“Kur vranë Pablon”. Flet autori i librit që frymëzoi “Narcos”

Flet Mark Bowden, autori i librit investigative mbi Pablo Escobar që ka frymëzuar serialin televiziv “Narcos”: “Luftimi i karteleve të drogës sot është shumë e vështirë, prej mjeteve teknologjike dhe fitimeve gjiganteske. Në ndryshim nga Pablo Escobar, bosët e rinj lëvizin në hije, janë më fluidë, shmangin reklamën”

Mark Bowden shkruan. Gjithmonë shkruan. Jashtëzakonisht mirë, i dokumentuar dhe i drejtpërdrejtë. I lindur në nga Saint Louis, 66 vjeçari i formuar në gazetën «Philadelphia Inquirer» dhe i bërë gazetar investigative ndër më të mirët në botë, është autor artikujsh dhe librash investigativë, me parapëlqimin – siç e pranon vetë – për këta të dytët. Në këtë bashkëbisedim me «La Lettura», Bowden rrëfen se nuk arrin as të imagjinojë se mund të bëjë gjë tjetër në jetë. «Mua më pëlqen të tregoj histori dhe librat më japin hapësirën më të madhe të mundshme për t’i eksploruar». Një mundësi përpara se një lodhje: «Krahasuar me shumicën e njerëzve, kam fatin që t’i njoh se si dhe pse ndodhin gjërat dhe të vihem në kontakt të drejpërdrejtë me protagonistët». Dhe kështu ndodh në historitë që na dhuron Bowden. Duke mbuluar një të çarë të rëndë në botimet italiane, me 29 qershor shtëpia botuese “Rizzoli” ka nxjerrë në library përkthimin e “Killing Pablo” (tituli, shumë i gjetur, ka mbetur i pandryshuar), frymëzues i skenarit të “Narcos”, serialit shumë të vlerësuar televiziv të platformës online Netflix. I botuar në 2001 dhe i përqëndruar mbi kapjen e mbretit të drogës Pablo Escobar, “Killing Pablo” është udhëtimi i një kronisti drejtpërsëdrejti tek burimi, në vendet e ngjarjeve e të personazheve. Një operacion i nevojshëm për të kuptuar deri në fund. Sikur të ishte kufizuar në shqyrtimin e dosjeve të hetimeve dhe të telefonatave me dëshmitarët, ndoshta Bowden nuk do të kishte kapur një pasazh qendror në parabolën e një krimineli, të një populli, të një epoke. E përmbledhur kjo në një fjali të vetme: «Nganjëherë fati i një kombi të tërë mund të varet nga integriteti i një njeriu të vetëm».

Ky njeri ishte Koloneli Hugo Martínez, oficer i policisë kolumbiane: refuzoi një shumë prej 6 milion dollarësh të ofruar nga Escobar në një faze ngjitjeje të jashtëzakonshme kriminale. Me këtë zgjedhje në atë moment të caktuar, Koloneli luajti një rol vendimtar në betejën kundër mbretit të drogës?

«Martínez mbulonte një post të refuzuar nga gjithë të tjerët dhe jo vetëm prej kërcënimeve e dhunave të pësuar nga aid he familja e tij. U tha “jo” tanxhenteve që do të kishin mundur ta bënin të pasur dhe që, le të flasim sinqerisht, në Kolumbi pranoheshin dora dorës nga shumica dërrmuese e niveleve të larta drejtuese të ushtrisë, të policisë dhe të politikës. Koloneli mund të kishte përfituar nga rritja e Escobar: sikur ta kishte bërë, me siguri që ekspansioni i bosit do të kishte arritur nivele më pas të vështira për t’u luftuar. Kaq shumë kurajo dhe kaq shumë forcë morale janë të rralla. Dhe ishte e rrallë të refuzoje një zgjedhje të imponuar nga: plata o plomo, domethënë para ose plumba. Paratë e korrupsionit, plumbat e fishekëve».

Akoma në 1989, shkruhet në libër, ambasada amerikane në Bogotà nuk e kishte një njohje të saktë të karteleve të drogës dhe aq më pak se kush i komandonte ato. Për sa i përket Escobar, e konsideronte vetëm një prej emrave të shumtë të trafikantëve. Megjithatë, qysh në 1971, kidnapimi i industrialistit Diego Echavarría – një kidnapim që ngjalli alarm dhe terror – ishte kryer nga vetë Escobar, i cili në vitin 1979 jetonte midis kufijve të pamatë të çiflikut të tij, La Hacienda Los Napoles, 20 kilometra katror me fusha futbolli, arena, heliporte, kopshte zoologjikë: është e mundur që në ambasadë, avampost dhe pararojë e qeverisë amerikane, askush të mos e dinte? Qe padituri apo bashkëpunim i heshtur ?

«Më duket më e thjeshtë t’i quaj ata funksionarë injorantë sesa të regjistruar në bordero. Fillimi i sulmeve të ashpra nga ana e Shteteve të Bashkuara kundër kokainës nuk shpërtheu përpara viteve ’80, kur shumë njerëz qenë pasuruar dhe kishin fituar pasuri imobiliare të pafundme dhe të çmueshme. Sapo ka shpërthyer, DEA-s, Agjencia Federale e Antidrogës amerikane, nuk ju desh shumë për ta identifikuar Escobar si objektivin numër një dhe të merrej tërësisht me të. Jam i bindur se opinion publik e ka një gjykim mbi kapacitetet e inteligjencës dhe të luftimit të agjencive të sigurisë më të lartë se mundësitë reale të tyre. kujdes: po flasim gjithsesi për investigatorë ekspertë, të përgatitur, në azhurnim të vazhdueshëm, por është gabim të mendosh që ata ta njohin në kohë reale dhe në mënyrë të detajuar atë çka ndodh në vende të tjera. Sepse nuk është aspak kështu».

Në muajin prill, «Corriere» ka treguar historinë e «El Ruso», krah i djathtë i bosit kolumbian të drogës «Otoniel». «El Ruso», i kapur në Italia nga Guardia di Finanza, ka lindur në Bosnje e megjithatë ka ngjitur pozicionet në kartelet jugamerikane. Burimet investigative që kanë punuar lidhur me «El Ruso» përsërisin se tregu i kokainës është në spostim të shpejtë drejt lindjes: Lindja e Europës, ashtu si ajo e botës, me Kinën «në shënjestër». Cilët janë motivet e këtij zgjerimi të gjeografisë? Sot beteja kundër drogës është më e ashpër se ajo kundër Escobar?

«Kam dyshimin se luftimi i sotëm i karteleve është shumë i vështirë, si pasojë e përmirësimit të mjeteve teknologjike dhe të fitimeve gjiganteske potenciale. Escobar shkoi përtej strategjisë së konkurrentëve të tij: sigurisht, nga njëra anë qe njëlloj si të tjerët i tërhequr nga ambicia për pushtet e gjeneruar nga mjetet ilegale; por në ndryshim nga konkurrentët kërkoi një afirmim publik të këtij pushteti dhe kreu një sulm të drejtpëdrejtë kundër shtetit. Tani baronët e drogës lëvizin në hije, janë më fluidë, evitojnë reklamën, nuk i sfidojnë hapur insittucionet».

Mbi «Otoniel» qëndron një shpërblim prej 5 milion dollarësh. Ka një çmim siç e pati Escobar, siç e kanë të gjithë të kërkuarit e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara dhe siç nuk e kanë në fakt të kërkuarit italianë të mafies dhe ‘ndrangheta. Por një shpërblim i tillë a nuk rrezikon që të shpërthejnë kontestime të përgjakshme për të fituar shumën?

«Sipas mendimit tim, shpërblimet funksionojnë. Nga ana tjetër, sikur ky sistem të mos kishte sjellë rezultate ose të paktën sikur mos të kishte më shumë anë negative sesa positive, ndoshta do të ishte braktisur tashmë. Gjithsesi, Escobar nuk u kap falë shpërblimit. Ra në kryqëzimin e dendur të armiqve, nga Amerika, tek qeveria kolumbiane, deri tek vetë kartelet rivale».

Çfarë situate po kalojnë Shtetet e Bashkuara në luftën kundër drogës?? Trump po e nënvlerëson fenomenin? Janë marrë kundërmasa?

«Përdorimi i drogës mbetet një problem me përmasa të pakufishme, sidomos në shtetet më të pasura dhe më të evoluara. Mendimi im ëhstë se duhet dalluar midis konsumit të rastësishëm, me qëllim të themi kreativ, dhe varësisë totale, patologjike. Në mungesë të një politike të qartë dhe ndërhyrjesh të shënjestruara që vendosin kufij të qartë e të prerë midis dy aspekteve, tregjet ilegale nuk do të bëjnë gjë tjetër veç se do të lulëzojnë. Në Shtetet e Bashkuara, ku sot emergjenca parësore është e lidhur me opiumet, tendenca shkon drejt legalizimit të marihuanës».

Duke lexuar «Killing Pablo» dhe më pas duke shikuar serialin «Narcos», nuk ka sesi të mos «ndjesh» një afërsi të fortë për agjentët e DEA-s Steve Murphy e Javier Peña, të ndërthurur në dimensionet e policëve dhe në ato njerëzore, me momentet e dobësisë e të pakënaqësisë, me tundimet e dorëzimit…

«Janë dy tipa simpatikë. Ashtu si unë, Steve dhe Javier pëlqejnë të tregojnë histori dhe, të kuptohemi, gjëja u shkon shumë. Një prej momenteve më argëtuese është kur janë bashkë: vazhdojnë të tallen e të ngacmohen. Janë poterexhinj dhe pabesueshmërisht të shtruar».

Libra të tjerë në përgatitje?

«Sapo kam përfunduar “Hué 1968”, për betejën e luftës së Vietnamit. Po udhëtoj shumë për prezantime dhe nuk kam nisur akoma të punoj për ndonjë histori të re».

Në qasjen ndaj lëndës është gjithmonë gazetaria: cilat janë çelësat për ta vazhduar e bërë mirë këtë zanat? Interneti, po e mbyt gazetarin apo është një resurs?

«Çelësat janë të pandryshuar. Të kërkosh burime të mira, të dish të bësh pyetjet e duhura, të dokumentosh, të mësosh të tregosh ngjarjet duke ju vënë aksione, dialogje, kategorizime personazhesh. Interneti i ka çmontuar disa institucione gazetareske, i ka transformuar në “produkt” lajmesh dhe prapaskena që nuk janë aspak të tilla dhe mashtrojnë ata lexues që nuk kanë instrumentat për t’i vlerësuar… Gjithçka e vërtetë. Por, në të njëjtën kohë, internet ka bërë më demokratike mënyrën e zbulimit dhe thellimit, pasi kushdo që disponon një cellular, bën një foto, xhiron një video, poston një dëshmi, mund të na ndihmojë në kuptimin e një fakti të caktuar. Duhet të jemi të sinqertë: kemi mjete më të mira se në të kaluarën për të punuar më mirë. Ama me një kusht: të mbetesh i pavarur».

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne