Kurz: Në Ballkan është formuar një rrugë e re e refugjatëve

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, pas takimit me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, tha se në Ballkan është formuar një rrugë e re e refugjatëve dhe sipas tij siguria e Evropës varet nga stabiliteti i Ballkanit.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit, Kurz ka vënë në dukje se marrëdhëniet politike dhe ekonomike midis Shqipërisë dhe Austrisë janë në një nivel të kënaqshëm dhe se Austria e mbështet Shqipërinë ashtu sikurse ajo mbështet vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e pranimit të Bashkimit Evropian (BE).

Kurz theksoi se siguria dhe stabiliteti i Austrisë dhe Evropës varet nga stabiliteti i Ballkanit dhe se vendet në këtë rajon kanë nevojë për një perspektivë evropiane, ku sipas tij, për këtë arsye vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të binden duke u mbështetur në rrugën e BE-së.

Duke nënvizuar se çështja më e rëndësishme e diskutuar në bisedime është lufta kundër emigracionit të paligjshëm, Kurz tha: “Një rrugë e re për refugjatët po formohet në Ballkan. Trafikantët e qenieve njerëzore po përpiqen të kalojnë njerëz nga Greqia përmes Shqipërisë në Evropën Qendrore. Përballë këtij zhvillimi të ri nuk do të jemi spektatorë, por do të luftojmë”.

Kancelari i Austrisë bëri të ditur se të dy vendet janë të shqetësuara për numrin në rritje të refugjatëve në këtë rajon dhe janë në të njëjtin mendim që të marrin masa. Kurz theksoi se Shqipëria duhet të mbështetet nga BE si financiarisht ashtu edhe teknikisht, me qëllim që të shmang krizën e refugjatëve të vitit 2015 dhe 2016.

Ndërkaq, Kryeministri Rama tha se Austria ashtu sikurse Shqipërinë po mbështet edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugën për pranimin e tyre në BE dhe se ajo ka luajtur një rol vendimtar në këtë drejtim.

Rama më tej ka shtuar se shpreson që do të thellohen marrëdhëniet dypalëshe në periudhën e Presidencës së BE-së nga Austria dhe për hedhjen e hapave më pozitivë drejt anëtarësimit në BE.

Kryeministri i Shqipërisë theksoi se po bëhen përpjekje për të formuar një rrugë të re për refugjatët nëpërmjet Shqipërisë.

“Refugjatët ilegalë nga Greqia po përpiqen të kalojnë në Evropën Qendrore nëpërmjet Shqipërisë. Ka një rritje serioze të lëvizjes së refugjatëve. Për momentin ne mund ta mbajmë nën kontroll këtë situatë, po është e nevojshme të veprohet sa më parë brenda bashkëpunimit para se të përjetohen skenat që shokuan dhe dëmtuan Evropën në vitin 2015”, tha Rama. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne