Skandali i basteve që përfshin skuadrën e Kukësit në Vjenë, po shkon drejt mbylljes. Kompania SportRadar në këtë rast ka implikuar në një çështje pa fakte ekipin e Kukësit, që i është dashur të qëndrojë për rreth 5 orë në polici në kryeqytetin austriak.

Në një intervistë për Top Channel, avokati i ekipit të Kukësit, Klaus Aindter, tregon gjithçka rreth çështjes.

“Përsa i përket skandalit të basteve, kompania zvicerane ‘Sportradar’ u përpoq të tregojë manipulimin për ndeshjen me Dinamo Moskë për faktin që humbëm 6-0. Unë kam në dispozicion dosjen me deklaratat e lojtarëve dhe menaxherëve të skuadrës  të akuzuar. Janë 11 persona që kanë bërë deklarata dhe të gjithë kanë mohuar akuzat për trukim të ndeshjes”, thotë avokati i kuksianëve, Klaus Ainedter.

Avokati austriak thekson edhe një herë se nga kontrollet e telefonëve celularë që policia austriake u ka seksuestruar 11 personave të skuadrës verilindore, nuk është gjetur asgjë për momentin.

“Nuk ka asgjë të re nga telefonat që i ka sekuestruar policia, për këtë arsye jam optimist se kjo çështje do të mbyllet dhe do t’i rikthehet dinjiteti skuadrës dhe lojtarëve. Mund të jetë çështje javësh, ose edhe muajsh, nuk kam diçka të sigurtë për përfundimin e gjyqit”, thotë ai.

Menjëherë pas përfundimit të çështjes avokati i skuadrës së Kukësit ka deklaruar se do të bëjnë gati dhe një padi ndaj “SportRadar”.

“Për fakt të keq është e vërtetë që ngrihen akuza pa fakte. Nëse sheh ndeshjen dhe më pas lexon akuzat, vë re se asgjë nuk ka kuptim. Ka patur edhe për klube austriake, apo rumune me akuza të ngjashme, por nuk ka asnjë sinjalizim për ndryshim koeficientësh, apo transferta parash”, thotë avokati Ainedter.

17