Stefan Collini

I

Sot çështja e rolit dhe të ardhmes së universiteteve po ngjall një debat të fuqishëm jo vetëm në Holandë[1], por ngado nëpër Evropë e gjeitu. Këto debate marrin një formë karakteristike në ato vende – si për shembull Holanda apo vendi nga vij unë[2] – ku sistemi universitar i financuar nga shteti është ndërthurur tradicionalisht me një nivel të lartë autonomie akademike për universitetet. Ndonëse ka mjaft larmi brenda dhe midis sistemeve kombëtare, ekziston një grup ngjashmërish midis atyre që, për t’i rënë shkurt, mund t’u referohemi si modeli evropian i universitetit. Pikërisht këtu çështja e llogaridhënies publike është shtruar në mënyrën më urgjente. Por njëlloj siç nuk duhet që rënia shkurt të na ngatërrojë dhe të shohim uniformitet aty ku ka larmi të madhe, as nuk duhet të biem në grackën e parokializmit kohor që supozon se këto çështje i përkasin vetëm të tashmes. E vërteta është se shoqëritë kanë dashur gjithnjë që universitetet e tyre të përmbushin qëllime të ndryshme, të cilat nuk janë gjithmonë në përputhje me njëra-tjetrën, dhe se universitetet ngaherë kanë qenë pjesërisht të dëgjueshme dhe pjesërisht rezistuese ndaj këtyre kërkesave të gjera shoqërore. Ndonëse struktura e kësaj dinamike i reziston kohës, përmbajtja ndryshon: ashtu siç nuk e konsiderojmë më zotërimin e formave të vargjeve latine dhe greke si shënjues të zotnillëkut – term që do të ishte ne vetvete problematik nga pikëpamja klasore dhe gjinore – edhe shoqëritë nuk mendojnë se qëllimi kryesor i universiteteve është të përgatisin klerikë për kishën dhe zyrtarë për shtetin.

Prapëseprapë, zor se mund t’i shmangemi ndjesisë se sot jemi përballë një momenti delikat dhe të kontestuar në këtë marrëdhënie të gjatë, në kushtet ku financa globale po i jep botës fytyrën e saj. Shtysa formuese e shoqërive bashkëkohore është fitimi në raport me kapitalin e investuar, çka çon në përfundimin se qëllim parësor është kontributi në rritjen ekonomike dhe mjet shtrirja e konkurrencës së tregut. Lind dyshimi se në rastin më të mirë universitetet janë të parëndësishme, kurse në më të keqin bllokuese të kësaj agjende. Kësisoj, mbi universitetet ushtrohet një trysni e fortë që të ndryshojnë karakterin e aktiviteteve të tyre në mënyrë që t’u shërbejnë më mirë qëllimeve ekonomike. Njëkohësisht, shtrirja e ideve të llogaridhënies demokratike e shtyn shoqërinë të kërkojë mekanizma për të testuar dhe matur performancën e universiteteve, njëlloj si të gjitha industritë dhe shërbimet e tjera, duke u dhënë jetë kësisoj të tjera tensioneve, të cilat lindin për shkak të tentativës për të përdorur disa indikatorë të besueshëm sasiorë të cilësisë intelektuale; cilësi e cila, në instancë të fundit, nuk mund të matet, por vetëm të gjykohet.

Pas debateve aktuale se kujt i përket universiteti qëndron tensioni midis kërkesave të shoqërisë dhe afirmimit universitar të autonomisë intelektuale. Afërmendsh, nuk bëhet fjalë për statusin ligjor të universiteteve, por se kush vendos se çfarë duhet të bëjnë universitetet dhe se konceptimi i kujt mbi qëllimin e tyre duhet të ketë më shumë peshë. Për këtë çështje më kanë thirrur të flas, po jam i mendimit se duhet të kemi një këndvështrim më pak individualist, më pak pronësor dhe më pak të kufizuar në brezin e sotëm.

Megjithëse, sigurisht, nuk ka ndonjë thelb akohor të “universitetit”, mendoj se ka një histori të gjatë – rrënjët e të cilës gjenden që në kohën e Wilhelm von Humboldt-it në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë – të marrjes së universiteteve për hapësira pjesërisht të mbrojtura, në të cilat thellimi i kuptimit ka përparësi ndaj qëllimeve më afatshkurtra dhe instrumentale. Kjo ide ka qenë e fuqishme dhe, në një farë mase, elastike. Shumë institucione të themeluara sipas një modeli tjetër, si institute trajnuese teknike apo kolegje komunitare, kanë aspiruar të fitojnë statusin dhe lirinë e universitetit, por asnjë universitet nuk ka marrë rrugën e kundërt. Një pjesë e kompleksitetit të historisë së universiteteve në shumë shoqëri evropiane qëndron në ndërveprimin e dy modeleve. Nga njëra anë, universitetet e hershme u janë përgjigjur shpesh trysnive për të mirëpritur subjekte të reja apo arsimuar studentët në mënyra të reja, si rezultat i ndryshimit të kërkesave ekonomike dhe shoqërore. Po nga ana tjetër, institucionet e themeluara me qëllime të caktuara lokale apo afatshkurtra kanë shfaqur dora-dorës prirjen e përkushtimit më shumë ndaj formave afatgjata dhe të painteresa të kërkimit intelektual. Kritikët kanë pretenduar herë pas here që universitetet t’u përshtaten qëllimeve të vlefshme shoqërore, si për shembull studimi dhe mësimdhënia mbi tema “të dobishme”, dhe jo të merren me ato që ndonjëherë stigmatizohen si disiplina akademike “të padobishme”.

Po e vërteta është se dallimi midis “të dobishmes” dhe “të padobishmes” është një ngrehinë retorike që nuk ka përmbajtje fikse apo të caktuar. Kërkimi intelektual është në vetvete i paqeverisshëm: siç na mëson historia e shkencës, kur ekziston liria akademike, askush nuk mund të parashikojë se ku do të na shpien mendimi dhe analiza. Thuhet nganjëherë se në universitete dija kërkohet “për hir të vetvetes”, mirëpo diçka e tillë mund ta keqpërshkruajë larminë e qëllimeve të llojeve të ndryshme të dijes. Më e udhës është që jetën intelektuale të universiteteve ta përshkruajmë si vijon: shtysa drejt kuptimit nuk mund të pranojë asnjë pikëmbërritje arbitrare dhe kritika, së paku në parim, mund të na dëftojë se çdo pikëmbërritje e pranuar hë për hë është mbramësisht arbitrare. Kur nuk burgoset në një detyrë instrumentale të caktuar, kuptimi njerëzor është i pandalshëm, ecën gjithmonë përpara, ndonëse jo në një drejtim të vetëm, të fiksuar apo të njohshëm tërësisht, dhe për asnjë moment gjatë këtij rrugëtimi nuk mund të themi në përgjithësi apo në mënyrë abstrakte se niveli i kuptimit të kërkuar ka kaluar nga e dobishmja në të padobishme.

Me fjalë të tjera, nuk është fusha e studimit ajo që përcakton nëse diçka, në një moment të caktuar, klasifikohet si “e dobishme” apo “e padobishme”. Thuajse çdo fushë mund të futet në secilën prej kategorive: studimi i klasikëve ishte i dobishëm për shtetarët dhe administratorët e modernitetit të hershëm, ashtu siç fizika teorike mund të duket e padobishme për sipërmarrësin bashkëkohor. Çështja është nëse kërkimi në një fushë të caktuar kryhet me vulën e pakufishmërisë – domethënë nuk karakterizohet vetëm nga testimi i hipotezave dhe korrigjimi i gabimeve, siç ndodh me zhvillimin e të gjitha dijeve, por e vendos kërkimin e hapur të kuptimit si përparësi në raport me çfarëdo zbatimi apo pasoje të ndërmjetme. Mund të thuhet se diçka e tillë është shënjuese e një disipline akademike dhe, për këtë arsye, përpjekjet për t’i kthyer universitetet në institucione ku studiuesit dhe studentët merren vetëm me çka është “e dobishme” do të dështonin. Sigurisht që një përpjekje e tillë do të sillte dëme të pariparueshme dhe nuk po propozoj që ta flemë mendjen. Porse të gjitha orvatjet për të kuptuar në mënyrë sistematike një fushë të caktuar nxisin refleksioneve të mëtejshme mbi kufizimet dhe premisat e këtij kuptimi, të cilat nuk mund të ndërthuren apo t’u nënshtrohen nevojave të ditës. Për më tepër, nevojat e ditës vjetrohen fare shpejt, çka nuk ndodh me format e kërkimit që kanë rezultuar prej tyre, ose të paktën ato shkrihen në kërkime më të gjera. Kohë pas kohe ndodh që qeveritë apo të tjerë përfaqësues të “nevojave të supozuara të shoqërisë” orvaten t’i ridrejtojnë këto energji në ndonjë drejtim praktik të modës, çka shpjegon pjesërisht lëvizjet e mbështetësve të “së dobishmes” kundër “të padobishmes”.

Brenda asaj që po e quaj hapësira pjesërisht e mbrojtur e universitetit zhvillohen lloj-lloj përgatitjesh të dobishme për jetën, në një kuadër dhe sipas një mënyre që i inkurajon studentët të kuptojnë kontingjencën e çfarëdo pakete dijesh specifike dhe ndërveprimet e saj me format e tjera dijeje. Për këtë qëllim, mësuesit duhet të angazhohen për të kapërcyer vazhdimisht kufijtë e paketës së dijeve që japin mësim dhe nuk ka se si të paracaktohet se cilat do të jenë mënyrat e dobishme apo të padobishme të realizimit të këtij angazhimi. Arsimimi universitar nënkupton se për një farë kohe studentët ushtrohen në kërkimin shkencor në një fushë të caktuar. Mirëpo ky kërkim, në vetvete, nuk ka ndonjë qëllim tjetër përpos thellimit të kuptimit të asaj fushe. Dallimi më i kollajtë që bëhet midis arsimimit universitar dhe trajnimit profesional është se arsimimi relativizon dhe vendos vazhdimisht në pikëpyetje informacionin që trajnimi thjesht e përçon. Në këtë kuptim, arsimimi i inkurajon studentët të vetëdijesohen për mënyrat se si copëzat e veçanta të dijes nuk janë të fiksuara, të përjetshme, universale apo të vetëmjaftueshme. Kjo vlen për thuajse të gjitha fushat e studimit, por mund të realizohet vetëm duke u marrë me një fushë të caktuar studimi, jo duke përthithur një grup pohimesh abstrakte rreth karakterit kontingjent te dijes; dhe sa më e përpunuar dhe e sofistikuar të jetë tradita e kërkimit në një fushë të caktuar, aq më kërkues dhe rigoroz do të jetë procesi i kuptimit dhe i ndryshimit të tij. Thënë ndryshe, arsimimi universitar duhet të jetë më së shumti arsimim në një disiplinë, ndonëse çka po ndodh është arsimimi përmes një disipline.

Marrëdhënia dialektike midis trysnive lokale afatshkurtra dhe kërkimit shkencor të hapur e afatgjatë mund të ilustrohet prej historive të universiteteve në vende të ndryshme. Më lejoni, gjithsesi, të marr një shembull nga vendi që njoh më mirë. Prej mesit të shekullit XIX e tëhu, kryebiznesmenët e qyteteve të mëdha provinciale që ishin zhvilluar në Britani si rezultat i Revolucionit Industrial – qytete si Birmingami, Mançesteri, Lidsi etj. – mbështetën themelimin e institucioneve që do t’i përgatisnin të rinjtë (asokohe jo edhe aq të rejat) për një karrierë në tregti a industri dhe do të bënin shpikje e zhvillonin procese që do t’u shërbenin industrive lokale. Universitetet ekzistuese si Oksfordi dhe Kembrixhi perceptoheshin si të largëta, konservatore, klerikale dhe të pavlefshme në raport me nevojat e këtyre qendrave industriale në lulëzim e sipër. Universiteti i ri i Birmingamit, kësisoj, do të përmbante një “Fakultet të Tregtisë” – çka përfaqësuesve të universiteteve tradicionale do t’u dukej oksimoron – kurse Universiteti i Mançesterit, në kryeqytetin e industrisë së pambukut, do të kishte një laborator që bënte kërkim shkencor në industrinë tekstile.

Gjithsesi nuk shpëtojmë dot nga ajo që unë e quaj “pakti faustian” midis universiteteve dhe shoqërisë. Një institucion që dëshiron të zhvillojë shkencën e aplikuar ka nevojë për mësues që zotërojnë shkencën e kulluar, e cila shërben si themel i së parës, dhe ky kufi është gjithnjë në lëvizje. Një institucion që dëshironte të mësonte tregtinë u shtrëngua shumë shpejt që të punësonte mësues të parimeve të ekonomisë apo të historisë. Po ashtu kishte vend edhe për çka mund të quhet krenari qytetare apo një lloj snobizmi kulturor, përmes të cilëve kush dëshironte që universiteteve të tyre lokale t’u bëhej vend midis institucioneve të mëdha botërore të arsimit të lartë e dinte mirë se duhet të kishte edhe departamente matematike, astronomike, fizike apo gjuhe e letërsie klasike. Aq të forta ishin këto impulse, saqë që në fillim të shekullit XX shkolla më e rëndësishme e historianëve të mesjetës në Britani nuk gjendej në qendrat e vjetra universitare, por në Mançester.

Këtë ide mund ta ilustroj edhe më konkretisht – përmes një shembulli tërësisht konkret – duke iu referuar fasadës së ndërtesës kryesore të Universitetit të Birmingamit, i cili e fitoi përfundimisht statusin e universitetit të pavarur më 1901. Kur një biznesmen lokal i suksesshëm, i quajtur Josiah Mason, themeloi një kolegj në qytet thuajse gjysmë shekulli më parë, ai kishte këmbëngulur se kolegji duhej t’i përkushtohej “arsimimit dhe mësimit sistematik që u shërbenin veçanërisht kërkesave praktike, mekanike dhe artistike të manifakturave dhe sipërmarrjeve industriale të distriktit të Midlandit… duke përjashtuar arsimimin dhe mësimin e humanistikës.” Bëhej fjalë për pohimin e një qëllimi shoqëror në formën e vet më arrogante. Sidoqoftë, në dekadën e parë të shekullit XX, kohë kur po ngriheshin ndërtesat e reja, mbizotëronte ideja se theksi duhej vënë në qëllime universitare me dinjitet më të madh. Për pasojë, tri nga katër pjesët kryesore të fasadës së Hollit të Madh simbolizonin llojet e ndryshme të industrisë, duke iu referuar shkencave të aplikuara, mirëpo e katërta, mbi hyrjen qendrore, sinjalizonte tjetërçka, që mendohej të ishte emblema e “të mësuarit”; pra, siç thuhej asokohe, “i referohej funksionit të universitetit në tërësinë e vet”. Ky mesazh u bë edhe më i qartë përmes vendosjes së nëntë statujave në qoshet e hyrjes kryesore. Në fillim pati një farë tensioni midis dëshirës për të vendosur figura që lidheshin me distriktin e Midlandit dhe asaj të përzgjedhjes së përfaqësuesve të atyre që asokohe quheshin “njerëz të mëdhenj të të gjitha kohërave.” Çka solli në pretendime të çuditshme: për shembull, kompozitori Felix Mendelssohn u propozua ngaqë shfaqja e parë e pjesës së tij Elia ishte dhënë në bashkinë e Birmingamit. Iu dëgjua zëri grupeve të caktuara të interesit: Fakulteti i Tregtisë propozoi Adam Smith-in, Fakulteti i Ligjit Francis Bacon-in. Në fund, kompromisi dhe oportunizmi i pashmangshëm i komitetit përzgjedhës vendosi për nëntë figura, të cilat stolisin edhe sot hyrjen qendrore.

Përpara se t’ju heq kureshtjen duke shpallur fituesit, më lejoni të vë në dukje praninë e dy supozimeve të shekullit XX që sot kanë më pak ndikim. Njëri ka qenë përnderimi i një kodi të bashkërenduar të një përfytyrimi tërësisht të parelativizuar të kulturës, kurse tjetri gjendej në shtysën për t’i shprehur bindjet e rëndësishme publike nëpërmjet statujave. Ndjeshmëritë moderne janë jo vetëm më pak të prira për të predikuar duke gdhendur mbi gur, por edhe më pak respektuese ndaj Njerëzve të Mëdhenj – dhe jo thjesht pse këta zakonisht konsiderohen burra. Mirëpo drejtuesi i parë i universitetit të ri, Oliver Lodge-i, këmbëngulte se në përzgjedhjen e figurave përfaqësuese duhet të kemi një këndvështrim të gjerë sepse – sipas tij – “universiteti në të ardhmen do të përmbajë të gjitha degët e studimit dhe jo vetëm degët teknike që janë të nevojshme sot.”

Statujat e përzgjedhura për të përfaqësuar këtë ideal u ndanë në tri grupe. Në njërën anë ishin Darwin-i, Faraday dhe Watt-i; në anën tjetër Beethoven-i, Virgil-i dhe Michelangelo-ja; kurse treshja e qendrës përfshinte Shakespeare-in, Platonin dhe Newton-in. Ishte kompromis i mençur; shkenca dhe inxhinieria përfaqësoheshin nga Faraday dhe Watt-i, të cilët ishin me origjinë nga Midlandi; shkencat biologjike nga Darwin-i i madh, që vinte nga konteja fqinje e Shropshairit, kurse matematika dhe fizika nga i pavdekshmi Newton. Dhe, sigurisht, Shakespeare-i, që vinte Stratfordi i afërt, ishte si biçim çun lagjeje që ia kishte dalë mbanë. Ç’është e vërteta lidhjet midis Platonit, Beethoven-it, Virgil-it dhe Michelangelo-s ishin ca më të zbehta, por ama sinjalizonin ambicien e universitetit për t’u bërë – duke përdorur sërish fjalët e Lodge-it – jo thjesht një institut i teknologjisë së aplikuar, por “shkollë e kulturës së përgjithshme sipas traditës madhështore evropiane”.

Mund të merresha më gjatë me këtë shembull, por besoj kuptohet se ku dua të dal. Universitetet u përgjigjen nevojave lokale, por ato marrin nga një trashëgimi më e gjerë dhe, për pasojë, i përkasin edhe një të ardhmeje të hapur. Askush, madje as biznesmenët e pasur lokalë që japin donacione të mëdha, nuk mund të përcaktojë karakterin e tyre. Çka më kthen në çështjen se kujt i përket universiteti. Ndonëse nuk po merrem me këtë çështje nga pikëpamja ligjore, në këtë pikë do të ishte me vlerë të huazonim një term nga kuadri ligjor që rregullon shumë prej institucioneve publike dhe bamirëse të botës anglishtfolëse, si p.sh. muzetë, galeritë dhe universitetet. Trupa të tilla vendosen shpesh herë në duart e një bordi kujdestarësh. Sigurisht që kujdestari nuk është pronar. Kujdestarët kanë detyra dhe detyrime të shumta, por nuk kanë të drejtë pronësie. Vetë kategoria e kujdestarit na çon te pyetja se në emër të kujt kujdesen ata për institucionin e tyre. Për këtë pyetje duhet të mendohemi përtej brezit të sotshëm.

II

Gabimi konceptual fatal i sistemit të ri financues të universiteteve që hyri në fuqi më 2012 në Britani qëndron në faktin se i trajton tarifat studimore si pagesë që klienti individual i detyrohet një shitësi institucional për shërbimin specifik që merr në të tashmen. Përkundrazi, baza e mirëfilltë e financimit të arsimit duhet të ketë trajtën e një kontrate shoqërore përmes të cilës secili brez kontribuon në arsimimin e brezave të ardhshëm. Nuk mund të jetë shërbim specifik pasi “klienti”, në trajtën e studentit, nuk ka mundësi të dijë paraprakisht se çfarë të mirash do të përfitojë nga arsimimi universitar. Dhe nuk mund t’i detyrohet një shitësi institucional të vetëm për shkak se çdo universitet është veç një pjesë e botës së dijes: asgjë nga ç’u jep studentëve të tyre nuk do të ekzistonte nëse nuk do të merrte nga puna e shumëkujt brez pas brezi në sa e sa universitete të tjera. Çka quajmë “tarifë” nuk është në të vërtetë çmimi i një produkti: është një sipërmarrje për të kontribuar në koston e sistemit. Në këtë kuptim, më shumë i ngjan taksës: siç është taksa një detyrim që qytetari, si anëtar i shoqërisë, paguan për të mbajtur në këmbë shoqërinë, ashtu edhe tarifa universitare u ngjan më shumë kontributeve të sigurimeve shoqërore në Britani, që bazohen në parimin e solidaritetit njerëzor përballë rreziqeve dhe shanseve të përbashkëta të jetës. Diçka e tillë theksohet edhe më shumë kur, si në rastin e sistemit të ri në Britani apo në Australi, tarifa paguhet përmes huave qeveritare që studentët duhet t’i shlyejnë tridhjetë vitet e ardhshme sipas një skeme të bazuar te të ardhurat personale. Kjo duhet ta vërë akoma edhe më në dukje faktin se studentët nuk po paguajnë për bibliotekat dhe laboratorët ku studiojnë apo për trajnimin dhe rrogat e pedagogëve të tyre, përderisa shpenzime të tilla bëhen shumë kohë më parë. Ata po paguajnë për mirëmbajtjen e këtyre faktorëve në të ardhmen, madje në të ardhmen e largët.

Për më tepër, universitetet nuk i përmbushin qëllimet e tyre thjesht nëpërmjet mësimdhënies formale që ofrojnë, por duke i dhënë jetë një atmosfere më të gjerë kërkimi shkencor të hapur. Ndonëse ka hierarkitë e saj, jeta akademike është thellësisht demokratike në një kuptim: në parim argumentet dhe provat janë sovrane, pavarësisht se kush i artikulon ato. Më lejoni të përdor një histori personale për të ilustruar sa më sipër. Po e përdor në mënyrë të paturp si një parabolë të idealizuar, dhe të vetmet justifikime që kam për të treguar një histori personale janë se, së pari, ka ndodhur vërtet dhe, së dyti, më bën të dukem qesharak.

Kur kam qenë student mora pjesë në darkën vjetore në të cilën studentët e vitit të fundit bashkoheshin me pedagogët e kolegjit të tyre. U ula pranë një burri goxha më të vjetër të cilin nuk e kisha takuar kurrë më parë. Gjatë mbrëmjes u ndez një diskutim mbi çështje të tilla si bazat e ligjit dhe kufijtë e rregullimit ligjor të sjelljes njerëzore. Atë javë kisha filluar të lexoja veprat klasike mbi teorinë e utilitarizmit nga Jeremy Bentham-i dhe John Stuart Mill-i për lëndën e historisë së mendimit politik. Kështu që, me ndihmën e verës së bollshme të kolegjit, m’u duk se kisha boll opinione brilante për të dhënë. Nisa të debatoj me këtë burrë të vjetër me gjithë vetësigurinë e një njëzet e një-vjeçari që, pak javë më parë, as që kishte dëgjuar për utilitarizmin, ama që tashmë e dinte me siguri se ku qëndronin gabimet e kësaj teorie dhe se pse asnjë njeri i arsyeshëm nuk mund ta mbështeste atë. Ai m’u përgjigj me seriozitet dhe takt, por edhe me një farë energjie. Debati duhet të kishte vazhduar gjatë pasi befas vura re se shumica e të ftuarve kishin ikur dhe punonjësit e shërbimit po nisnin të pastronin tavolinat. Përpara se të ndaheshim, bashkëbiseduesi më tha me mirësjellje se diskutimi i ishte dukur shumë interesant. Rashë në shtrat i vetëkënaqur sa më s’ka se ia kisha treguar vendin mbi defektet e dukshme të pozicionit të tij të cekët teorik.

Të nesërmen mësova nga një shok student se kush ishte bashkëbiseduesi im: hiç më pak se profesor Glanville Williams-i, asokohe eksponenti më i vlerësuar botëror modern i teorisë ligjore dhe politike të utilitarizmit. Sa s’më ra pika. Po me kalimin e viteve nisa ta admiroj gjithnjë e më shumë atë që bëri Glanville Williams-i atë mbrëmje. Ai nuk më foli me arrogancë apo vetëmburrje, as më injoroi: me sa duket më mori seriozisht si një njeri me të cilin ia vlente të debatonte, çka e kishte bërë, mbi të gjitha, duke iu kundërvënë argumenteve të mia të cekëta me argumente më të mira. Mendoj se atë mbrëmje më dha një mësim të mirë jo vetëm mbi utilitarizmin, por edhe mbi domethënien e universiteteve, që përfshin mendimin se liria për të bërë gabime është e rëndësishme në procesin e mësimit. Sigurisht që duke e kthyer këtë përvojë të përzgjedhur në anekdotë ilustruese, heshtazi po e idealizoj; po fundja nuk është edhe aq keq në kontekstin e ceremonisë së sotme.

Glanville Williams-i ka vdekur prej kohësh dhe me gjasë tani jam vetë në kushtet ku brezat e sotëm të studentëve më shohin si burri i vjetër anës tavolinës. Po ndjenja e detyrimit për të përcjellë te të tjerët diçka të vlefshme, që një herë e një kohë na është përcjellë edhe neve, duhet të përbëjë një bindje të fortë dhe modeste – modeste sepse të gjithë ne duhet të jemi të vetëdijshëm se jemi xhuxhë të hipur mbi shpatullat e gjigandëve; të fortë sepse kërkimi shkencor mirëfilli i hapur është energjik dhe vetëmbështetës në pafundësi, një energji që nuk mund të shtypet apo bllokohet pavarësisht se sa dogmatikë dhe budallenj mund të jemi hera-herës. Ashtu si argumentet pro dhe kundër utilitarizmit nuk i përkisnin Glanville Williams-it më shumë nga ç’i përkisnin një njëzet e një-vjeçari kokëngjeshur si puna ime, edhe universiteti – kuadri i domosdoshëm ku mund të zbulohen dhe zhvillohen pa fund argumente të tilla – nuk i përket asnjë pale në të tashmen.

Një prej karakteristikave më goditëse të studimit dhe shkencës si thellim i kuptimit dhe dije ekzakte ka të bëjë me faktin se ç’pjesë e vogël e tyre është krijuar nga mbajtësit aktualë të posteve universitare. Ajo që “klienti” “blen” prej një universiteti nuk është “produkt” apo “shërbim” që e ka krijuar universiteti në fjalë: është qasja në një trashëgimi intelektuale dhe kulturore komplekse që vetëm sa mirëmbahet dhe përcillet në të tashmen nga përpjekjet e ndërthurura të studiuesve dhe shkencëtarëve të të gjithë botës, një popullatë e cila është gjithnjë në lëvizje dhe në rinovim e sipër. Thënë troç, një universitet i vetëm dhe i izoluar është mirazh, po aq i papërfytyrueshëm dhe i pakuptimtë sa modeli Robinson Kruzo i “njeriut ekonomik” që pati kritikuar Marksi shumë kohë më parë.

Pyesni veten se ç’pjesë e librave dhe artikujve që ngarkohen të lexojnë studentët e Leiden-it, apo se ç’pjesë e pajisjeve që përdorin dhe eksperimenteve që përsërisin, janë shkruar apo krijuar nga stafi akademik i aktual i këtij universiteti. Nëse nuk mund të themi se kujt “i përket” një ide që është hedhur për herë të parë pesëdhjetë apo njëqind vjet më parë, por sot diskutohet në seminare dhe laboratorë anembanë botës, po ashtu nuk mund t’i përgjigjemi tamam pyetjes se kujt “i përkasin” universitetet në të cilat artikulohen të tilla ide. Natyrisht, ne kemi krijuar instrumente ligjore si e drejta e autorit, patentat apo në përgjithësi pronësia intelektuale, por pjesa më e madhe dhe e rëndësishme e asaj që ndodh në mësimdhënie dhe në kërkimin shkencor ka të bëjë fare pak me këto instrumente. Me të drejtë mund të më kërkohet të paguaj për lejen e riprodhimit të poezisë së një poeti të gjallë apo të vdekur rishtazi. Mirëpo për gjithë çka ndodh në mendjen dhe imagjinatën e lexuesve të poezisë, për krejt vëmendjen kritike të akumuluar që i mbivendoset, për të gjitha krahasimet me sa e sa poezi të tjera që janë pjesë e karakterizimeve dhe gjykimeve të saj, për gjithë njohurinë e gjuhës apo formave të vargjeve ose të historisë që supozohet të jetë pjesë e çdo diskutimi mbi të – “pronarëve” të së drejtës mbi sa më sipër nuk u paguajmë gjë sa herë hapim gojën apo ulemi përpara tastierës.

Si të gjitha institucionet e tjera shoqërore, universitetet janë zhvilluar me kohë përmes një procesi që përmban edhe rastësinë, edhe planifikimin – një proces që merr forma të ndryshme në periudha dhe vende të ndryshme, që nuk e kuptojmë krejtësisht dhe nuk e kemi tërësisht në kontroll. Ndoshta mund të imagjinojmë një botë ku universitetet nuk kanë ekzistuar kurrë; mund të imagjinojmë me siguri një botë ku ato janë shumë të ndryshme nga sot – në të vërtetë, pasardhësit tanë mund të jetojnë në një botë të tillë së shpejti. Sido që të shkojnë punët, do të ishte budallallëk të mos njihnim vlerën e pamatshme që ka përfituar njerëzimi nga pasja e institucioneve në të cilat zgjerimi i kufijve të kuptimit të tashëm nuk është qëllim dytësor apo instrumental, që drejtohet thjesht kah pasoja të caktuara e lokale, por arsyeja kryesore e ekzistencës së tyre.

Ky arsyetim përputhet me forma të ndryshme financimi dhe qeverisjeje, siç e tregon bukur fort historia e larmishme e arsimit të lartë dhe nuk po sugjeroj se ky këndvështrim dikton një bashkësi përgjigjesh ndaj pyetjeve që shqetësojnë aktualisht këtë apo atë vend. Por do të sugjeroja që ky këndvështrim të kishte një efekt modest mbi çdo përpjekje për t’i trajtuar universitetet tërësisht si biznese, fitimet e të cilave mund të llogariten me saktësi, apo për t’i trajtuar pedagogët si operativë produkti i të cilëve duhet matur me ekzaktësi, ose për t’i trajtuar studentët si konsumatorë plotësimi i dëshirave të të cilëve duhet të jetë i vetmi kriter i rëndësishëm i suksesit arsimor. Premisat e individualizmit të tregut na shtyjnë të mendojmë në termat e të drejtave të pronësisë – personale, ekskluzive dhe të detyrueshme. Edhe thjesht përmes shtrimit të pyetjes se “kujt i përket universiteti?” rrezikojmë të biem pre e kësaj gjuhe – gjuhë e cila, si ngaherë, është më shumë se gjuhë – dhe rrezikojmë të humbim kapacitetin për të artikuluar konceptimin e një sipërmarrjeje kolektive, por të paprekshme, që kalon nga koha në kohë, i përket të shkuarës dhe të ardhmes dhe që nuk është pronësi e asnjë individi, grupi, institucioni apo brezi.

I kuptuar kësisoj, universiteti sigurisht që nuk i “përket” qeverisë në Hagë, madje as entitetit të vagullt të quajtur “shoqëri holandeze”, apo qytetarëve të mirë të Leiden-it; nuk u përket as taksapaguesve apo donatorëve, sado të rëndësishme qofshin kontributet e tyre; nuk u përket profesorëve që nganjëherë u duket vetja si i vetmi element i rëndësishëm dhe as studentëve që hera-herës duket se ngrenë një pretendim simbolik duke e vënë në kontroll një institucion që mendojnë se u përket me të drejtë; nuk i përket, pavarësisht madhështisë së titullit të tij, as Rektorit të Madhërishëm, as stafit mbështetës që mund të thoshin duke përdorur vargjet e Brecht-it “në fillim hahet dreka, pastaj studiohet”. Universitetet u përkasin në të njëjtën masë edhe figurave të gravuara në fasadën e Universitetit të Birmingamit, edhe atyre që Edmund Burke-u i quante “brezat që nuk kanë lindur akoma”; ashtu sikundër ky universitet i veçantë i përket njëlloj si studentit të vitit të parë që sapo ka hyrë në përvojën më entuziaste, kokëçarëse dhe intensive të jetës së tij; ashtu edhe hijeve të Hugo Grotius-it dhe Johan Huizinga-s. Nëse reflektimi kohë pas kohe mbi pyetjen e papërgjigjshme se kujt i përket universiteti ka ndonjë vlerë, ajo ka të bëjë me faktin se na kujton, në mes të rrethanave të vështira politike dhe financiare, se jemi vetëm kujdestarët për brezin aktual të një trashëgimie intelektuale komplekse të cilën nuk e kemi krijuar ne dhe që nuk na lejohet ta shkatërrojmë.

E përktheu Arlind Qori/ teza11

Marrë nga: Collini, Stefan. (2018). Speaking of Universities. London: Verso

Shënime të përkthyesit:

[1] Zanafilla e këtij shkrimi gjendet në një ligjëratë të mbajtur nga Collini me rastin e fillimit të vitit të ri akademik në Universitetin Leiden të Holandës në shtator të vitit 2015.

[2] Stefan Collini është profesor letërsisë angleze dhe historisë së ideve në Universitetin e Kembrixhit në Britaninë e Madhe.

11