“Kur çështja t’i lihet në dorë jofamiljarëve të saj…”

Vazhdimisht i ndjek me vëmendje zhvillimet fetare në vendin tonë; marrëdhëniet e shtetit, shkeljet, anët pozitive, ato negative, tendencat e ndryshme me luhatjen e kurbave të tyre etj.

Natyrshëm, gjithësecili në këtë vend ka të drejtë të përzgjedhë fenë dhe besimin e tij. Respekti i ndërsjellët ngelet çështje e formimit personal dhe e nivelit qytetërues, në themelet e të cilit, besoj se qëndron elasticiteti i sjelljes me ajetin kur’anor: “Ju keni fenë tuaj, unë kam fenë time”!

Përherë kam shpresuar që shteti të vendosë një ekuilibër në marrëdhëniet e tij me fenë; ta respektojë dhe të mos lejojë cënimin e tij nga jashtë.

(Paradoksal më duket qëndrimi i qeverisë aktuale, që prej vitesh ka pezulluar njohjen e diplomave të teologjisë dhe konvertimin e tyre konform sistemit të arsimit të lartë, që qeveria e mëparshme e njihte dhe e respektonte. Inshallah, do të tejkalohet ky prag, që është abc-ja e respektit ndaj komuniteteve fetare dhe veprimtarisë së tyre.)

Hera-herës, në horizontet e këtyre zhvillimeve, shfaqen tendenca dhe përpjekje, herë të fshehta e herë publike, që tentojnë t’i japin ngjyresa institucionale përpjekjeve të tyre, edhe pse ato mund të jenë helm në mjaltë!?

Kështu e lexova edhe një raport të publikuar para ca ditësh, që bën fjalë mbi arsimin në medresetë tona dhe balancat në mesin e lëndëve fetare me lëndët e tjera.

Tendenca për ta zhbërë rolin shekullor të medreseve tona, është tendencë e frikshme që nuk duhet toleruar, nga kushdo qoftë!

Ne nuk kemi vuajtuar ndonjëherë, as vuajmë nga komplekset e disave, që ju vjen rëndë se medresetë etiketohen si shkolla që “nxjerrin hoxhallarë”!? Ku ta marrim këtë, por medresetë e sotme, për fat të keq, nuk po e bëjnë dot një gjë të tillë!

Kjo është frika e ateistëve dhe e krejt atyre, që nga viti 1967, ishin pararojë në luftën kundër medreseve, xhamive dhe hoxhallarëve!

Për pasojë, ne duhet të insistojmë në reformimin e sistemit të medreseve tona dhe kthimin e tyre në origjinën e shkollave të përgjithshme, ku fokusi përqendrohet tek lëndët fetare. Jo të diskutohet sasia a raportet e këtyre lëndëve me lëndët e tjera!

Ne e kemi për detyrë, që elitat e të diplomuarve në medresetë tona t’i udhëzojmë drejt vazhdimit të studimeve teologjike në universitetet serioze të botës islame, jashtë vendit, jo e kundërta!

Sikundër, e kemi për detyrë që në bashkëpunim me institucionet serioze partnere, t’u krijojmë mundësi medresistëve tanë që edhe preferencave të tjera të thirrjeve të tyre të brendshme intelektuale e diturore, jashtë teologjisë, t’u afrojmë një alternativë, sidomos në shtetin e Turqisë, që i ka të gjitha mundësitë sot, për bashkëpunime të tilla, por edhe në vende të tjera të Evropës, ku realisht kanë studiuar e studiojnë studentët tanë medresistë.

Komplekseve të atyre, që mundohen të na e formatojnë fenë dhe sistemin e arsimit tonë fetar, na takon të mos u japim rëndësi dhe seriozitet, por gjithësesi ato duhen kundërshtuar si përpjekje dhe tendenca aspak pozitive në këtë drejtim!

Por, nuk është vetëm arsimi. Ka edhe shumë më shumë se kaq. Sot, po mjaftohem me këtë vështrim sipërfaqësor.

“Kur çështja t’i lihet në dorë jofamiljarëve të saj, prisni kiametin!”, thoshte Resulull-llahu (a.s).

Ndoshta, tamam-tamam, këtu qëndron problemi. Sikundër edhe heshtja dhe të bërit palë me të!..

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 29 mars 2017

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne