KULISAT/ Uashingtoni dhe Berlini të ndarë për protestën e opozitës

Prej kohësh në korridoret e politikës shqiptare qarkullon në formën e thashethemnajës hipoteza se përplasja Gjermani- ShBA që po zhvillohet e dukshme në Beograd dhe Prishtinë, po transferohet në një mënyrë të ndryshme edhe në Tiranë. Burime si nga mazhoranca po ashtu edhe opozita, pohojnë se pas CDU-së, me të cilën nuk ka pasur marëdhënie të mira, Edi Ramës ia ka hequr vizën përfundimisht edhe Anxhela Merkel, që pas takimit të tyre të fundit në kancelari, kur kryeministri shqiptar e gënjeu sy për sy për ndarjen e Kosovës.

Shenja të zbehta të këtij ndryshimi marrëdhëniesh janë bërë më të dukshme edhe gjatë protestës së fundit të opozitës. Dy vite më parë, porsa PD u fut në çadër dhe filloi bojkotin, Merkel nxori zëdhënësin e saj, Siebert, për ta dënuar bojkotin dhe daljen nga institucionet.

Sot, Gjermania foli me shumë vonesë dhe po të lexohet me vëmendje, prononcimi i ambasadores Susanne Schütz është shumë më i ndryshëm nga ai i homologes së saj amerikane.

Në deklaratën e ambasadës së ShBA-së, një nga më të fortat që është bërë ndonjëherë që nga koha e miratimit të reformës në drejtësi, ajo që po bën opozita me djegien e mandateve konsiderohej si minim i demokracisë, sabotim i përparimit të vendit dhe i bëhej thirrje hapur deputetëve të PD- LSI të mos i bindeshin liderëve të tyre.

Por, mesazhi i kryediplomates gjermane në Tiranë ka nota krejt të ndryshme. Natyrisht, sipas zakonit, aty dënohet bojkoti dhe dhuna, Por aty vihen re tre element thelbësorë. Së pari për dhunën i tërhiqet vëmendja edhe qeverisë, se dyti përmendet dy herë me emër Ilir Meta si president (pa u zënë në gojë kryeministri), që dihet se kujt kampi i përket dhe, së treti, ndërsa ShBA i bënte thirrje deputetëve për rebelim, Gjermania e quante djegien e mandateve si “një vendim që çdo deputet e mer në mënyrë individuale”.

Natyrisht që diferencat në qëndrimet diplomatike mes Uashingtonit dhe Berlinit janë krejt të dukshme, por gjithësesi, ato janë krejt larg nga shpresat e liderve më optimistë të opozitës që besojnë se tashmë Gjermania jo vetëm ia ka hequr vizën Ramës, por ajo është e hapur edhe për rrëzimin e tij./ lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne