Kur imoraliteti është civilizim dhe morali prapambetje!

Firdeus Çorja

Duke marrë shkas nga emisioni Opinion, 21 mars 2017

Ka disa vite që shoqëria jonë përballet me sulme për shkatërrimin e vlerave dhe moraleve, qofshin ato me anë të disa kanaleve televizive, të cilat janë lehtë të aksesushme në tregun tonë, programeve të caktuara, thirrjeve apo ideologjive nga persona ose asociacione të ndryshme.

Nuk bën dot para teje apo mbrapa, në të djathtë apo në të majtë, pa u konfrontuar me thirrje dhe ide të prishura, cullakhane, fjalor të ndotur, vese të këqija, të gjitha të projektuara saktësisht, të propaganduara dhe reklamuara para masës së gjerë.

Më e çuditshmja është kur dëgjon disa analistë që mundohen të na i prezantojnë këto vese -pikërisht marrëdhëniet jashtëmartesore- si emancipim dhe civilizim, ndërsa ruajtjen e nderit dhe moralit si prapambetje dhe injorancë ekstreme.

Realisht injorancë e vërtetë është ajo që thërret drejt shkatërrimit të këtyre vlerave të patjetërsueshme, vlera të cilat mbajnë gjallë një shoqëri të tërë dhe e ruajnë atë nga degjenerimi.

Nëse nuk është prej moralit ruajta e virgjërisë ose besnikëria bashkëshortore, atëherë çfarë na qenka morali?!

Përkufizimin e moralit nuk na e përcakton dikush që shkruan dhe kontribuon për imoralitetin apo konsideron se veriorët i servirin vajzat e tyre mysafirit, e as më pak ai që i konsideron vajzat e ndershme veriore si të prapambetura ngase janë të virgjëra. Ky është absurditet i llojit të vet. Shqiptarët as nuk e kanë servirur dhe as nuk e servirin evlatin si mall për të shfryrë epshet e përbindëshave. Veriorët, siç thoni ju, e ruajnë familjen dhe moralin dhe nuk janë palë e legjendave tuaja.

Ndërsa sa i përket etiketimit të vajzave veriore si të prapambetura ngase janë të virgjëra, kjo është një vlerë dhe për t’u marrë shembull dhe assesi nuk mund të konsiderohet si e prapambetur një vajzë e dëlirë që e ruan nderin për bashkëshortin e saj. Ajo është krenare dhe faqebardhë. Prapambetje është degjenerimi i rinisë dhe familjes.

Nderi në çështjet seksuale qëndron shumë lart”; ”Morali i tyre në lidhje me femrat dhe mikpritja e tyre qëndrojnë shumë lart”; “Edhe shqiptarët dallohen për kuptimin moral të qartë, të palëkundshëm, për moralin e tyre gati të rëndë”, kanë qenë  disa nga konstatimet që të huajtët kanë hasur te ne.

Ruajtja e nderit dhe moralit ndër shekuj ka qenë traditë dhe zakon i shqiptarit, qoftë në veri apo jug, tek muslimanët apo tek të krishterët. Një vlerë e tillë është e trashëguar nga prindërit tanë, e ata prej të parëve të tyre, dhe nuk duhet të lejojmë që një vlerë e lartë si morali të nëpërkëmbet dhe të harrohet.

Nëse dikujt nuk i pëlqen dhe e pengon një gjë e tillë, shumë thjesht mund të kritikojë paraardhësit e tij, të cilët në mënyrë konservatore i ruajtën këto vlera.

Pa norma morale nuk do të kishim qytetërim e as marrëdhënie shoqërore, si rrjedhojë thirrje të tilla çojnë në prishje të moralit, përhapje të sëmundjeve dhe degjenerim të shoqërisë.

Ide të tilla mbajini për vete dhe jo për ne. Ne jemi shumë mirë me ato të vjetrat./ Gazeta Impakt

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne