Kush i ka aksionet e “Air Albania”?

Nga Agron Shehaj

Qeveria shqiptare, siç është bërë tashmë e ditur, ka vendosur të krijojë me çdo kosto dhe brenda pak ditësh, një kompani ajrore shtetërore. Mënyra se si po veprohet në këtë drejtim lë shumë vend për dyshime.

Mungesa e transparencës është thuajse totale; i vetmi informacion publik është që qeveria ka ngarkuar Albkontrollin, një agjensi shtetërore, që të krijojë Air Albania, e cila do të ketë si ortakë Turkish Airlines dhe një firmë të krijuar rishtas të Presidentit të ekipit të Flamurtarit, Sinan Idrizi.

Nëse prania midis aksionerve e një ndër kompanive ajrore me të suksesshme në botë mund të jetë logjike, nuk është fare e qartë se përse Qeveria ka vendosur të bëjë ortak Sinan Idrizin, i cili nuk dihet apo duket të ketë ndonjë përvojë në këtë fushë specifike, dhe as burimet financiare të nevojshme për të investuar në një sektor shumë ‘kapital intensive’.

Arsyeja e përfshirjes së z.Idrizi midis aksionerëve, me shumë mundësi ka të bëjë me lidhjet e tij me investitorë okultë, ose me kryeministrin Rama dhe ai shërben thjeshtë si ‘prestanome’ i tyre.

Nuk është publikuar madje as shpërndarja e aksioneve midis 3 ortakëve të ardhshëm, por është e qartë që përqindja e Idrizit do të hedhë dritë mbi arsyen e përfshirjes së tij në këtë aferë.

Ka shumë gjasa që Turkish Airlines të marrë, maksimumi, 49% të aksioneve në Air Albania, sepse 51% e aksioneve, sipas ligjit, duhet të jetë në pronësi të kompanive ose shtetesave me kombësi shqiptare.

Albkontrolli dhe Idrizi do të ndajnë 51%-in dhe, sa më e madhe të jetë pjesa që do marrë biznesmeni shqiptar, aq më e madhe do jetë prova që ai është vërtetë një ‘prestanome’; sidomos nëse konsiderojmë përfshirjen e tij edhe në aferën qindra milionëshe të aeroportit të Vlorës.

Investimi direkt i Qeverisë në sektorin e transportit ajror është fare i panevojshëm, sepse kompanitë ajrore private të tipit loë-cost do të investonin vetë në Shqipëri nëse do kishin mundësi të operonin në aeroportet shqiptare me tarifa të ulëta, siç ndodh në gjithë vendet e rajonit.

Ndërsa qeveria shqiptare investon në kompani ajrore, dhe njëkohësisht i jep privatit aeroportin, në Perëndim shteti bën të kundërtën, investon në aeroporte dhe privatizon kompanitë e saj ajrore, që nuk mbahen dot me kontributin e taksapaguesëve.

Në mënyrë sipërfaqësore, disa mund të mendojnë se, pak rëndësi ka se kush dhe me paratë e kujt bëhet aeroporti apo Air Albania, fundja e rëndësishme është të bëhet. Nuk është kështu.

Paratë dhe aferat e dyshimta, si kjo e aeroportit të Vlorës dhe ‘Air Albania’, jo vetëm nuk e ndihmojnë vendin, por e dëmtojnë atë. Shqiptarët duhet të dinë që investitorë serioze të

Perëndimit janë të gatshëm të investojnë miliarda euro në Shqipëri, dhe do të mjaftonte që, në këmbim qeveria shqiptare të heqë dorë nga marrëveshjet e errëta dhe të garantonte shtetin ligjor.

Ndërtimi i një aeroporti në Jug të Shqipërisë është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e turizmit bregdetar. Por, ndërtimi i këtij aeroportit nëpërmjet koncesionit në fjalë do jetë një gabim shumë i madh, sepse shton koston e ndërtimit dhe i jep privatit mundësinë që të mbajë peng qeverinë.

E kemi të freskët rastin e tarifave aeroportuale të kontrolluara nga koncensionari i Rinasit, që i detyronte udhëtarët shqiptarë të paguanin disafishin në kosto bilete krahasuar me vendet e rajonit.

Një gabim që nuk kemi luksin ta përsërisim. Nëse në Rinas kishim të bënim me gjermanët, në Vlorë do të kemi turqit, Sinan Idrizin dhe ‘të panjohurit’ pas tij./ KJ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne