Kullat e Edi Ramës, ja si po shkatërrojnë identitetin e Tiranës

Kjo është kulla Forever Green Tower.(foto më poshtë). Nga dita kur kompania ndërtuese  u shpall fituese dhe deri më sot, kanë kaluar 13 vjet. Sot, siç e shihni, Forever Green Tower, është një ngrehinë karakatinë, që nuk thotë asgjë. Banorët kryeqytetas që kalojnë përbri dhe përballë  saj, në çdo stinë, shohin gjithmonë të njëjtën gjë. Një gri e shpëlarë, që po ta shohësh vetëm të lodh.

Ndërtuesi i kullës, thonë që ka falimentuar dhe nga gjithë ky faliment, ka mbetur kjo gri që shohim këtu. Projektuesi i kësaj kulle është italiani Marco Casamonti, një mik fiorentin i hershëm, nga ata miqtë e zakonshëm që zë jo rrallë, Edi Rama. Karrriera e Kasamontit në Itali është mjaftë e  dyshimtë. Ai është i dënuar në vitin 2008, për një aferë korruptive.

Kasamonti, nuk është vetëm autori i Forever Green Tower, si mik i Edi Ramës, ai është edhe arkitekti i stadiumit të ri, “Arena Kombëtare”. Duke njohur shijet e mikut Rama, Casamonti e hodhi poshtë stadiumin e projektuar nga arkitekti i njohur Italian, Gerardio Bosio, dhe ndërtoi së pari një kullë mbi stadiumin kombëtar. Kjo kullë shërbimesh, e cila po ndërtohet nga kompania Alb-Star, është ndërtuar me shpejtësi, më të madhe sesa stadiumi. Shkatërrimi i stadiumit “Qemal Stafa”, kaloi me kritika të ashpra jo vetëm nga komuniteti i arkitektëve, por edhe nga shoqëria civile.

Kjo është hapësira ku do të ndërtohen 5 kulla, nga 17 kate secila, me një total prej 300 mijë m2 ndërtim. Ideja e këtij ndërtimi zë fill në vitin 2004, me një vendim të kryeministrit Fatos Nano, i cili e nxorri këtë hapsirë nga kufiri i Parkut të Madh të Tiranës, duke e klasifikuar si zonë sportive.

Dy vite më pas, në vitin 2006, kryeministri i asaj kohe Sali Berisha, kryeministri i djathtë në pushtet, nëpërmjet një vendimi të KKRTSH-së, e shpalli këtë hapësirë, zonë ndërtimi duke u dhënë kështu dritën jeshile firmave ndërtuese. Nënvizojmë këtu, se këto kulla do të ndërtoheshin poshtë digës së liqenit të Tiranës.

Në vitin 2008, ish kryebashkiaku i asaj kohe, sot kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama, prezantoi një projekt të një studioje të huaj, po për këtë zonë, ku për herë të parë do të ngriheshin kulla shumëkatëshe. Projekti ishte një marrëzi që nuk u realizua kurrë, pasi parashikohej edhe tharja e liqenit artificial, me qëllim ndërtimin e komplekseve të banimit.

Në vitin 2011, portat politike  u ndërruan dhe në vend të Edi Ramës, kryetari i Bashkisë së Tiranës erdhi demokrati Lulzim Basha. Sapo erdhi në krye të qeverisë vendore, ai shpalli një moratorium, ku ndaloi ndërtimet tek Parku i Liqenit Artificial.

Basha, siç ndodh rëndom me të, nuk e mbajti fjalën.  Pak muaj para mbarimit të mandatit, ai dha në këtë vend, një leje zhvillimore, për ndërtimin e 5 kullave, nga 17 kate secila, me investitor “Gener 2”, pronari i së cilës zotëron një tjetër kullë me 24 kate, e quajtur Aba Center, e cila ka edhe kjo historinë e vet të çuditshme, me dhënie dhe pezullime të herë pas hershme.

Momenti më qesharak ndodh pas ikjes së Lulzim Bashës nga kryetar bashkie. Erion Veliaj erdhi si kryetar i ri, duke shfaqur një ambicie dhe egërsi të hapur kundër ndërtimit të kullave tek diga e Liqenit. Aq i egër ishte Erion Veliaj kundër këtyre ndërtimeve, sa që hodhi në gjyq kompaninë Gener 2 , duke protestuar edhe përpara Gjykatës Administrative.

Ajo që ka mbetur sot nga 5 kullat tek diga e Liqenit, është kjo gropë e madhe e mbushur me mbeturina dhe baltë.

Rastet kur të dy pushtetet, ai i socialistëve dhe i demokratëve, kanë bërë të njëjtën gjë dhe kanë mbështetur të njëjtën njerëz, nuk janë të pakta. Nuk mungojnë rastet kur këto vendime, kanë goditur zona publike të mbrojtura.

Ky pallat që shihni këtu, i quajtur Park Gate  ka nisur ndërtimet në vitin 2015, me lejen e firmosur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, të asaj kohe, Lulzim Basha. Pa i’u dridhur dora,  ai e e nxorri këtë sipërfaqje, nga zona e verdhë e Parkut të Liqenit.

Sapo erdhi në pushtet Edi Rama, premtoi se do të rishikonte të gjitha lejet e ndërtimit e dhëna nga Lulzim Basha. Është interesant fakti se Rama, në këtë rishikim, prishi vetëm objekte të vogla por asnjërën prej kullave, të dhëna deri në atë kohë. Oligarkët, ata që i kishin marrë këto kulla, ishin pjesë e të dy palëve.

Bashkëpunimi politik në lejet e ndërtimit është parë edhe tek kulla Ambasador 3, ndërtim i cili e ka zanafillën në vitin 1998. Edi Rama, kur ishte Ministër i Kulturës, mundësoi privatizimin e tokës ku sot është ngritur Ambasador 3. Më pas në vitin 2012, ishte Lulzim Basha ai që do të jepte lejen e ndërtimit. Edhe pse leja ishte për ndërtimin e një banke të nivelit të dytë, më pas u modifikua duke u kthyer në rezidencë banimi.

Këtu jemi në qendër të kryeqytetit tek Hotel Tirana. Ky hotel është ndërtuar nga ish miqtë  kinezët në vitin 1979. Pronari i saj, me shumë kujdes ka mundur të bashkëjetojë me të dy palët politike. Ndoshta kjo është rruga e vetme që kanë biznesmenët për të mbijetuar. Pronari i ka kërkuar qeverisë, zgjerimin e kapaciteteve akomoduese të Hotel Tiranës.

Dhe shiko ç’bën kryetari i qeverisë, Edi Rama. Aq zemërgjerë dhe aq zemërmadh është kryeministri ynë, saqë, për zgjerimin e kapaciteteve akomoduese, ai i jep një leje ndërtimi mbrapa “15 katëshit”, 3 herë më të madhe  se vetë “15 katëshi”. Kulla do të ketë ngjyrë të florinjtë dhe plot 35 kate, duke siguruar kështu edhe një hije të madhe për hotelit ekzistues. Ndoshta, pasi të mbarojë 35 katëshi i florinjtë, pronari mund të prishë edhe 15 katëshin.

Jemi në kohën, kur Edi Rama i tejngopur me pushtetin e ish kryetarit të bashkisë dhe atij të kryetarit të qeverisë, i jep krah fantazisë dhe dëshirës së vet. Është koha, kur ai shpërthen vërtet. Lejet e fundit, duket që i vënë vulën gjithë ambicies dhe egos së tij.

Qendra e djeshme e Tiranës, është ndërtuar 80 vjet më parë, nga një grup i famshëm arkitektësh Italianë. Gerardio Bosio, Armando Brasini dhe Florestano di Fausto, krijuan një ansambël imperial, me idenë për ta kthyer Tiranën, në kryeqytetin e Ballkanit. Dhe ky ansambël, realisht ishte një fat i madh për Shqipërinë jo urbane, të asaj kohë.

Diktatura 50-vjeçare e Hoxhës, që nuk la asgjë pa prishur e shkatërruar,  ndërhyri shumë pak në këtë ansambël dhe pothuajse nuk e dëmtoi atë. Ndërsa Edi Rama, për 18 vjet rresht, është duke  realizuar asgjësimin e madh të këtij ansambli unik.

“Eyes of Tirana” është një kullë e cila, do të ndërtohet në qendër të kryeqytetit. Ajo është projektuar nga kompania daneze Henning Larsen Architects dhe është fituesja e një konkursi arkitekture në vitin 2003, organizuar nga ish-Kryebashkiaku Edi Rama. Ndërtimi duhet të kishte filluar në vitin 2005 dhe të kishte mbaruar në vitin 2007, por projekti u shty me 10 vjet.

Projekti parashikon 26 kate, ndërsa në të do të përfshihen edhe shërbime hotelerie, duke përfituar kështu nga ulja e taksave që qeveria Rama ka bërë së fundmi.

Kjo është qendra e Tiranës, që ka projektuar Edi Rama. Përveç Marko Casamontit, Rama ka thirrur në ndihmë edhe arkitektin tjetër Italian, Stefano Boeri, të cilit i ka dhënë të bëjë arkitekturën e dy kullave.

Duket që në shkëmbim të masterplanit të Tiranës, që ka firmosur Stefano Boeri, Edi Rama i ka dhënë si shpërblim projektet e dy kullave, West Residence dhe BLLOK, të dy godina shumëkateshe të pozicionuara në zonën e ish Bllokut.

Përdorimi i Boerit, shkon deri atje, sa flet për pyje orbitale, në masterplanin e ideuar prej tij, që do të thotë, thjesht mbjellje pemësh, detyrë kjo parësore dhe e zakonshme e çdo qeverisje vendore.

Një kullë tjetër 24  katëshe, do të mbijë, mbi Ish Muzen e Shkencave të Natyrës. Ajo quhet Garden Building. Edhe kjo kullë është projektuar nga studioja Arche Associati  e Marco Casamontit, mikut të njohur të Edi Ramës. Garden Building, si dhe ndërtesa të tjera, do të kthehen në jeshile, të mbuluara nga bimësia, sipas eksperiencës së Stefano Boerit. Ndoshta, gjethet e Boerit do të jenë i vetmi pyll që do të mbulojë Tiranën. Kompania që e ndërton këtë, është Nova Konstruksion 2012.

Në 1 qershor të vitit 2001, kryebashkiaku Edi Rama, i shoqëruar nga sivëllau i vet i asaj kohe, kryeministri Ilir Meta, inaguruan ndërtimin e lojrave për fëmijët, duke e pagëzuar këtë kënd, me emrin “7-xhuxhat”. 17 vite më pas, është sërish Edi Rama i cili ka vendosur shkatërrimin e këtij këndi. Një superkullë e quajtur Downtown Albania (Dauntaun Albania), dhe e lartë 133.8 metra, do të jetë roja më e gjatë e kryeqytetin tonë.

51N4E është një tjetër studio projektuese, e cila është përfshirë në ndërtimin e kullave në Tiranë. Me themelues Peter Swinnen, njëherësh këshilltar i Qeverisë Flamene dhe mik i ngushtë i ish kryebashkiakut Rama. Emri i 51N4E, ndeshet në një sërë projektesh të rëndësishme. Si ndërmjetës i studios belge, ka shërbyer miku i afërt i Edi Ramës, Anri Sala.
Kjo studio është projektuese e vilës së Edi Ramës në fshatin Surrel, rrëzë Dajtit si dhe projektuesja e kullës shumëkatëshe “TID”, e ndërtuar në rrugën Abdi Toptani. Kjo kullë u ndërtua me lejen e Ramës kur ai ishte kryebashkiak në vitin 2007 dhe nisi fillimisht si qendër biznesi. Por më pas, përmes lehtësive fiskale që ofroi Edi Rama kryeministër, kjo kullë u kthye në një hotel me 5 yje, dhe sot mban emrin “Plazza”.

E njëjta kompani belge, 51N4E ka projektuar edhe disa godina shumëkatëshe, të quajtura Book Bulding dhe të pozicionuara pas Bashkisë së Tiranës, përbri sahatit. Projekti është mbajtur i fshehtë, pasi ende nuk është dhënë një miratim nga Këshillit Kombëtar i Territorit, por që duket një punë e mbaruar.

Sipas projektit që ne kemi arritur të sigurojmë, do të ndërtohen 2 kulla betony, 2-fish më të larta se kulla e Sahatit si dhe një objekt futurist mes tyre, që do të shërbejë si qendër tregtare.

Ndryshe nga arkitektët italianë të viteve 40’, arkitektët italianë të Edi Ramës, Casamonti, Boeri, studio belge, apo dhe të tjerë, po vizatojnë dhe projektojnë Tiranën, sipas perceptimit dhe mënyrës se si sheh Edi Rama. Që Edi Rama, sheh sipas mënyrës së vet, kjo është një gjë krejt normale dhe kjo ndodh me të gjithë banorët e globit. Por që Edi Rama, kryeministër sot dhe kryetar bashkie dje, ta kthejë qendrën e Tiranës në një kullë të madhe, siç ai e sheh dhe e do ai, ky është një problem serioz dhe mjaft shqetësues për qytetarët e Tiranës.

Shumë njerëz në Shqipëri mendojnë se kullat e kryeqytetit janë sfida më e madhe e pushtetit 18 vjeçar të Edi Ramës. Me këto kulla ai mendon se po lë vulën dhe emrin e vet në Shqipëri. Kjo mendohet se është ambicia dhe egoja më e madhe e tij. Shumë njerëz, përfshirë edhe miq të tij, e shohin kullomaninë e Edi Ramës edhe si një sëmundje të tij.

Mendohet që varianti i kullëzimit të Tiranës, nga Edi Rama, është thjesht komercializimi i hapsirave publike, një sëmundje kjo sot, jo vetëm shqiptare. Thuhet se plani i Edi Ramës është për një Tiranë me 1.5 milionë banorë, duke shpopulluar pjesën tjetër të Shqipërisë. Por, a ka kapacitete Tirana, të mbajë këta banorë dhe këto kulla në qendrën e vet?

Kullat po e vrasin totalisht qendrën e Tiranës, ndërhyrjet e tjera e asfiksojnë jetën e kryeqytetasve. Sheshi Skëndërbej, thotë arkitekti i njohur Damato, profesor në Universitetin e Barit, është një ndërprerje e aksit Brazinian të 80 vjetëve më parë. Gjithsesi kjo është qendra e Tiranës, Tirana e kullave që ka ndërtuar dhe po ndërton Edi Rama.

 “Asnjë vepër nuk del më e mirë se porositësi i saj”, thotë arkitekti i shquar gjerman, Mies Van Der Rohe.

Po kur porositësi dhe projektuesi është i njëjti, çfarë ndodh? Ndoshta është kjo vepër që ka bërë Edi Rama në këto 18 vjet…

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne