I kujt partie është Balili? Kontratat e reja implikojnë edhe socialistët

Kontrata të tjera të fituara nga familja e të ashtuquajturit “Eskobari i Ballkanit” kanë dalë në media. Bëhet fjalë për ato të nënshkruara nga “Balili & co”, kompani që administrohet nga Bashkim Balili, vëllai i Kelmend Balilit. Të enjten, Bako Balili u denoncua në parlament si përfitues i fondeve publike nga Ministria e Bujqësisë, në kohën kur drejtohej nga Edmond Panariti.
Nga kontrata që zbuloi Erjon Braçe doli se Balialjt përfituan toka me qira dhe fonde publike edhe pasi partnerët e huaj e shpallën në kërkim Klemend Balilin për trafik ndërkombëtar droge.
Denoncimi përforcoi idenë se Balilajt ishin njerëz të lidhur me LSI-në, duke marrë parasysh këtu se njëri prej tyre, Rigels Balili është edhe kryetar Bashkie në Delvinë, i sulmuar dhe akuzuar publikisht nga Edi Rama gjatë fushatës për lidhjet nepotike në bashki.
Por nëse është e vërtetë se kontratat e Bako Balilit njollosin LSI, tani del se ai ka pasur kontrata edhe me socialistët. Open Data e shpërndau njollën e bashkëpunimit me trafikantët e drogës edhe tek Partia Socialiste, kur risolli kontratat e Balilajve me kryebashkiaken socialiste të Sarandës për ruajtjen e godinave të qytetit. Një pagesë e fundit nga këto fonde publike është bërë vetëm pak ditë më parë, sipas dokumentave që ka publikuar Open Data.
Balilajt kanë nënshkruar kontrata edhe me Ministrinë e Kulturës për ruajtjen e Parkut të Butrintit, edhe me Ministrinë e Shëndetësisë për ruajtjen e spitaleve, madje kanë shkuar deri aty sa i është besuar edhe godina e Prokurorisë së Sarandës dhe Gjirokastrës.
Nëse këto kontrata i konsiderojmë si prova të kapjes së partive, dhe nëpërmjet partive të kapjes së shtetit nga “Eskobari i Ballkanit”, rezulton se parave të drogës nuk i ka rezistuar asnjë palë. Kontratat e reja që kanë dalë në media nuk vënë në dyshim asnjë presje nga teoria e Erjon Braçes se Balili u lidh me LSI, por duhet thënë se kur vjen puna për të ndarë para e tendera, bindjet politike tek të gjithë këta, nuk vlejnë as një lek.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne