftojmë”. Ndërkaq, në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ-së të PKSH-së, të mbajtur më 5 janar 1948, ai shprehej kështu për Titon: “Sekretar i Përgjithshëm nuk jam unë, por Mareshali. Ne jemi parti si partitë e republikave të tjera me sekretarët e saj, me vijën e njëjtë me të tjerat”.

Pasi që i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe u orientua drejt Bashkimit Sovjetik, gjithë diskursi publik në Shqipërinë e asaj kohe, ashtu si në romanin “1984” të Orwellit, ndryshoi dhe atëherë “shpëtimi dhe suksesi” i shqiptarëve projektohej në aleancën me BRSS-në dhe në mësimet e Leninit dhe të Stailinit. Kësaj prirje nuk ka mundur t’i rezistojë as shkrimtari i madh shqiptar, për të cilin kam respekt të lartë si shkrimtar, por jo edhe si mendimtar, Ismail Kadare. Kështu, me rastin e vdekjes së Stalinit, më 1953, ai do ta shkruante një poezi, ku do ta vajtonte këtë “humbje të madhe” të atij që ai e quante “baba”:

Dhe ja tani, mes heshtjes, në eter,
Një zë i njohur, qartë po dëgjohet.
Në emër tonë sot, shoku Enver,
Përpara tij betohet.

Në gjysmë shtizë flamurët era tund,
Gjëmime topash ndihen në hapësirë;
I jep Stalinit turma e pafund,
Të fundit lamtumirë.

Pra, lamtumirë mik i madh, babà!
Çdo zemër i thotë sot lamtumirë.
Së bashku me Leninin krah për krah

Ndërkaq kur Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe u kthye kah Kina, Arif Vladi e bëri këngën e njohur:
“Enver Hoxha e Mao Ce Duni,
janë si buka e një brumi.
Janë si malet legjendare,
rroftë e qoftë vëllazëria kinezo-shqiptare”.

Arratisje nga Lindja

Dhe, kur ra Jugosllavia, kur ra edhe enverizmi, shqiptarët në vend që ta kishin marrë mësimin se fuqia e një kombi buron nga vetvetja, nga vizioni dhe projekti i kombit për suksesin e tij, slogani më i dëgjuar më 1990-tën ishte pikërisht “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ose, këndej, “Dielli i shqiptarëve lind në Perëndim”.
Në këtë frymë edhe autori i poezisë së dikurshme për Stalinin, që e sollëm më sipër, botoi një libër me titull “Identiteti evropian i shqiptarëve”, duke na bindur se ne kemi qenë dhe do të mbetemi vetëm evropianë, se kemi pasur disa pauza fragmentare të shkëputjes nga “trungu mëmë”, porse shqiptarët po i kthehen përsëri Europës. (Kur t’i besohet më shumë atij: kur e vajtonte Stalinin apo kur e vajton Brukselin?).
Dalldia patetike për Europën ka arritur, madje, në shkallë irracionale, siç mund të bindemi nga ky tekst i Mustafa Nanos: “Ajo që duan shumica e shqiptarëve është inte¬grimi; integrimi me çdo mjet e me çdo rrugë. Me çdo çmim gjithashtu. Edhe me çmimin e bjerrjes së identitetit. Sikur të merrnin pjesë në një refe¬ren¬dum, në të cilin do t’u duhej t’i përgjigjeshin pyetjes se, a janë të gatshëm të paguajnë koston e deshqiptarizimit total për t’u bërë pakthyesh¬më¬risht pjesë e Evropës, nuk e di pse jam i sigurtë, që shumica e tyre nuk do të mendohe¬shin dy he¬rë për të thënë ‘po’”. (Europa destinacioni X (integrimi si dëshirë dhe si sfidë), Korbi, Tiranë, 2002)
Kjo që e ka thënë Nano është, në fakt, diskursi i gati të gjithë politikanëve shqiptarë, natyrisht jo me kaq shprehshmëri publike, por – kur sheh se në fushatat e tyre “integrimi evropian” është togu më së shumti i përdorur – nuk mund të mos na asocojë kjo në këtë konstatim të Mustafa Nanos.

Mbështetja në fuqinë autoktone

Meqë “shqiptarin europianist” e kemi më të afërt, na bie të komentojmë se ky politikan shqiptar e përdor këtë slogan njësoj siç e përdorte Haxhi Qamili “Dum Babën”, njësoj siç e donte Zogu Perëndimin, duke ia lënë Italisë Shqipërinë, njësoj siç e donte Sinan Hasani e Rrahman Morina Jugosllavinë dhe njësoj siç e admironte Kadareja Stalinin, si edhe Enveri Titon, Stalinin dhe Mao Ce Dunin. Ky nuk është admirim i sinqertë, as ndonjë vizion i mirëmenduar, por shpreh më shumë inferioritetin dhe pafuqinë për ta projektuar një sukses mbi fuqitë e brendshme. Sot “i adhuruari” nuk është në Beograd, Moskë ose Pekin, por është në Bruksel. Matrica është e njëjtë – ka ndryshuar vetëm poli. Në vend se fuqia jonë të burojë në Tiranë, Prishtinë ose Shkup, ndërsa integrimin në BE-në ta shohin si hap strategjik për avancimin e demokracisë dhe krijimin e shteteve tona të suksesshme, shqiptarët – me hipokrizinë e njëjtë si paraardhësit e tyre – edhe sot vazhdojnë të përjargen para perëndimorëve, duke u shtyrë mes vete se cili është më europianist. E, në anën tjetër, kanë prodhuar sisteme arsimore të politizuara dhe të pafrytshme, kanë prodhuar sistem të drejtësisë gati komplet të korruptuar (kujtoni vetëm faktin se në Kosovë kemi Gjykatë Speciale, në Maqedoni Prokurori Speciale dhe në Shqipëri e kemi vetingun, që janë dëshmi e kapjes së drejtësisë vendore), kanë prodhuar varfëri që e stimulon shpërnguljen shqiptarëve, ndërsa ata vazhdojnë ta përsërisin “integrimin evropian”. Një slogan i ri, me aktorë të rinj, por me një matricë të vjetër mashtruese.
Pas kësaj përvoje sado të shkurtër në jetën publike dhe në opinionin publik, jam bindur se shqiptarët nuk e kanë seriozisht e sinqerisht as me Europën, por e duan vetëm pushtetin dhe të fortin. Sikur shqiptarët ta donin vërtet Europën me gjithë mend, nuk do ta bënin punën për gjykata speciale, për prokurori speciale, për “veting”, për vendosje në “lista të zeza” e për shndërrimin e vendit të tyre në “Kolumbi të Ballkanit”, por do të merrnin shembull nga Zvicra ose Suedia e zhvilluar, që ta projektojnë një shtet të tillë edhe në vendin e tyre.

Prandaj sot, kur edhe zyrtarët më të lartë të BE-së thonë se, së paku, deri në vitin 2025 nuk do të ketë zgjerim të BE-së për Shqipërinë, Kosovën dhe Shqipërinë, në kohën që Britania e Madhe ka vendosur të dalë nga Unioni, në kohën që edhe disa vende të tjera evropiane shfaqin shenja të këtilla, detyrimisht shtrohen pyetjet: kah do ia mbajnë shqiptarët nëse nuk arrijnë t’i përmbushin detyrimet për integrim në BE?; çka nëse edhe përsëritja patetike shumëvjeçare e këtij slogani nuk rezulton me sukses?; cila do të jetë agjenda e ardhme e shqiptarëve?
Duke qenë i prirë (edhe si politikan) të mendoj se, në këto rrethana, ne detyrimisht duhet t’i përmbahemi agjendës euo-atlantike, kjo për arsye se nuk kemi shteg tjetër dhe ne vetë nuk po arrijmë të prodhojmë shtete të suksesshme, megjithatë do të doja që shqiptarët të fillojnë të mendojnë edhe për versionin e dytë, më të keq, se çka nëse shqiptarët mbeten duke pritur në dyer të BE-së dhe nuk arrijnë ta prekin ëndrrën?
Për këtë arsye jam i mendimit se ne duhet të përpiqemi të prodhojmë politika autoktone dhe autentike, që do të mbështeten në kapacitetet tona dhe që do të na projektojnë si komb i suksesshëm në Europë. Ta bëjmë Europën në vendet tona para se të integrohemi zyrtarisht në Europë. Në këtë askush nuk na ndalon dhe nuk na pengon.

Në këtë drejtim, meqë nuk mund të shpresojmë që, së paku në plan afatshkurtër, të jemi fuqi ushtarake, mendoj se çelësi i suksesit të shqiptarëve (edhe në Maqedoni) është krijimi i një sistemi arsimor cilësor dhe konkurrues me botën, që sigurisht mund të bëhet me një investim të mirë në këtë drejtim, pastaj duhet të punojmë në ngritjen e jetës kulturore shqiptare, që e ndërton dhe fuqizon identitetin shqiptar (veçanërisht urban), ndërsa synimi jonë duhet të jetë krijimi i mirëqenies ekonomike, që sigurisht se i ndihmon dy aspektet e sipërpërmendura dhe garanton qëndrueshmëri afatgjate në këmbët tona. Dhe, për këtë – siç thashë – nuk na pengon askush dhe nuk na ndalë askush. Madje, as kufijtë që i kemi si komb mes vete.

Fundja, siç thotë prof. Qosja në polemikën me Kadarenë: “Është e nevojshme që parullat e Ismail Kadaresë për identitetin tonë evropian t’i zëvendësojmë me përpjekje të sinqerta, këmbëngulëse, të vazhdueshme që të sjellin Evropën në jetën tonë: shtetin e së drejtës, demokracinë e vërtetë, kulturën politike, gjedhen kulturore kritike, standardet e vlerat evropiane. Vetëm kështu do ta shpejtojmë integrimin në Evropë”.
Nëse ne jemi të fuqishëm në shtëpinë tonë, çfarëdo që të ndodhë në botë, ne jemi të rëndësishëm dhe mund ta luajmë rolin tonë. Në të kundërtën, mund të vajtojmë e të qajmë që të fortit të na marrin me vete, por duhet ta dimë se ata i marrin vetëm ata të cilët u vlejnë më shumë ose prej të cilëve kanë më shumë interes. Në këtë frymë edhe po e përfundoj këtë tekst: “Shqiptari i fuqishëm në shtëpinë e tij është detyrim – integrimi është interes”./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne