Kush janë terroristët, Irani apo SHBA-ja?

nga Alison Broinowski.

Në prill të vitit 2014, John Howard habiti një audiencë në Sydney kur tha se lufta e ardhshme do të ishte me Iranin. Ai nuk kishte dijeni për Sirinë, megjithatë parashikimet e tij alarmuese rreth Iranit duket se po vërtetohen.

 

Më 8 prill, Presidenti Trump e përcaktoi Gardën Revolucionare Iraniane si një organizatë terroriste, vendimi i parë i tillë i SHBA-së në lidhje me një pjesë të një qeverie të huaj. Mike Pompeo shpjegoi se kjo erdhi për shkak se Irani e përdor terrorizmin si një “mjet të qeverisjes shtetërore”. Në përkufizimin e SHBA-së, një organizatë terroriste angazhohet në ‘aktivitete që përfshijnë veprime të dhunshme ose veprime të rrezikshme për jetët njerëzore … frikëson ose detyron një popullatë civile … influencon në politikën e një qeverie me anë të frikësimit ose detyrimit … dhe shkatërrimit në masë’ ̶ një përshkrim që më së miri i përshtatet amerikanëve sesa sjelljes iraniane. Nëse terrorizmi është dhunë detyruese kundër një popullate, atëhere ajo që SHBA dhe aleatët e saj kanë bërë në Lindjen e Mesme të paktën që nga viti 2001, përbën terrorizëm shtetëror. Irani menjëherë iu përgjigj duke e quajtur Komandën Qendrore të Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) një mbështetëse të terrorizmit.

Irani nuk ka histori moderne agresioni, ndërsa pushtimet amerikane të Afganistanit, Irakut, Libisë dhe Sirisë dhe mbështetja ndaj Arabisë Saudite për luftën në Jemen do ta ekspozonte SHBA-në me aktakuza përpara Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Departamenti i Shtetit pohon se Garda Revolucionare ka qenë përgjegjëse për më shumë se 600 vdekje të amerikanëve në Irak, ka përkrahur milicitë e ndryshme në rajon dhe e akuzon atë për përdorimin e luftës në Siri në mënyrë qe të krijojë një bazë strategjike ushtarake nga e cila do të kërcënonte Izraelin. Vetë SHBA ka shkaktuar më shumë vdekje, ka ndërtuar baza ushtarake në Siri dhe mbështet milicitë proxy, leva të saj. Ajo ka bërë gjithçka për të akuzuar Iranin si kërcënim të Izraelit.

Si gjithmonë Izraeli është në epiqendrën e grindjes mes SHBA-së dhe Iranit. Kryeministri Netanyahu raportohet se pak para rizgjedhjes së tij u takua me Trumpin që ta përcaktojë Gardën Revolucionare si një organizatë terroriste. Netanyahu, dhe pa dyshim edhe dhëndri i Trumpit, i cili është këshilltari i tij i veçantë për Izraelin, qëndronin pas braktisjes së SHBA-së nga Plani i Përbashkët Gjithpërfshirës i Veprimit (JCPOA) me Iranin, pas zhvendosjes së ambasadës amerikane në Jeruzalem dhe pas miratimit të okupimit izraelit të Lartësive Golan dhe vendbanimeve të kolonëve në Bregun Perëndimor (Elijah J. Magnier, “Aleatët e Iranit në Lindjen e Mesme: këmbza është gati në rast lufte SHBA-Izrael”, American Herald Tribune, 12 prill 2019).

Irani ka akuza të rënda dhe të vjetra kundër SHBA-së që përfshijnë përmbysjen e Mosadikut në vitin 1954 dhe rrëzimin e një avioni civil iranian nga luftanija amerikane Vincennes në vitin 1988. Nga ana e saj, SHBA-ja gjithmonë ka kërkuar hakmarrje kundër Iranit për kapjen përcmuese dhe burgosjen e diplomatëve të saj në Teheran më 1979 dhe për aktivitete të shumta të Hezbollahut, përfshirë edhe kundër Izraelit. Në vitin 1982, një komplot lufte i Izraelit që ndikoi tek synimet amerikane u zbulua në një revistë izraelite (Directions). Plani Yinon, i quajtur sipas autorit së tij, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, ishte një projekt afatgjatë për të siguruar që asnjë shtet në Lindjen e Mesme të mos ta kërcënonte Izraelin, duke goditur me sukses qeveritë e Egjiptit, Libanit, Sirisë, Jordanisë dhe Irakut. Në vitet 90, neokonservatorët amerikanë e zgjeruan planin Yinon duke përfituar nga dobësia e Rusisë dhe destabilizuan shtatë shtete në Lindjen e Mesme në pesë vjet: Iran, Irak, Liban, Libi, Somali, Sudan dhe Siri (Wesley Clark, Demokracia Tani, 3 Tetor 2007. Michel Chossudovsky, ‘Pushtimi imperialist: Lufta e gjatë e Amerikës kundër Njerëzimit,’ Global Research, 29 Janar 2014). Në vitin 1997, Zbigniew Brzezinski shkroi se qëllimi i Amerikës për të parandaluar ngritjen e çdo vendi sfidues, veçanërisht Rusinë dhe Kinën, mund të “shtrihej ndoshta edhe tek Irani” (The Grand Chessboard, 1997). Sesi neokonservatorët e vunë synimin e tyre në veprim, përshkruhet nga James Mann në ‘Rise of the Vulcans’ (2004).

Në vitin 2001, pushtimi i shumëpritur i Irakut ishte një pikë e rendit të ditës për takimin e parë të kabinetit të mbajtur nga George W Bush (Ron Suskind, biografi e Paul O’Neill, citim nga James O’Neill, ‘Mësime nga lufta në Irak: Një rivlerësim’, perlat dhe irritimet, 7 janar 2017). Afganistani u sulmua në tetor 2001 dhe Iraku në mars 2003. Programi i destabilizimit vazhdoi në Libi me mbështetjen e Hillary Clintonit, e cila si Sekretare e Shtetit ishte agresivisht armiqësore ndaj Iranit. I tillë ishte edhe Presidenti Trump i cili u ndaloi viza shtatë vendeve muslimane, Iran, Irak, Libi, Sudan, Somali, Siri dhe Jemen, ky i fundit zëvendësoi Libanin në listën e neo-konservatorëve. Sudani dhe Somalia nuk kanë ndonjë qeveri përvec se emrit, kurse Siria gjendet në një rrëmujë. Irani është i fundit për tu ‘destabilizuar’.

Zyrtarët e Pentagonit thuhet se i hezitojnë luftës me Iranin, rezultati i së cilës mund të jetë shumë më i keq sesa lufta e rrëmujshme në Irak. Megjithatë më 8 maj 2018 Trump njoftoi tërheqjen e SHBA-së nga JCPOA dhe imponoi sanksione për vendet që tregtojnë me Iranin, me sa duket për ta detyruar Iranin të ndërpresë zhvillimin e raketave balistike dhe mbështetjen e militantëve në rajon. Irani u përgjigj duke i djegur flamurin me vija dhe yje brenda Maxhlisit dhe nisi raketa nga Siria në drejtim të objektivave ushtarake izraelite. Ajatollah Ali Khamenei i këshilloi iranianët, ‘Mos i besoni Amerikës’. Pompeo dhe John Bolton duket se tani po nxisin propagandë anti-iraniane në mënyrë që amerikanët të jenë gati për një luftë tjetër. Meqënëse një luftë e re bie ndesh me Aktin e Luftës të Fuqive (1973), ajo duhet të jetë e të njëjtit stil, ‘luftë kundër terrorit’, të cilën Kongresi e miratoi në vitin 2001. Prandaj edhe Garda Republikane u përcaktua si një organizatë terroriste.

Ministrat australianë duhet të dinë se çfarë planifikon SHBA-ja. Çfarë i kanë thënë Washintonit se cfarë do të bëjë Australia? Sido që të jetë provokimi, aleanca ANZUS nuk na detyron të sulmojmë Iranin, një vend që nuk kërcënon Australinë dhe nuk është në zonën e Paqësorit. Nëse nuk do duam më shumë luftëra ilegale, më shumë refugjatë dhe më shumë terrorizëm, duhet ta bëjmë të qartë. Megjithatë perspektivat për vendime të pavarura të politikës australiane nuk janë të mira. Morrison gat sa nuk u rrëzua prej një propozimi të një eksperti të çështjeve të jashtme, Dave Sharma, mbi lëvizjen e ambasadës së Australisë në Jeruzalem. Ai është ringritur përsëri dhe nuk ka gjasa të kundërshtojë luftën me Iranin. Shorten ka humbur një ekspert tjetër, Melissa Parkein, e cila i tha të vërtetën rreth kthimit të Izraelit në një shtet të aparteidit. Ajo do ta kundërshtonte një luftë dhe këshilla e saj do të mungonte.

* (Imazhi kryesor: Aeroplani iranian 655, një avion pasagjerësh nga Teherani për në Dubai i cili u rrëzua me raketa të telekomanduara nga luftanija amerikane Vincennes në hapësirën ajrore iraniane dhe në ujërat territoriale iraniane në Gjirin Persik më 3 korrik 1988. Punimi: Mahmoud Azadnia)

* Ky artikull u botua fillimisht në Johnmenadue.

Dr Alison Broinowski është një ish diplomate australiane e cila po shkruan një libër mbi terrorizmin.

Burimi: ahtribune/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne