Kurti: Thaçi synon pajtimin historik me Serbinë e vjetër

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është rikthyer pas në kohë, ndërsa ka kujtuar rënien e regjimit të Millosheviçit, 18 vite më parë më 5 tetor 2000.

Përmes një postimi në “Facebook” tha se sot pas 18 vitesh, Kosova ka një president sipas tij anti-historik, i cili do pajtim historik me Serbinë e vjetër.

POSTIMI
18 vjet më parë, me 5 tetor, në pavilonin VI të burgut të Pozharevcit u ndal energjia elektrike. Në radioaparate me bateri, lajmet i dëgjonin vetëm rojet e brengosura të këtij burgu i cili ndodhej në vendlindjen e Milosheviçit. Mirëpo, të nesërmen s’mbahej më dot fshehtë se mbrëmë qenka rrëzuar Milosheviçi. Më 5 tetor 2000, tankset e ushtrisë dhe autoblindat e policisë vendosën të mos shtiejnë mbi popullin që kishte mbushur sheshet dhe rrugët e Beogradit. Krerët e opozitës kishin bërë marrëveshje xhentëlmenë me gjeneralët kryesorë të forcave të armatosura. Rezultati i zgjedhjeve të manipuluara u përmbys dhe fitues i zgjedhjeve u shpall Koshtunica, i cili akuzonte Milosheviçin për humbjet (e Serbisë) jo për krimet (ndaj joserbëve). Fort ngjashëm si Vuçiç në Mitrovicë para katër javësh.

Sa ishte gjallë Milosheviçi, u vra ish kryeministri serb Gjingjiç në mars 2003, kurse vetë ky vdiq në burgun e Hagës në mars 2006 pa u dënuar për së gjalli. Mbi 150 mijë joserbë u vranë nga forcat serbe përgjatë katër luftërave të viteve të ’90-a teksa po shpërbëhej ish Jugosllavia. Por, më pak se 250 kriminelë serbë gjithsej përfunduan prapa grilave të burgjeve në Hagë e në Serbi. Përveçse nuk pati drejtësi për viktimat, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk i pranon krimet që i ka kryer mbi shqiptarët dhe nuk i paguan dëmet e shkaktuara gjatë okupimit dhe luftës. Paçka se janë bërë dy dekada nga mbarimi i luftës ndërsa pavarësia i mbushi një dekadë. Mosndryshimi i Serbisë është problemi kryesor i Ballkanit, sepse po i mban gjallë problemet e vjetra. Mbase e vetmja gjë e re është që tash Kosova ka një president anti-historik i cili do pajtim historik me Serbinë e vjetër.
Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne