Kurtulmus: Turqia do të përdorë “fuqinë e butë” kundër rritjes së islamofobisë

Ministri i Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Numan Kurtulmus, deklaroi se Turqia po rishikon politikat e saj për t’u bërë një nga tre destinacionet më atraktive në botë gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

“Së shpejti do të mbajmë takimin e tretë me përfaqësuesit e turizmit dhe do të vendosim qëllimet e reja strategjike duke rishikuar politikën në këtë sektor. Shpresoj që rezultati i këtij takimi do të jetë arritja e 50 miliardë dollarëve të planifikuara më herët dhe 50 milionë turistëve për vitin 2023”, tha Numan Kurtulmus në rubrikën “Tryeza e Redaktorëve” të Agjencisë Anadolli (AA), ku ishte i ftuar mëngjesin e së enjtes.

Ai tërhoqi vëmendjen se në botë ekziston urrejtje e madhe kundrejt islamit e Turqisë, ndërkohë që disa qarqe mashtruese duan të frikësojnë turistët dhe t’i pengojnë ata që të vizitojnë Turqinë, për të vënë kështu në rrezik turizmin e saj.

“Kultura dhe turizmi ynë janë dy forca të heshtura, gjerësisht të njohura si ‘fuqi të buta’, përmes së cilave do të luftojmë edhe më tej kundër islamofobisë dhe turkofobisë. Prandaj do të punojmë për forcimin e imazhit dhe krijimin e pasqyrës pozitive në lidhje me Turqinë”, theksoi ministri turk i Kulturës dhe Turizmit.

Pasi vuri në pah se të dhënat statistikore tregojnë që ekonomia globale rritet me 2,5 për qind dhe sektori turistik global me 3,1 për qind në vit, Kurtulmus tha se gjatë dhjetë viteve të ardhshme pjesa e turizmit në produktin kombëtar bruto do të rritet nga 10 deri në 11,4 për qind.

“Turqia është një nga vendet që ka mundësitë dhe resurset më të mira për të marrë pjesë në këtë trend rritës. Momentalisht Turqia është destinacioni i gjashtë turistik në botë, ndërsa për ne kjo nuk mjafton dhe dëshirojmë të radhitemi mes tre të parave në dhjetë vitet e ardhshme”, u shpreh ai.

Duke theksuar se hapja e tregjeve të reja është një nga strategjitë kryesore të turizmit turk, Kurtulmus tha se viti 2018 është shpallur tashmë si “vit i kulturës turke në Kinë” dhe se janë planifikuar 50 aktivitete të ndryshme për promovimin e turizmit turk.

“Përveç Kinës, jemi të hapur drejt Indisë, Koresë së Jugut, Japonisë, Indonezisë, Malajzisë dhe vendeve të tjera të Lindjes së Largët, ku jeton pothuajse gjysma e popullsisë botërore. Do të hapim këto dyer dhe do të sjellim turistë të rinj, por këtu nuk po flasim për dhjetëra-mijëra, por për miliona njerëz”, shtoi ministri.

Ai bëri edhe një koment në lidhje me vizitën e planifikuar të Kryeministrit Binali Yildirim në Uashington, më datë 7 nëntor, duke thënë se shpreson që me këtë rast do të tejkalohet kriza lidhur me pezullimin e vizave nga të dyja palët.

“Problemi me vizat është i përkohshëm dhe i pakuptimtë, por qëndrimi në SHBA i liderit të organizatës terroriste FETO (Fetullah Gulen) është për ne një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme. Gjatë vizitës në Uashington, shefi i qeverisë sonë do të përsërisë në nivel kryeministror kërkesën tonë për ekstradimin e liderit të FETO-s. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme edhe për vazhdimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Turqisë dhe SHBA-së”, nënvizoi Kurtulmus.

Duke theksuar se nuk ka terroristë, as grupe terroriste që mund t’i sjellin dobi ndonjë vendi, ministri turk tha se do të jetë vështirë që të parandalohet terrorizmi derisa në botë nuk zhvillohet dialog i sinqertë dhe qëndrim unik kundër të gjitha formave të terrorizmit.

Ai vlerësoi po ashtu krizën aktuale në rajon duke thënë se në këtë pjesë të botës sërish po luhen lojëra të mëdha dhe disa qarqe duan të copëtojnë dhe armiqësojnë rajonin për të krijuar një lloj rendi, i cili ekzistonte një shekull më parë.

“Republika e Turqisë është i vetmi shtet, që mundet dhe përpiqet për të prishur kësisoj lojërash dhe komplotesh. Turqia ka stabilitet politik dhe fuqinë e nevojshme për këtë”, përfundoi Numan Kurtulmus./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne