Kufijtë e Kosovës, Thaçi sulmon ashpër Berishën: Strehove Bin Ladenin, ndihmove Millosheviçin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është përplasur sot me ish-kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha. Ky i fundit ka dalë kundër propozimit të Thaçit për rishikim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë. Deklaratat Berisha i bëri gjatë një takimi me përfaqësues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Të pranosh idene e ndarjes së Kosovës në një mënyrë apo në një tjetër mbështet idenë dhe përpjekjen e Beogradit për Serbinë e Madhe në kurriz të Kosovës. Në rajonin tonë, zona me tre komuna minoritare si Mitrovica janë disa dhe hapja e një precedenti që kerkojnë serbet në Mitrovicë do minonte paqen dhe stabilitetin në mbare rajonin.’ – ka thënë Berisha në takim.

Pas kësaj deklarate është kundërpërgjigjur ashpër presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se Kosovës nuk i duhen këshilla nga ata që e kanë ndihmuar Sllobodan Milloshevicin, në vitet e luftës me Kosovën, duke i shitur naftë, në kohën kur Jugosllavia ishte nën sanksione. Thaçi shkon edhe më tej duke thënë se këshilla nuk i duhen as prej atij që ka strehuar Osama Bin Landenin dhe ka arrestuar Adem Jasahrin dhe komandantë tjerë të UÇK’së.

“Institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike. Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviqit. Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës. Nuk i duhen këshillat e atyre që burgosën komandantin legjendar Adem Jashari, si dhe komandantë të shquar si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajazit, dhe UÇK-në e etiketuan si terroriste. Këta që sot kundërshtojnë vullnetin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës për bashkim me Kosovën, janë të njëjtit që Presidenti Rugova për së gjalli nuk i lejoi ta shkelin tokën e Kosovës. Këshillat e tyre i takojnë kohës së turpit të historisë shqiptare”, thuhet në deklaratën  Hashim Thaçit.

Presidenti i Kosovës ka disa ditë që i mëshon idesë së korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Ai nuk e quan ndarje të Kosovës këtë proces, ndonëse është e paqartë se si Serbia do të lëshojë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin që t’i bashkohet Kosovës, pa marrë veriun e Kosovës.

“Ky proces, nëse tregohemi të mençur dhe të bashkuar, do të përmbyllet me njohje reciproke Kosovë – Serbi, dhe Kosova do të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare: në BE, NATO dhe OKB. Nuk duhet t’i përsërisim gabimet siç na ndodhën me vonesën për themelimin e Ushtrisë së Kosovës apo dhe me votimin e vonuar të demarkacionit me Malin e Zi”, sqaron Thaçi në deklaratën e tij.

Por deri më tani s’kemi ende një qëndrim të qartë nga Ëashingtoni dhe Brukseli. As Tiranë zyrtare nuk ka folur rreth deklaratave të fundit të presidentit Hashim Thaçi. Kosova dhe Serbia janë prej disa vitesh në një proces dialogu me ndërmjetësimin e Brukselit, proces që pritet të përmbyllet vitin e ardhshëm.

Burimi: Lapsi.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne