Shkruan: Fadil MALOKU

1.Një nga temat më aktuale që ndërlidhen me realitetin e sotëm socio-politik, kulturor dhe ekonomik është padyshim ai i globalizmit. Edhe pse thuhet se është i vështirë për t’u “kapur” me kompetencën e dioptrisë sociologjike (nga shkaku se dukuritë dhe fenomenet që janë në lëvizje e perfeksionim të vazhdueshëm është vështirë për t’i diagnostifikuar), prapëseprapë atraktiviteti dhe përvoja empirike kujtoj që duhet të jenë një motiv shtesë për të kuptuar esencën e reflektimit të këtyre proceseve globale në zhvillimet dhe proceset tona lokale e rajonale.

2.E them kështu, sepse sot asgjë nuk mund të zhvillohet pa ushtruar ndikime interaktive në proceset tjera qofshin globale apo ato lokale. I tërë ky proces i ushtrimit të ndikimeve gjithnjë me pretekste të një rrjetëzimi marramendës dhe të një shtrirje të gjithanshme horizontale, e padyshim edhe vertikale, është e natyrshme që s’ pari t’i prodhojë e më pastaj t’i fuqizojë si shkaqet ashtu edhe pasojat e veta specifike.

3.Në anën tjetër, duhet thënë që në debatet e sotme akademike rreth procesit të globalizmit, ka mendime, dyshime, shqetësime, rekomandime e lloj-lloj sugjerime të natyrave të ndryshme. Këto me këmbëngulje e mbrojnë qëndrimin se: e gjithë kjo çfarë po ndodh në botën e sotme, në formë procesi, tendence, e për dike edhe trendi në të gjitha poret e jetës shoqërore, politike, ekonomike, sociale e sidomos ushtarake e kulturore, në fakt nuk është asgjë tjetër përveç një lloj miti i ngritur me qëllim nga grupe të ndryshme interesi global që për qëllim kanë dezorientimin e shoqërive të dala nga komunizmi.

4.Këtë qëndrim e mbrojnë sot shumë sociologë të perëndimit e edhe të vendeve të tranzicionit dhe të atyre që janë në fazën e “zhvillimit të mbikëqyrur” (term i ri në literaturën sociologjike), ashtu siç jemi ne në Kosovë. Zaten, lirisht mund të gjykojmë se Kosova në një mënyrë apo tjetrën është rasti i parë (meqë shumica pajtohen: rast “sui generis”) i eksperimentimit të idesë së sovranitetit në kushtet dhe rrethanat e proceseve globale, por që tani nuk është objekt i analizës sonë sociologjike.

5.Gjithashtu, ka edhe të tillë që pa kurrfarë rezerve e hamendjeje e pranojnë si diçka normale e besa edhe si një proces e tendencë e rëndomtë por, gjithsesi të domosdoshme në rrethanat e pas rënies së komunizmit.
Pra, duke i studiuar këto këndvështrime të reja dhe çka është më interesant, me përplot dyshime dhe herë herë edhe të ngarkuara me doza ideologjizmash, të mbushet mendja sikur koncepti i globalizimit mund të identifikohet dhe padyshim edhe të shpjegohet vetëm me terma dhe gjuhë tipike mitike!?

6.Pranimi i një debati të kësaj natyre, dosido na bënë që të mendojmë se këtu paskemi të bëjmë me një konspiracion global të disa elitave të përzgjedhura nga vetvetja e tyre, ku për çdo mëngjes në rrokaqiejt e mëdhenj atje diku në thellësi të New Yorkut apo të ndonjë megapolisi tjetër, përveç prognozave rreth motit, bëjnë edhe plane konspirative se si ta sundojnë botën e shekullit XXI?!

7.Në anën tjetër duket e pabesueshme, që me gjithë këtë revolucion teknologjik, ky farë “Big Brother”-si “konspirativ”, po arrin që përveç shkallës së lartë të menaxhimit me jetën, zhvillimin, emancipimin tonë global, pra vënies së plotë të kontrollit mbi ne, të bëjë edhe shpëlarjen e trurit!. Pra të amputojë konceptet e sjelljes sociale, politike, ushtarake e sidomos kulturore për gjitha ecuritë dhe proceset globale që po ndodhin në botën tonë reale?! Për mua një konstatim i tillë, i pa argumentuar me parametra para së gjithash empirik shkencor (apo dikush do të thoshte: pa informata të qarta )është një lloj absurditeti i llojit të vet që vetëm ata që kanë mendjen dhe bindjen obskurante mund të gjykojnë kështu…!

33