Kush e vrau Edin, në Bulqizë?

Nga Isa Myzyraj

Ditën e sotme humbi jetën një punëtor 20-vjeҫ në minierat famëkeqe të Bulqizës. Sa herë që dëgjoj lajme të tilla hap menjëherë artikuj për të mësuar emrin, kjo për shkak se disa shokë të mi dhe familjarët e tyre punojnë në galeritë e kromit të Bulqizës. Sot nuk ishte njëri nga shokët e mi, as familjar i tyre, sot ishte Eduart Dama, një 20-vjeҫar në kulmin e rinisë së tij, një 20-vjeҫar, që iu këput jeta në mes, si dhjetëra të rinjve të tjerë, që nuk u janë kthyer nënave të tyre në shtëpi, që nga ai mëngjes i hershëm që u nisën drejt vdekjes.
Sot më shumë se kurrë duhet të ulërasim me të madhe, t’ia lëmë drejtësisë Saimri Tahirin, t’i lëmë statuset për PS, e PD, t’i lëmë llafet lavdëruese pro njërës apo tjetrës parti, por të kërkojmë drejtësi për Eduartin dhe të tjerët, të ndalojmë vdekjet e të rinjve në Bulqizë, të ndalojmë lotët e të tjera nënave të shkreta që mund të humbin bijtë e tyre, sepse lotët e atyre nënave që kanë humbur tanimë djemtë, nuk i ndalojmë dot, kurrë.
Para disa javësh erdhi një media italiane, për të na hapur sytë, e për të na treguar se ҫfarë po ndodh në Bulqizën e minatorëve, erdhi për të na hapur sytë, dhe për t’i treguar botës, se si qyteti numër dy në botë për pastërtinë e kromit, është sot një ndër qytetet më të mjeruara në Shqipërinë tonë të bukur, e të mjeruar.
Në këtë situatë kaotike, ku po vdesin qytetarë, ku një 20-vjeҫar vdes në minierë për kafshatën e bukës, e për të treguar kulmin e mjerimit fëmijët 10 vjeҫ punojnë në krom, ekranet televizive mbushen me fytyra të politikanëve që para zgjedhjeve nuk lanë katund e lagje pa shkuar, nuk lanë dorë të larë e të palarë pa puthur, nuk lanë të varfër e të pasur pa përqafuar, por sot heshtin, heshtin sepse ata më mirë se ne e dinë gjendjen ku e kanë katandisur këtë vend.
Sot heshtin për Eduartin, në fakt ata duhet të heshtin, sepse ata më mirë se ne e dinë mjaft mirë gjendjen e familjeve bulqizake, e dinë më mirë se kushdo tjetër gjendjen e minatorëve dhe kushteve në të cilat ata punojnë.
E nëse ata heshtin nga faji dhe nga turpi, unë nuk mund të hesht dot. E si mundem sot unë të hesht, ku një 20-vjeҫar ka humbur jetën në mënyrën më të tmerrshme të mundshme? Si mundem të hesht kur e di se në vendin tonë, rinia është kthyer në torturë dhe pleqëria në dhimbje.
Si të hesht, si?! / Dritare.net

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne