Kush fitoi nga marrëveshja dhe ç’do të bëhet me opozitën tani e mbrapa?

Nga Armir Shkurti

Qeveri teknike pa Ramën kryeministër është kushti i patjetërsueshëm i Lulzim Bashës dhe opozitës së bashkuar në protestën maratonë prej 3 muajsh. Argumenti për këtë kërkesë është se Edi Rama është në krye të trafikut të hashashit dhe se me paratë e hashashit do të tjetërsojë votën.

Pas kësaj “qepalla” që shohim në foto, ç’ka? Rama ka dhënë dorëheqjen nga kryeministër, siç e kërkoi opozita? Apo ka dhënë dorëheqjen nga drejtor i Mafias dhe hashashit?

Mbrëmë dhe sot shpërtheu entuziazmi demokrat për marrëveshjen e arritur. Por deri në këto çaste nuk është se e di njeri saktë se ç’u arrit. Tani vonë, pasdreke, mësuam se qenka shtyrë vetëm një javë data e zgjedhjeve!

Ajo që po shihet, është se në këto zgjedhje Shqipëria po shkon me një koalicion…PD – PS?! Është hedhur në treg që 2 vjet më parë një tezë se “për interesa kombëtare mundet që PD dhe PS të  bëjnë koalicion”. De facto, ajo po ndodh. Në emrin e paketës McAllister +, por ajo po ndodh.

Pyes veten se çfarë fitoi PD – ja dhe , me kaq sa shoh e dëgjoj deri në këto çaste, nuk më del hesapi. PS ka muaj që bën haptas fushatë. Po ashtu edhe partitë e tjera. Ndërsa PD, e përqëndruar në çadër, nuk ka asnjë organizim elektoral as në Tiranë as në rrethe. Mjafton ky avantazh i kohës i partive të tjera, për të thënë se PD e nis garën me humbje.

Me humbje – besoj – është edhe vazhdimësia e Ramës kryeministër. Nëse ai mbetet në detyrë, kjo do të thotë se kauza për të cilën u sakrifikuan 90 ditë rresht demokratët, shkon për dhjamë qeni.

Nëse Rama mbetet kryeministër, asgjë nuk ndryshon edhe në raportin e pushtetit me ndikimin mbi votën. Këto instrumentat e “kontrollit punëtor” nëpër dikastere , që do t’i vendosë opozita si ministra teknikë, për të kontrolluar se mos abuzon pushteti në fushatë janë shaka pa kripë.

“Me Edi Ramën kryeministër  nuk hyjmë në zgjedhje”- premtoi Basha. Tashmë besoj se gjatë fushatës do t’i duhet t’u shpjegojë demokratëve se përse e bëri.

Nëse Basha nuk i fiton zgjedhjet dhe nuk  formon qeverinë pas 25 qershorit, nuk ka asnjë shans të thotë gjysmë fjale për vjedhje vote, për hashash e më the e të thashë. Ai dhe partitë opozitare që mbajti në çadër për 3 muaj rresht teorikisht kanë marrë garanci për zgjedhje të lira e të ndershme. Parimi fisnik për votën e lirë o është garantuar, ose, nëse është shitur, askush nuk ka gojë ta hapë pas 25 qershorit.

Por nëse nuk fiton në 25 qershor, me zgjedhje të lira e të ndershme, a ka më kuptim që Lulzim Basha të vazhdojë të drejtojë Partinë Demokratike? Apo, për të shpëtuar nga ky fat, mundet të vazhdojë ky koalicion që u ngjiz sot, PS & PD dhe shqiptarët e tromaksur nga alarmet për një ’97 të re, për trazira të mëdha, për qamet që i avitet, të mbyllin sytë, gojën, të ulin kokën e ta gëlltisin çorbën “e shpëtimit të Shqipërisë” që u vihet para?

Në fakt shkrim me më shumë pikëpyetje nuk më ka qëlluar të bëj, por e tillë u krijua situata këtë herë. Jo si me qenë parti parlamentare, kushtetuese, të një shteti demokratik, por shoqëri okulte, forcat kryesore bëjnë marrëveshje në errësirë, pa transparencë për publikun! Për më tepër, me “kazanët” – siç i quan kryeministri Rama – prodhon propagandë dhe çorientim të opinionit shqiptar, për ta mbajtur sa më larg së vërtetës. Ndaj pyetjet e mia nuk janë retorike, por pyetje që ia bëj realisht vetes dhe kujtdo që ka ndopak informacion: Ç’PO BËHET? Ç’DO TË BËHET?

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne