Kush ka guxim ta hetojë SHIK-un?

Ish Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) duhet të hetohet për mënyrën e punës se sa ,financat dhe gjitha çështjet tjera më të cilat ky shërbim është marrë. Hetimin parlamentar për ketë organizatë e shohin të nevojshme politikanë dhe analistë të ndryshëm ,të cilët thonë se është shumë e nevojshme që një herë e mirë të hetohet ky shërbim dhe se ketë duhet ta bëje gjyqësia apo prokuroria. Lidhur me hetimin parlamentar të organizatës ilegale “ShIK” mbi financimin e saj, dosjet dhe strukturën/rrjetin e veprimit, foli Albulena Haxhiu. Ajo tha se në legjislaturën e katërt patën mbledhur 27 nënshkrime për hetimin e ShIK-ut; në të pestën i bëmë 38; e në të gjashtën, do t’i kalojmë 40. “Shumica parlamentare e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje! në legjislaturën e ardhshme do ta zhvillojë dhe përmbyllë hetimin e plotë parlamentar mbi burimin e financimit të organizatës ilegale “SHIK”, dosjet e prodhuara prej saj dhe përfshirjes së personave dhe roleve të tyre në të. Të gjitha gjetjet do t’i dorëzohen sipas ligjeve në fuqi Prokurorisë së Republikës së Kosovës”, u shpreh Haxhiu.

Gecaj: Me SHIK-un duhet të merren organet e sigurisë

Lidhje Demokratike e Kosovës e cila shumë herë ka hapur çështjen e hetimit të SHIK-ut thotë se ky shërbim duhet të hetohet nga gjyqësia dhe organet kompetente të drejtësisë. Bajram Gecaj nga LDK ka thënë se “Unë besoj që kjo është çështje më të cilën duhet më u marr organet e sigurisë sepse komisionet parlamentare nuk i kanë instrumentet e nevojshme për më hetua akuza shumë serioze çfarë janë bërë kundër Shik-ut, pra komisionet parlamentare nuk kanë mundësi që vërtetë të ndriçojnë të vërteten për ketë çështje, dhe atëherë nuk do të mund të legjitimohej një veprimtari e cila mund të jetë kriminale” ka thënë Gecaj duke shtuar se “Unë besoj se nëse duhet të hetohet SHIK-u duhet të hetohet nga organet e drejtësisë, prej policisë prokurorisë dhe gjyqësisë në mënyrë që ai hetim të jetë substancial dhe të nxjerrët nga ai hetim, e jo të behet një hetim sa për sy e faqe më komision parlamentar që nuk do të mund të legjitimonte atë strukturë, sepse komisioni nuk i ka mjetet dhe metodat e elementet që duhet ti ketë një hetuesi shumë serioze për ketë rast” ka përfunduar Bajram Gecaj.

Kurse sipas ish agjentit të SHIK-ut Naim Miftari jo vetëm SHIK-u por çdo grupacion tjetër apo shërbim sekret që nuk ka qenë institucional duhet të hetohet.

“Jo vetëm Shik-u por çdo grupacion apo shërbim sekret që nuk ka qenë instutucional duhet të hetohet, por assesi nuk duhet harruar Shik-un dhe shërbimin e LDK-së SIA e Ramë Marës dhe çdo shërbim që ka veprua nen hije duhet të hetohet. Lëvizja Vetëvendosje e ka pat iniciua hetimin kundër SHIK-ut por nuk ju nënshkruan deputetët e LDK-së nuk ju dha ndihma e LDK-së për një hetim të tillë” ka thënë Miftari.Vrasjet politike

Sipas tij pa u zbuluar gjitha punës e shërbimeve sekrete nuk do të ketë qetësi dhe as shtet serioz.

“Kurrë nuk do të këtë qetësi as drejtësi e as shtet serioz pa u zbulua punët dhe veprimet e errëta të këtyre shërbimeve sekrete në mbarë Kosovën. Veprimet e mira dhe pozitive ti gjykon populli, pasi këto shërbime janë thirr në emër të popullit, luftës, ministrive, kryetarëve dhe dihet se kur erdhën deri te të mirat materiale dhe politike nuk kanë punuar aspak për popull por për veti dhe për interesa të disa individëve që janë bërë milionerë. Nga fatkeqësia e popullit ton gjatë dhe pas luftës, duhet kërkuar me ngulm se kush i beri vrasjet e pas luftës dhe arsyen dhe të klasifikohet çdo vrasje e bërë pasi edhe vrasjet dallojnë ndërmjet vetes. Por pyetja që dhemb më se shumti është kush i vrau atdhetarët, komandantët, luftëtarët e luftës dhe njerëzit që ishin krahu i djathtë i Ibrahim Rugovës kur të vjen kjo kohë besoj edhe vet personalisht mundem të kontribuoj në këto pyetjet e fundit sidomos të zbulohen ata trima që luftuan shërbimin dhe interesin armiqësor serb në Kosovë. Medoemos të ndjekën kriminelët që vranë shqiptar që përçanë luftën, që përçan popullin, që vodhën fondet e luftës, që vranë kundërshtarët politik. Vrasjet e konkurrenteve të brendshëm politik shpesh here duke u bërë edhe aleat i UDB ku edhe shumicën e bashkëpunëtorëve -punëtorët e sigurimit serb UDB i bën edhe thesar kombëtar” ka përfunduar ish agjenti i SHIK-ut Naim Miftari.

“SHIK-u hetohet kur PDK-ja të jetë në opozitë”

Ndërsa Faik Krasniqi politolog ka thënë se hetimi ndaj Ish Sherbimit Informativ te Kosovës (SHIK) duhet të fillojë sa më herët.

“Hetimi ndaj SHIK-ut është dashur të fillojë shumë më herët, edhe pse kjo duket e vështirë të ndodhë pasi SHIK-u ka futur njerëzit e saj në drejtësi. LDK-ja ka qenë gjithmonë në pushtet dhe askush nuk e ka penguar që ta bëjë një komision në Kuvend për hetimin e kësaj organizate. Madje, Vetëvendosje patë kërkuar shumë herë një hetim të tillë, por që nuk gjeti përkrahjen e LDK-së.” ka thenë Krasniqi. Sipas tij ngritja e këtij komisioni në Kuvend do të ndodh vetëm atëherë kur PDK-ja do të jetë në opozitë dhe Vetëvendosja në pushtet, sepse deshëm apo s’deshëm deri më tash e ka dëshmuar se është e vetmja parti që e ka seriozisht shporrjen dhe shkatërrimin e klanit Pronto.

Kurse sipas profesorit Muhamet Klemendi njohës i çështjeve juridike janë shumë çështje më rendësi për të spastruar vendin tonë nga e kaluara. “Janë shumë çështje më rendësi për të spastruar vendin tonë nga e kaluara. Po ashtu duhet jetuar edhe ish shërbimi i LDK-së “Atdheu” dhe ai i PDK-së SHIK. Sa do të jenë në gjendje këto parti të ndahen nga ato shërbime është pikëpyetje e madhe dhe pothuajse e pamundshme. Shteti ligjor kërkon domosdo spastrimin e këtyre dy shërbimeve, në mënyrë që shteti të ndahet nga krimi dhe të fillon zbatimi i ligjit. Derisa njerëzit e këtyre dy shërbimeve janë në pushtet në këto dy parti është shumë rendë që të ndahemi nga e kaluara dhe vendi të ecë përpara në rrugën e shtetit të së drejtës” ka thënë Kelmendi. Sipas tij i takon qeverisë në të ardhmen që si prioritet të këtë këto dy shërbime dhe zbardhjen e të gjitha rasteve kriminale. Kosovës i duhet një pastërti nga e kaluara për të ndërtuar të ardhmen.

Lepaja: Hetimi i SHIK-ut është vendim politik

Për hetimin e Ish Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) analisti Fadil Lepaja ka thënë se “SHIK-u si institucion, ka qenë po aq legjitim sa edhe Qeveria e Përkohshme, dhe se kjo çështje duhet trajtua ndarazi prej krimeve të pasluftës.

“Hetimi i SHIK-ut është vendim politik, ndërkohë që hetimi i krimeve është obligim ligjor i organeve të ndjekjes, policisë, prokurorisë dhe gjykatës, përfshi edhe strukturat e tjera, të sigurisë sipas nevojës. Për hetimin e krimeve, nuk ka nevojë për kurrfarë vendimi politik, mjafton që sistemi i drejtësisë të jetë funksional dhe i pa korruptuar. Një vendim politik, mund të merret në parlament, dhe drejtuesit e SHIK-ut të cilët publikisht deklarohen krenarë për punën e tyre, nuk do të refuzonin të bashkëpunojnë me çfarëdo komisioni që e autorizon parlamenti, dhe mendoj se kjo është në interes të tyre”. Sipas analistit Fadil Lepaja Kërkesa për hetimin e SHIK-ut është politike, ndërkohë që ajo për hetimin e krimeve, është vetëm përkujtim organeve të drejtësisë që të kryejnë obligimin e tyre ligjorë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne