Kule: Raporti britanik tregoi të vërtetën

Rezultati i raportit paraprak të akreditimit nga agjencia angleze ka shqetësuar profesorë, drejtues dhe veçanërisht qytetarët.

Një nga të shqetësuarit është edhe dekani i Fakultetit të Ekonomisë, i cili mbi gjithçka kërkon të sqarojë kuptimin dhe rëndësinë e këtij vlerësimi. Ish-rektori i Universitetit të Tiranës, ka një mendim krejt të ndryshëm nga drejtuesit aktuale.

“Nuk është bërë akreditim i standardeve dhe cilësisë akademike”, shprehet Dhori Kule, dekan i Fakultetit të Ekonomisë.

Por dekani pranon gjithashtu se vlerësimi i britanikëve nxjerr në pah një të vërtetë të madhe.

“Raporti tregoi se nga pikëpamja institucionale Universiteti i Tiranës ka shumë probleme. Nga prilli në shtator kur merret vendimi ka qenë periudha kur ato kanë pritur reagimin e funksionimit të organizmit të Universitetit të Tiranës. Panë që dhe organet që sigurojnë autonominë e Universitetit të Tiranës, që janë organet kolegjiale nuk kanë asnjë reagim. Ka 3 muaj që s’mblidhet Rektorati, Senati nuk e ka marrë asnjëherë në shqyrtim këtë problem”, shprehet Dhori Kule.

Për drejtuesin e ekonomikut, ky rezultat megjithëse mund të ishte evituar ka ardhur në momentin e duhur.

“Agjencia britanike i ka bërë nder të madh institucionit, që bëri prezente ato elementë që do fshiheshin nga brenda. Ne si Dekanat i Ekonomikut do ti kërkojmë MAS që në një periudhë të shkurtër të rivijë agjencia për të korrigjuar të gjitha problemet”, thotë dekan i Fakultetit të Ekonomisë.

Një ditë më parë, rektorati i Universitetit të Tiranës reagoi duke thënë se universiteti i plotësonte dhe për më tepër i tejkalonte standardet. Një dokument që kundërshton raportin e Agjencisë britanike është përgatitur.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne